Këshillat si duhet trajtuar infeksioni i sinuseve

Shëndetësia

Këshillat si duhet trajtuar infeksioni i sinuseve

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 22:05
Foto ilustrim

Gjatë kësaj stine një ndër patologjitë e shpeshta që shfaqen pothuajse tek të gjitha grupmoshat janë edhe infeksionet e sinuseve.

Në raste të caktuara këto infeksione mund të jenë edhe ngjitëse, ndaj dhe duhet bërë kujdes për trajtimin e tyre në stadet sa më të hershme.

Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon, rastet se kur këto infeksione janë ngjitëse, si dhe çfarë duhet të kemi parasysh për trajtimin e tyre.

Kjo pasi shpesh herë abuzohet me përdorimin e antibiotikëve dhe qetësuesve të tjerë. Këshillat e plota se si duhet të veproni për të shmangur ndërlikimet i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

A është infeksioni i sinuseve ngjitës ?

Shkaku i sinusiteve janë bakteret, viruset dhe ndonjëherë edhe kërpudhat (mykrat). Këto mikrobe mund të transferohen nga personi në person dhe herë pas here të shkaktojnë infeksione të sinuseve.

Por, disa studime tregojnë se infeksionet e sinuseve edhe pse të shkaktuara nga bakteret dhe viruset, ndodhin sepse kushtet në sinuset individuale janë optimale për t’u zhvilluar infeksioni.

Për më tepër që infeksioni mund të shkaktohet nga bakteret, viruset, ose kërpudhat që tashmë janë të pranishme në një person duke mos qenë kështu kusht transferimi i tyre nga një tjetër individ.

Megjithatë, studimet tregojnë se shumica e njerëzve nuk i transmetojnë infeksionet e sinuseve, përveç rasteve të rralla, duke konkluduar kështu se infeksionet e sinuseve nuk janë ngjitëse.

Por pavarësisht këtij fakti duhet edhe të themi se ekziston një marrëveshje se bakteret, viruset dhe kërpudhat mund të transmetohen nga personi në person dhe infeksioni i sinusiteve mund të zhvillohet.

Çfarë duhet bërë që të parandalohet kalimi i këtyre infeksioneve?

Si rregull, rekomandohet që individët me infeksione sinusale të shmangin kontaktin direkt (për shembull nëpërmjet puthjes) me ata që janë më të prirur ndaj infeksionit siç janë për shembull foshnjat, të moshuarit, dhe personat me sistem të dobët imunitar, për të zvogëluar kështu mundësinë e transmetimit të mikrobeve tek këta njerëz, pasi mund të shkaktojnë probleme të tjera shëndetësore përveç infeksioneve sinusale.

Cilat janë shenjat klinike kryesore të një infeksioni sinusal?

Sinuset kryesore që preken janë ato orbitale (zona prapa syve) dhe maxillare (mollëzat e faqeve). Simptomat fillojnë zakonisht si një ftohje e zakonshme me kollitje të rastit, ose temperaturë të butë dhe pastaj shfaqen dhimbjet në formë presioni në sinuset e prekura (pikërisht orbitave, ose maxillare që përmenda më sipër).

Rreth 7 deri në 10 ditë pas simptomave të përgjithshme dhe fillestare zhvillohen simptomat e tjera që mund të na orientojnë dukshëm drejt infeksionit të sinuseve.

Këto simptoma konkretisht mund të jenë: “Sekrecione të bollshme nga hundët në ngjyrë të verdhë ose të gjelbër, erë e keqe nga goja, fryrje në zonën poshtë syve. Tek shumë pacientë shfaqen edhe dhimbje koke në zonën e ballit, ose thellë në gropat orbitale (prapa syve),ose dhimbje të thella në zonën e mollëzave të faqeve (maxillare).

Përveç këtyre simptomave specifike mund të kemi edhe shenja të tjera më të përgjithshme siç janë : “Lodhje të përgjithshme trupore, dhimbje fyti, etj”.

Si diagnostikohen këto infeksione?

Diagnoza përfundimtare e sinuseve bazohet në historinë e pacientit, në shenjat klinike dhe vërtetohet nëpërmjet ekzaminimit radiologjik (Radiografi ose skaner të sinuseve).

Duke njohur shenjat klinike të përmendura më lart, pacienti mund të orientohet për të kërkuar ndihmën e duhur mjekësore për të shmangur të gjitha ndërlikimet e mundshme që mund të shkaktojnë infeksionet sinusale të patrajtuara.

Çfarë rekomandohet në kushtet e shtëpisë për lehtësimin e simptomave klinike të infeksioneve të sinuseve?

Janë një sërë masash që mund të merren në kushtet e shtëpisë për të trajtuar në kohë simptomat e këtyre infeksioneve sinusale.

Në këto kushte, rekomandohen avujt e ujit (të mbahet koka mbi avujt e ujit që vlon). Kjo mund të bëhet pa problem disa herë në ditë, pasi lehtëson rrjedhjen e sekrecioneve nga sinuset dhe për rrjedhojë lehtëson dhimbjet.

Po ashtu, rekomandohet edhe përdorimi i solucioneve të caktuara për lirimin e hundëve. Megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm në përdorimin e tyre sipas rekomandimeve të bëra nga mjeku specialist sepse përdorimi i gabuar i tyre mund të ketë pasoja.

Konkretisht, cilat janë ndërlikimet që mund të shfaqen nga përdorimi i gabuar i këtyre solucioneve?

Për sa i përket solucioneve që hidhen direkt në hundë, ato duhet të kenë përmbajtje kripe (solucion fiziologjik) pasi ndihmojnë shumë në këto raste.

Kujdes duhet të tregohet me solucionet dekonxhestionuese, me të cila abuzohet shumë kohët e fundit.

Ato vërtet i lirojnë shpejt hundët, por nëse përdoren gjatë dhe shpesh ato mund të dëmtojnë mukozën e hundës që përbëjnë edhe filtrin kryesor ndaj mikrobeve që vijnë nga mjedisi i jashtëm.

Po në lidhje me përdorimin e qetësuesve të tjerë çfarë mund të themi?

Në rastet kur simptomat janë pak më të rënduara rekomandohet përdorimi i paracetamolit për dhimbjet, si edhe ibuprofenit.

Ky i fundit ka edhe efekt antiinflamator (antiinfeksioz). Kujdes duhet të kenë personat që kanë problem me stomakun dhe zorrët (ulcerat ose gastritis), por edhe ata që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut.

Prandaj ibuprofeni duhet të përdoret sipas porosisë së mjekut. Me paracetamolin duhet të kenë kujdes personat që vuajnë nga mëlçia.

Po antibiotikët në cilat raste duhet të përdoren?

Nëse infeksionet sinusale kanë origjinë bakteriale atëherë gjen vend përdorimi i antibiotikëve. Origjina e infeksionit në këto raste përcaktohet nëpërmjet ekzaminimit me mbjellje (kulturë) të sekrecioneve nasale (të hundës).

Antibiotikët dhe solucionet dekonxhestionuese duhet të merren vetëm me recetën e mjekut, e jo sikundër ndodh rëndom duke u drejtuar në farmaci pa asnjë lloj këshillimi mjekësor.

Sa kohë mund të zgjasin shenjat klinike të infeksioneve sinusale?

Nëse sinusitis është akut (pra zhvillohet shpejt), atëherë shenjat klinike mund të vazhdojnë deri në tre javë. Nëse infeksioni ka një ecuri të gjatë, pra kronicizohet, atëherë shenjat klinike mund të zgjasin tetë deri në dhjetë javë.

Sinusiti i përsëritur është sinusiti akut që ndodh disa herë gjatë vitit dhe mund të zhvillohet si një sinusit kronik. Infeksionet bakteriale zakonisht kanë ecuri më të shpejtë drejt shërimit pasi mund të përfitojnë nga përdorimi i antibiotikëve, kurse infeksionet virale nuk kanë trajtim specifik por vetëm simptomatik (lehtësimin e shenjave klinike).

Disa njerëz kanë infeksione të sinuseve për shkak të kushteve, apo të sëmundjeve të tjera. Për shembull njerëzit që vuajnë nga astma bronkiale kanë ngushtim të rrugëve të frymëmarrjes dhe kanë rrezik më të lartë të zhvillimit të sinusiteve.

Prandaj mbajtja e astmës nën kontroll zvogëlon edhe tendencën e zhvillimit të sinusiteve.

Disa persona mund të kenë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale për të larguar pengesa, ose ngushtime të rrugëve nasale (të hundës) siç janë për shembull: “Largimi i polipeve të hundës (i ashtuquajtur “mishi i huaj” në hundë), si dhe deviacioni i hundës (pozicionimi i shtrembër i kockës ndarëse të hundës).

Simptomat dalluese

Kollitje të rastit.

Temperaturë të butë.

Dhimbjet në formë presioni në sinuset e prekura.

Sekrecione të bollshme nga hundët në ngjyrë të verdhë ose të gjelbër.

Erë e keqe nga goja.

Fryrje në zonën poshtë syve.

Dhimbje koke në zonën e ballit ose thellë në gropat prapa syve

Dhimbje të thella në zonën e mollëzave të faqeve.

Disa këshilla se si mund të matet sa më saktë temperatura

Për matjen e temperaturës mund të përdoren lloje të ndryshme termometrash. Mjaft të shpeshtë në përdorim gjatë kohëve të fundit janë edhe termometrat dixhitalë.

Këto lloje termometrash e masin temperaturën në gojë, në zorrën e trashë (anus), ose aksilare (nën sqetull). Akademia Amerikane e Pediatrisë nuk rekomandon përdorimin e termometrave me mërkur (ata të qelqit) për të parandaluar ekspozimin aksidental ndaj merkurit, i cili konsiderohet shumë helmues (toksik). Temperaturat aksilare (nën sqetull) nuk janë aq të sakta sa ato orale dhe rektale. Mund të përdoren edhe termometra dixhitalë timpianë që e masin temperaturën në vesh,por shumë herë dylli I veshit mund të shkaktojë leximin e gabuar.

Matjet në vesh nuk janë të sakta për fëmijët e vegjël dhe nuk duhen përdorur për fëmijët nën 3 vjeç, veçanërisht për foshnjat nën 3 muajsh, për të cilët matja e saktë e temperaturës është shumë e rëndësishme.

Nga 4 vjeç e lartë, të gjithë mund ta masin temperatyrën e tyre me një termometër dixhital nën gjuhë duke mbajtur gojën mbyllur. Pasi ta kemi pastruar termometrin me ujë e me sapun ose me alkool, vendosim majën e tij sa më shumë të jetë e mundur në gjuhë.

Goja duhet të qëndrojë e mbyllur, pasi një gojë e hapur mund të shkaktojë lexime të pasakta. Termometri duhet të qëndrojë aty rreth një minutë, ose deri sa të dëgjohet një “pip”. Është e rëndësishme që 15 minuta para matjes së temperaturës të shmangen pije të nxehta, ose të ftohta për të siguruar lexime korrekte.

Për fëmijët nën 3 vjeç rekomandohet matja rektale (në anus) e temperaturës, pasi kjo jep leximin më të saktë të temperaturës bazë. Pasi e pastrojmë termometrin e fusim gjysmën e majës së tij në anus dhe e mbajmë në dorë, që të mos bjerë për rreth një minutë ose deri sa të dëgjojmë sinjalin.

Një temperaturë rektale do të lexojë afërsisht 1 shkallë më lart se një temperaturë gojore e matur në të njëjtën kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat