Nga verdhëza tek pesha: Këto janë disa nga problemet e fëmijëve të porsalindur

Shëndetësia

Nga verdhëza tek pesha: Këto janë disa nga problemet e fëmijëve të porsalindur

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 11:40
Foto ilustrim

Disa foshnja hasin probleme për t’u përshtatur me botën e re. Fatmirësisht, pjesa më e madhe e problemeve me të cilat përballen, janë të vogla dhe zgjidhen shpejt.

Verdhëza.  Këtë sëmundje që shfaqet me një nuancë të verdhë në lëkurë dhe sy, e kalojnë më tepër se gjysma e foshnjave të porsalindura. Në përgjithësi, shenjat shfaqen disa ditë pas lindjes dhe kjo mund të zgjasë disa javë. Verdhëza shfaqet kur bilirubina, e cila prodhohet nga ulja e numrit të rruazave të kuqe të gjakut, grumbullohet më shpejt sesa mëlçia arrin ta nxjerrë nga trupi. Zakonisht verdhëza ikën vetë dhe nuk shkakton asnjë problem te fëmija.

Ajo mund ta zërë atë për disa arsye:

- bilirubina prodhohet më shpejt nga sa mund të reagojë mëlçia;

- mëlçia e fëmijës, që është ende në zhvillim e sipër, nuk është në gjendje ta largojë bilirubinën nga gjaku;

-pjesa më e madhe e bilirubinës thithet nga zorrët, para se trupi i fëmijës ta nxjerrë jashtë me jashtëqitje. Verdhëza që është në nivele mesatare, nuk kërkon asnjë lloj mjekimi, ndërsa në rastet më të rënda, foshnja duhet të qëndrojë më gjatë në maternitet. Verdhëza mund të largohet në një sërë mënyrash.

-Këshillohet që ta ushqeni foshnjën më shpesh, gjë që nxit bilirubinën të largohet me jashtëqitjen. Mjeku mund ta vendosë foshnjën nën një dritë. Ky mjekim i quajtur fototerapi, është më se i zakonshëm. Një llambë e veçantë ndihmon në largimin e bilirubinës së tepërt nga trupi.

-Për të ulur nivelin e verdhëzës, foshnja mund të marrë në rrugë intravenoze globulinë të imunizuar, nëse bilirubina është jashtëzakonisht e lartë.

- Në raste të rralla, mund të kryhet edhe transfuzion i gjakut për të ulur nivelin e bilirubinës.

Infeksioni: sistemi imunitar i një foshnje, nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar infeksionin. Si rrjedhojë, për foshnjat e porsalindura, çdolloj infeksioni mund të jetë kritik. Infeksionet e rënda bakteriale, të cilat janë të pazakonta, mund të pushtojnë çdo organ: gjakun, urinën apo palcën e shtyllës kurrizore. Në këto raste, është e nevojshme të kurohet me antibiotikë. Ndonëse mund të diagnostikohet që në fazat e hershme, infeksioni te të porsalindurit, mund të paraqesë rrezik për jetën.

Për këtë arsye, mjekët bëjnë shumë kujdes kur trajtojnë një infeksion. Antibiotikët jepen rrallë dhe përdorimi i tyre ndërpritet vetëm kur nuk ka më asnjë gjurmë infeksioni. Ndonëse pjesa më e madhe e analizave tregojnë se nuk ka asnjë shenjë infeksioni, për foshnjën është më e sigurt që të trajtohet që në fazat e hershme, sesa të rrezikoni duke mos e mjekuar për një infeksion që mund të shfaqet shumë shpejt. Viruset mund të shkaktojnë infeksione te të porsalindurit, megjithëse ato virale janë më pak të zakonshme sesa ato bakteriale. Disa infeksione virale nga të cilat preken foshnjat e porsalindura, si: herpesi, varicela, HIV dhe citomegalovirusi, mund të mjekohen me barna antivirale.

Procesi i ushqyerjes: sido që të vendosni ta ushqeni foshnjën, qoftë me gji apo me biberon, në ditët e para pas lindjes, do ta keni të vështirë ta ushqeni dhe kjo është më se e zakonshme. Disa fëmijë e zhvillojnë më ngadalë këtë proces. Nëse mendoni se foshnja juaj nuk po ushqehet mjaftueshëm, flisni me mjekun apo infermieren me të cilën jeni lidhur për të ndjekur ecurinë e saj. Herë pas here, fëmijët që pinë ngadalë, kanë nevojë të ushqehen me tub, të paktën për disa ditë. Menjëherë pasi e kalojnë këtë fazë, ata pinë pa asnjë lloj problemi, qoftë nga gjiri apo biberoni. Gjatë javës së parë, një foshnjë e porsalindur do të humbasë rreth dhjetë për qind të peshës së lindjes dhe me kalimin e kohës, jo vetëm që do ta marrë sërish atë peshë, por do të shtojë edhe më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat