Që nga viti 2000, vaksinat u kanë shpëtuar jetën 37 milionë fëmijëve

Shëndetësia

Që nga viti 2000, vaksinat u kanë shpëtuar jetën 37 milionë fëmijëve

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 07:29
Ilustrim

Vaksinimet janë shpëtimtarët më të mëdhenj të jetës së njeriut në mesin e të gjitha ilaçeve. Që nga fundi i shekullit të shkuar, një studim i ri tregon se vaksinimet kundër 10 sëmundjeve kryesore kanë parandaluar vdekjen e 37 milion njerëzve në gati 100 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Dhe deri në vitin 2030, ky numër mund të dyfishohet,ndërsa vlen të theksohet se dhe shumë prej jetëve të shpëtuara do të jenë fëmijë të vegjël. Pa qasje në disa vaksina të caktuara, të cilat mbrojnë njerëzit nga sëmundjet si fruthi, rotavirusi, HPV dhe hepatiti B, fëmijët e lindur në vitin 2019 (në 98 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme) të cilët nuk janë vaksinuar kanë 45 për qind më shumë të ngjarë të vdesin para moshës 5-vjeç, thonë studiuesit.
Edhe në moshë madhore, dallimi midis atyre që vaksinohen dhe atyre që nuk e bëjnë këtë, është i madh. Modeli i ri tregon se fëmijët e lindur në 2019-ën në vendet e lart-përmendura do të kenë një vdekshmëri 72 për qind më të ulët gjatë jetës së tyre, në rast se vaksinohen për 10 sëmundjet kryesore.

“Studimi ynë tregon përfitimet e mëdha në shëndeti publik që mund të arrihen nga programet e vaksinimit në vendet me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura të mesme. Duke bërë një projeksion deri në vitin 2030 në këto 98 vende, ne kemi një pasqyrë se ku duhet të drejtohen investimet në mbulimin e vaksinave për të arritur përfitime të mëtejshme”– thotë epidemiologu Neil Ferguson, nga Kolegji Mbretëror i Londrës në Mbretërinë e Bashkuar.
Modeli i ri ka kufizime, sidomos pasi shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme nuk kanë të dhëna të plota ose të qëndrueshme mbi barrën e sëmundjes dhe vdekjet.

Thënë kjo, ky është një vlerësim i vlefshëm dhe studimi më i madh mbi këtë temë deri më sot, duke pasur parasysh programet e vaksinimit kundër virusit të hepatitit B, hemolifisë, gripit të tipit B, virusit papillomatik, encefalitit japonez, fruthit, meningitit, streptokokut, pneumonisë, rotavirusit, rubeolës dhe etheve të verdha.

Gjashtëmbëdhjetë grupe të pavarura kërkimore aplikuan modele të shumta për secilin prej këtyre patogjenëve. Gjatë jetës së të lindurve midis viteve 2000-2030, studimet kanë treguar se vaksinimi do të shmangë të paktën 120 milion vdekje, nga të cilat 96 milion vetëm nga vaksina e fruthit dhe vaksina e hepatitit.

Këto rezultate, përputhen kryesisht me vlerësimet e mëparshme, të cilat zbuluan se që nga viti 2001 vaksinat kanë shpëtuar jetën e gati 20 milionë fëmijëve në disa prej 73 vendeve më të varfra të botës. Së fundmi u zbulua se vetëm vaksina e fruthit ka parandaluar më shumë se 20 milion vdekje në të gjithë botën që nga fillimi i shekullit XXI.

“Duke vlerësuar se sa nivele më të larta të vdekshmërisë do të kishim nëse nuk do të kishte asnjë program vaksinimi, studimi ynë ka theksuar se sa thelbësore është të ruhen nivelet e larta të mbulimit me vaksina”- thotë Keti Gajtorp, që studion shëndetin publik në Kolegjin Mbretëror të Londrës. Por, ruajtja e statuskuosë është vetëm një pjesë e tablosë. Zgjerimi i mbulimit me vaksina është gjithashtu një përparësi kryesore, sidomos për disa nga vaksinat më të reja. Për shembull, nëse programet e vaksinimit HPV mund të arrijnë mjaftueshëm tek të rinjtë, ekspertët mendojnë se kanceri i qafës së mitrës mund të eliminohet në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme deri në fund të këtij shekulli. Në fakt, modeli i ri parashikon që rritja e mbulimit me HPV tek vajzat do të shpëtojë më shumë jetë për personin e vaksinuar se sa çdo fushatë tjetër e imunizimit. Gjithashtu u zbulua se programet e vaksinimit për të parandaluar disa forma të pneumonisë, janë shumë efektive dhe mund të zgjerohen me sukses të madh tek vendet e varfra.

Këto vaksina, të njohura kolektivisht si PCV, patën ndikimin më të madh për parandalimin e vdekjes së fëmijëve nën 5-vjeç. Padyshim, vlerësimet nga ky modelim do të ndryshojnë, kur të përmirësohet kuptimi ynë i sëmundjes dhe programet tona të vaksinimit. Por shkalla e gjerë e këtij studimi,krijon një bazë të shkëlqyer. Pra është më se e qartë se programet e vaksinimit funksionojnë. Tani duhet vetëm të sigurojmë qasjen e të gjithëve në to.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat