Gjumi i mëngjesit një problem, ja zgjidhjet

Shëndetësia

Gjumi i mëngjesit një problem, ja zgjidhjet

Më: 15 mars 2021 Në ora: 09:14
Ilustrim

Para zgjimit, trupi përgatitet për ditë të re, por shtyrja e zgjimit mund t’ju kthejë përsëri në fazën e gjumit të thellë dhe të shkaktojë shok pas tingëllimit sërish të alarmit. Meshkujt rrallë bëjnë gjumë të thellë dhe zgjohen disa herë gjatë natës ç’ka rrit rrezikun nga tensioni i rritur i gjakut dhe problemet me zemër, sipas një studimi të Universitetit të Harvardit.

“Edhe pse femrat nuk ishin të përfshira në këtë studim, ka shumë mundësi që ato që kanë gjumë më të lehtë mund të kenë rrezik më të lartë nga tensioni i lartë i gjakut”, pohon udhëheqësja e studimit, Susan Redline. Gjumi është i domosdoshëm për ruajtjen e shëndetit. Me rëndësi është që gjumi të na bëhet prioritet dhe të përpiqemi të flemë së paku gjashtë deri në tetë orë në ditë, thekson Natasha Stewart nga fondacioni britanik për zemrën.

Mos u fshihni nën mbulesë

Trupi e do ritmin dhe parashikueshmërinë. Shumica ndiejnë lodhje sepse nuk i janë përmbajtur ritmit të zakonshëm të gjumit. Një orë para se të fillojë zgjimi, trupi përgatitet. Gjumi bëhet më i lehtë, temperatura trupore nis të rritet dhe fillon çlirimi i kortizolit, hormonit të stresit, çka jep energji për zgjim, thekson eksperti për fjetje, doktor Neil Stanley. Nëse trupi juaj nuk ka ritëm dhe nuk e di që është koha për t’u zgjuar pasi bie alarmi, do të përjetojë shok. Pikërisht kjo është arsyeja pse pas ziles së alarmit do të ndiheni të lodhur, thekson Stanley.

Mos e shtyni zgjimin

Shumë e shtyjnë zgjimin, duke e shtyrë alarmin për dhjetë ose njëzet minuta për të kompensuar gjumin. Por, kjo është më e keqja që mund të bëni, pohojnë ekspertët. Trupi para zgjimit përgatitet për këtë dhe shtyrja e tij mund t’ju kthejë në fazën e gjumit të thellë dhe të shkaktojë shok pasi alarmi të bjerë përsëri.

Përdorni diellin

Ndryshimi nga gjumi në zgjim është shok i madh për organizmin, thotë Leon Kreitzman, autor i librit “Seasons of life”. “Derisa flini, temperatura trupore si dhe tensioni i gjakut bien, prandaj gjatë zgjimit, zemrës por edhe të gjithë organizmit i duhet pak më shumë kohë për të lëvizur”, thekson Kreitzman. Kjo shpjegon pse shumica e sulmeve në zemër ndodh në orët e mëngjesit. Njerëzit janë më aktivë gjatë ditës, ndërsa flenë gjatë natës dhe kanë mekanizëm natyror i cili kontrollon ndjenjën e përgjumësisë dhe zgjimit. Mekanizmi është i sinkronizuar me lindjen dhe perëndimin e diellit. Nëse keni probleme me fjetjen apo me zgjimin, e rëndësishme është që të kaloni shumë kohë në vend të hapur, këshillon Kreitzman. Derisa është në vend të hapur, trupi ngadalë mbushet me energji dhe i përshtatet kohës.

Nervozizmi i mëngjesit është në gjene

Disa njerëz thjesht nuk janë tipa të mëngjesit sepse vuajnë nga e ashtuquajtura inerci e gjumit, ndjenja e ngadalësisë dhe irritimit, madje edhe deri dy orë pas zgjimit, derisa të tjerët pa problem zgjohen nga shtrati dhe fillojnë ditën, pohon Stanley. Rreth 12 gjene janë të lidhura me sistemin e brendshëm të trupit, i cili rregullon fjetjen dhe zgjimin. Gjenet punojnë së bashku për të krijuar proteinat dhe për të nxitur hormonet për shkak të të cilave flemë gjatë natës, ndërsa jemi aktivë gjatë ditës. Tek ata që zgjohen herët organizmi punon më shpejt, kështu që ata më herët lodhen dhe shkojnë në shtrat për të fjetur, ndërsa te “zogjtë e natës” është e kundërta, shpjegon neurologu Russell Foster nga Universiteti i Oksfordit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat