Fëmijët mund të jenë në rrezik nga simptomat e COVID-it të gjatë

Shëndetësia

Fëmijët mund të jenë në rrezik nga simptomat e COVID-it të gjatë

Më: 29 prill 2021 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Fëmijët, të cilët janë hospitalizuar shkaku i koronavirusit, mund të jenë në rrezik që të vuajnë nga plogështia e vazhdueshme dhe simptomat e tjera të asaj që njihet si COVID i gjatë, kanë bërë të ditur studiuesit që kanë ekzaminuar shëndetin e pacientëve, disa muaj pasi që ata kanë dalë nga spitali.

Shkencëtarët i kanë intervistuar prindërit e më shumë se 500 fëmijëve që ishin shtrirë në një spital të Moskës, pasi që ishin prekur nga sëmundja COVID-19 mes prillit dhe gushtit të vitit të kaluar. Ata kanë zbuluar se çereku i tyre kishte simptoma të vazhdueshme për më shumë se pesë muaj pas rikthimit në shtëpi dhe se simptomat më të zakonshme mes tyre ishin plogështia, çrregullimet me gjumin dhe problemet me shqisat e të nuhaturit dhe shijimit.

Studimi i kryer nga një ekip global i shkencëtarëve, përfshirë studiuesit britanikë nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Infeksioneve Respiratore Akute të Rënda (Isaric), nuk është përfundimtar, por është krijuar mbi të dhënat e para nga Zyra për Statistika Kombëtare, që ka supozuar se disa fëmijë mund të kenë simptoma të vazhdueshme pas prekjes nga COVID-19.

Në mesin e 518 fëmijëve të përfshirë në këtë studim, 24 për qind kanë shfaqur simptoma të vazhdueshme përderisa ishin përcjellë gjatë shtatë apo nëntë muajve pas daljes nga spitali. Prindërit kanë raportuar se simptomat kryesore ishin plogështia, çrregullimet me gjumë dhe probleme me shqisa. Fëmijët më të mëdhenj në moshë duket se kanë qenë më të rrezikuar, sesa më të vegjlit dhe këtu mund të kenë kontribuuar edhe alergjitë e ndryshme.

Mjeku Daniel Munblit, specialist i pediatrisë dhe alergjisë në Universitetin e Sechenovit në Moskë, ka thënë se përderisa zbulimet janë përfundimtare, mjekët duhet t’i japin përparësi trajtimit serioz të COVID-it të gjatë mes fëmijëve.

“Po shihet se ekziston një problem”, ka thënë ai. “Plogështia është problemi më i zakonshëm. Nuk po bëhet fjalë për t’u ndier të lodhur për një apo dy ditë, por për një plogështi të vazhdueshme dhe shkaktari i saj duhet të përcaktohet”.

Sipas studimit, 16 për qind e fëmijëve ndienin plogështi pasi dilnin nga spitali, por kjo shifër ka rënë në 12 për qind brenda pak muajsh. Megjithëkëtë, që nga ajo kohë shifra nuk ka ndryshuar shumë pasi që ka rënë në vetëm 11 për qind.

Më shumë se 8 për qind e fëmijëve u kishte humbur shija kur kishin dalë nga spitali dhe ndonëse disave u është rikthyer me kalimin e kohës, afro 6 për qind kanë raportuar se kanë ende probleme, ndonëse kanë kaluar shtatë muaj qëkur janë kthyer në shtëpi.

Studimet e mëhershme të grupit Isaric, të cilat i janë dorëzuar komitetit të ekspertëve “Sage” të Qeverisë, kanë zbuluar se gratë nga mosha 15 deri 65-vjeçare që ishin hospitalizuar shkaku i infektimit me koronavirus, kishin pesë herë më shumë gjasa për të vuajtur nga COVID-i i gjatë, sesa burrat e së njëjtës grupmoshë. Por, ndonëse COVID-i i gjatë ishte vendosur se është gjendje shëndetësore, ka pasur shumë pak hulumtime lidhur me rastet e fëmijëve që në përgjithësi nuk janë sëmurë rëndë nga koronavirusi.

Në studimin e radhës, shkencëtarët i kanë pyetur prindërit për ta vlerësuar shëndetin e fëmijëve të tyre para dhe pas daljes nga spitali.

Fëmijët që nuk kishin me simptoma të COVID-it të gjatë kishin pak a shumë gjendjen e njëjtë prej kohës kur ishin liruar nga spitali, por duke e pasur një apo më shumë simptoma të vazhdueshme, kjo gjë ua ka përkeqësuar shëndetin, kanë bërë të ditur autorët e studimit.

“Te disa fëmijë, shumë prindër kanë vërejtur shëndet pak të përkeqësuar dhe mendoj se kjo në njëfarë mase ka ndikuar në përditshmërinë e tyre”, ka thënë Munblit.

Spitalet e tjera, veçanërisht në Suedi dhe Itali, së fundmi kanë raportuar raste të COVID-it të gjatë te fëmijët, por sa i përket studimit më të fundit, të dhënat janë siguruar nga qendra të caktuara dhe përfshijnë numër të vogël të pacientëve.

Sa i zakonshëm apo sa i rrallë mund të jetë problemi te fëmijët do të jetë cak i një studimi të ri nga Universiteti i Londrës, që është duke e hulumtuar fenomenin e COVID-it të gjatë mes 11 deri 17-vjeçarët që nuk janë hospitalizuar.

Frances Simpson, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Coventryt, që ka kontribuuar në studim, është njëra prej themeluesve të organizatës bamirëse “Long Covid Kids”, e cila i përfaqëson më shumë se 2.000 prindër të shqetësuar rreth simptomave të vazhdueshme te fëmijët e tyre. Shumë prej tyre janë të sëmurë qe një vit.

“Këto familje janë ballafaquar me pasiguri dhe frikë nga një virus i ri, që shpeshherë nuk është besuar apo është thënë se shkaktarët janë psikologjikë”, ka thënë ajo. “Kemi bërë fushatë që nga viti i kaluar për ta studiuar këtë fenomen dhe jemi të lumtur që një studim i një cilësie kaq të mirë tashmë po publikohet. Shpresojmë se ky studim do të sjellë studime të tjera, dëshmi dhe kujdes më të mirë për këta fëmijë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat