Epilepsia, shkaqet dhe trajtimi i saj

Shëndetësia

Epilepsia, shkaqet dhe trajtimi i saj

Më: 4 maj 2021 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Epilepsia është një çrregullim i sistemit nervor, në të cilin aktiviteti i trurit bëhet anormal, duke shkaktuar kriza ose periudha të sjelljes së pazakontë, ndjesi dhe ndonjëherë humbje të vetëdijes. Kjo sëmundje mund të prekë këdo si meshkujt ashtu edhe femrat, mirëpo simptomat dhe përjetimet e sulmit epileptik mund të dallojnë nga personi në person.

Neurologu Blerim Myftiu, tha për CBC se sëmundja e epilepsisë është një çrregullim neurologjik që shprehur me fjalë të thjeshta nënkupton gjenerimin dhe shpërndarjen e pakontrolluar të energjisë elektrike ndërmjet qelizave nervore në tru.

“Qelizat nervore në tru komunikojnë përmes energjisë elektrike dhe substanca që quhen neurotransmiterë ndërmjet vete. Derisa rryma prodhohet dhe shpërndahet, ekzistojnë mekanizma që e kontrollojnë këtë shpërndarje, prandaj në rastin e epilepsisë kemi të bëjmë me dështimin e mekanizmave izolues dhe kufizues të shpërndarjes së pakontrollueshme të rrymës”, shtoi më tej ai.

Shkaqet

Shkaqet e kësaj sëmundje ende nuk janë të njohura, dhe sipas neurologut në shumicën dërrmuese të rasteve nuk ka shkaqe që mund të vizualizohen në rezonancë magnetike të trurit, pra ndryshime strukturale, e as ndryshime metabolike në organizëm.

“Pra kemi të bëjmë me raste të ashtuquajtura idiopatike apo raste me shkak të panjohur apo të paidentifikueshëm. Rrallë ndodh që të ekzistojë një ndryshim struktural në tru apo çrregullim metabolik në organizëm që në mënyrë sekondare shkakton sulm epileptik”, tha Myftiu për CBC.

Gjithashtu ai tha se prania e ndonjë lezioni në tru (tumori, infarkti apo gjakderdhje) apo e ndonjë ndryshimi metabolik (pacientët në dializë, dështimi i funksionit të mëlçisë, ulja e sheqerit në gjak) mund të gjenerojë një sulm epileptik, pra vetëm në këto raste dihet shkaku, dhe këto raste emërohen si epilepsi simptomatike.

“Momentalisht zbulohen dhe do të vazhdojë të zbulohen gjithmonë e më tepër burime apo gjene që janë përgjegjëse për epilepsinë. Kjo nuk do të thotë se ka trashëgimi direkte, ngase në manifestimin e epilepsisë luan rol edhe komponenta e faktorëve të tjerë mjedisorë dhe truporë”, tha ndër të tjera ai.

Epilepsia mund të shkaktojë tipa të ndryshëm krizash, neurologu Blerim Mytfiu tha se llojet e epilepsisë mund të dallohen në mes të rasteve me shkak të panjohur (idiopatike) dhe atyre të njohur (simptomatike).

“Pastaj, sipas vendit të burimit në tru, epilepsitë mund të ndahen në të lokalizuara (nga lobi frontal, parietal, temporal apo oksipital përkatësisht) dhe në të përgjithësuara (ku nuk ka një fokus të qartë)”, shtoi më tej ai.

Simptomat

Siç u përmend edhe më lart, simptomat mund të dallojnë nga personi në person, mirëpo neurologu Myftiu tha për CBC se nuk mund të thuhet se ka shenja paralajmëruese, ngase sulmi epileptik është i befasishëm dhe ndodh aty për aty, dhe se pa ndodhur një sulm epileptik është e vështirë të zbulohet ndonjë shenjë paralajmëruese.

“Ka megjithatë përjashtime. Për shembull, kemi të ashtuquajtur epilepsinë mioklonike juvenile. Termi miokloni nënkupton lëvizje të pavullnetshme, të befasishme, kërcyese në gjymtyrë (ngjajnë me lëvizjet trupore mu para futjes në gjumë apo në minutat e para të gjumit). Këto shfaqen zakonisht në mëngjes dhe shpesh anashkalohen nga njerëzit duke menduar se janë normale” tha ndër të tjera Myftiu.

Më tej ai shtoi se në raste kur ndodh që i njëjti pacient të pësojë sulmin e gjeneralizuar tipik epileptik, atëherë kur të pyetet retrograd, pacienti mund të tregojë se i ka pasur këto dridhje paraprakisht, ndoshta me vite, në këtë rast vlen çështja e shenjave paralajmëruese para një krize të madhe të vetëdijes.

Epilepsia është një sëmundje që mund të manifestohet në mosha të reja, sipas neurologut mund të manifestohet që prej lindjes deri te adoleshenca e vonshme, ndonjëherë edhe në të njëzetat, dhe se manifestimi i sulmeve epileptike pas moshës 30-40 vjeçare është shumë i rrallë dhe në ato raste gjithmonë duhet pasur kujdes për shkaqet e tjera që mund të qëndrojnë në prapavijën e këtyre sulmeve.

A është e shërueshme sëmundja e epilepsisë?

Se a është e shërueshme kjo sëmundje nuk mund të themi, jo plotësisht. Neurologu Myftiu tha se barnat shërbejnë për menaxhimin dhe ndërprerjen e sulmeve epileptike.

“Një numër epilepsish pas trajtimit disavjeçar mund të shërohen, pra pacienti mund të mos ketë më sulme epileptike. Mirëpo, vështirë është të thuhet se shërohet. Pacientët duhet vetëdijesuar se sëmundja kontrollohet me barna dhe ata duhen të jenë të informuar që ky është një proces i gjatë dhe i mundimshëm”, tha ai.

Gjithashtu ai theksoi se barnat janë opsioni kryesor i trajtimit, dhe se ka  mbi 10 barna që përdoren për këtë qëllim apo kombinohen në mënyra të ndryshme. Një numër shumë i vogël epilepsish, ato raste që dokumentohen fort se burojnë prej një pike të caktuar në tru, mund të operohen.

Njerëzit me epilepsi, mund të jenë të rrezikuar në shumë raste dhe të mos jenë të vetëdijshëm për një sulm epileptik, andaj neurologu Myftiu tha se njerëzit me epilepsi këshillohen të mos mbesin pa gjumë, prandaj, punët me kujdestari apo që imponojnë ndërprerje të gjumit natën rekomandohen të shmangen epileptikët, gjithashtu ai këshillon që epileptikët të mos merren me punë apo me aktivitete që në rast krize do të rrezikonin jetën e tyre apo të personave të tjerë, si për shembull epileptikët nuk duhet të vozisin, nuk duhet të punojnë në ambiente të larta, nuk duhet të notojnë në ujëra të thella.

“Një sulm epileptik mund të parandalohet duke pasur kujdes për gjumin, duke mos mbetur për kohë të gjatë pa ushqim, duke konsumuar lëngje deri në 2-3 litra në ditë, duke mos u ekspozuar dritave të fuqishme nga një burim fiks (si televizori) kontribuojmë në pakësimin e rrezikut për një sulm epileptik. Çështja kryesore është se pacienti duhet t’i përdorë barnat rregullisht. Harresa e madje një doze mjafton për të shkaktuar një sulm epileptik”, përmendi neurologu Myftiu.

Personat me epilepsi gjatë sulmit epileptik, nuk do të kenë mundësi t’i ndihmojnë vetvetes. Sipas neurologut njerëzit përreth duhet të ofrojnë ndihmën e shpejtë për ta.

“Njerëzit përreth duhet të ofrojnë ABC-në bazike të ndihmës së shpejtë. Pra, duhet të sigurojnë kalueshmërinë e rrugëve ajrore, sigurimin që pacienti të kthehet anash në mënyrë që mos ta përpijë gjuhën apo të mos aspirojë jargën që mblidhet në gojë. Meqenëse trupi është i shtangur, nuk duhet të mblidhen apo të lëvizen me dhunë gjymtyrët e pacientit, por duhet mbajtur sa për të mos u lënduar”, tha Myftiu.

Gjithashtu ai tha se medikamenti që jepet në raste të tilla, diazepami, meqenëse jepet në rrugë venoze, nuk ka mundësi që të vendoset kanula në tërë atë dramaticitet të ngjarjes. Kështu që sigurimi i rrugëve të frymëmarrjes dhe moslëndimit janë intervenimet e vetme që mund të bëhen ndërkohë.

“Pacientët duhet të jenë në kontakt me mjekun në intervale të rregullta. Mjeku duhet të informojë në detaje pacientin dhe familjarët për natyrën e sëmundjes, pritshmëritë dhe efektin e barnave. Mirëkuptimi i ndërsjellë është çelësi i suksesit sa më maksimal në trajtimin e gjendjes,” këshilloi neurologu Myftiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat