Rëndësia e ruajtjes së shëndetit mendor në kohërat që po kalojmë, pse duhet t’ia nisim nga fëmijët?

Shëndetësia

Rëndësia e ruajtjes së shëndetit mendor në kohërat që po kalojmë, pse duhet t’ia nisim nga fëmijët?

Më: 6 qershor 2021 Në ora: 13:36
Ilustrim

Shëndeti është gjendje fizike dhe mendore e njeriut. Shpesh dëgjojmë thënie të ndryshme për shëndetin “ Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë” apo “ Shëndeti mbi të gjitha”. Periudhat e jetës në të cilat kalon secili individ kohë pas kohe ndjen lodhje fizike dhe mundohet të gjejë mënyrën për të pushuar, por, kur ndjen lodhje mendore kjo fillon e bëhet më e mundimshme sepse duhet kohë për të reflektuar tek vetja dhe shkaqet.

Konfliktet dhe tejzgjatja e tyre në ditët e sotme dhe migrimi me shkallë të gjerë i familjeve për të siguruar një jetë më të mirë ekonomike ka sjellë si pasoj krizën e mbrojtjes që duhet bërë ndaj fëmijës.

Krahas kësaj, kemi terrorizmin, shkaqet e sëmundjeve të ndryshme, gjithashtu edhe rreziqet natyrore dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike kontribuojnë në ndryshimin e dinamikës së kërcënimeve ndaj fëmijëve, familjeve, dhe komunitetit në këto kontekste. Atyre mund t’u mungojë siguria, aksesi në mbështetje psikosociale dhe aktivitete argëtuese, si dhe nuk kanë ndjekur shkollë për muaj, ose ndonjëherë, për vite me radhë. Andaj në këto situata të cenueshme, fëmijët mund të jenë shënjestër e grupeve ekstremiste të dhunshme. Ata mund të bien edhe viktimë e formave të ndryshme të dhunës dhe rekrutimit të këtyre ideologjive ekstremiste.

Prandaj duhet të kemi pikësynim shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale duke filluar ndaj fëmijëve, të rriturve dhe shoqërisë në tërësi, duhet të jemi shumë humanistë dhe të kujdesshëm sidomos në këtë aspekt, sepse pak nga koha jonë, përkushtimi që u japim atyre, nga një fjalë, këshillë e dikujt, mund të shpëtohet jeta e tjetrit.

E them këtë sepse faktikisht kemi njerëz në shoqërinë tonë që ndjejnë ngarkesë në veten e tyre, nuk vizitojnë psikologun, psikiatrin, nuk flasin hapur as nuk e kuptojnë derisa nis çrregullimi mendor i tyre: stres, ankth, trauma, depresion ose edhe përdorim i substancave të ndryshme, si pasojë vjen deri tek mos kontrollimi i gjendjes emocionale dhe mendore, pastaj lind dhuna, më pas vrasja e dikujt apo edhe e vetes.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mirëqenia mendore përcaktohet si “një gjendje e mirëqenies në të cilën individi realizon aftësitë e tij ose të saj, mund të përballojë streset normale të jetës, të punojë në mënyrë produktive dhe të frytshme dhe është në gjendje të bëjë për kontributin e tij ose të saj”.

Derisa flasim për shëndetin mendor, atë e hasim çdo ditë, dhe duhet të jemi të kujdesshëm ndaj tij, sepse shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa edhe shëndeti fizik. Edhe sëmundjet që na paraqiten në shëndetin mendor janë po aq reale sa edhe ato në shëndetin fizik. Duhet të kemi shumë kujdes edhe me veten po ashtu edhe ndaj të tjerëve kur flasim për këtë pjesë. Shëndeti mendor përshkruan mirëqenien emocionale, psikologjike dhe shoqërore të dikujt. Andaj edhe flet shumë për ne se si sillemi, si ushqehemi, sa aktiv jemi në aktivitete fizike pasi aktiviteti fizik luan rol kyç edhe në shëndetin mendor.

Shoqëria mbarë globale vuan sot nga sëmundje të shumta, disa ende nuk u dihen shkaqet se si vijnë dhe çfarë ndikon, deri te sjellja e tyre, duke u nisur nga ato në aspektin fizik ashtu edhe në atë shëndetësor, duke lënë edhe shumë dilema në gjetjen e diagnozës së tyre.

Kemi shumë faktorë që ndikojnë në çrregullimin e shëndetit mendor. Kur kemi parasysh jetën dinamike të ngarkuar, oraret e gjata në punë, ushqimet e shpejta, mungesa e aktivitetit fizik, përdorimi i substancave të ndryshme, si dhe mungesa e kohës që ndajmë për veten, duke mos lexuar, mos qetësimi i mendjes e me radhë sjell në vete edhe kriza të tilla.

Disa nga këta faktorë janë dhe mbeten probleme esenciale sepse të gjitha nga pak sjellin edhe një grumbullim çrregullimesh mendore dhe fizike.

Të jesh mirë me shëndetin mendor ka rëndësi të jashtëzakonshme edhe për shëndetin tonë fizik, por edhe në raport me të tjerët. Disa nga hapat që na ndihmojnë në shëndetin tonë mendor :

Jeni më pozitiv

Përmirësoni shëndetin fizik

Krijoni raporte të mira shoqërore

Ndihuni më të lumtur dhe të përmbushur

Flini më shumë, hani shëndetshëm

Krijoni sfida të reja dhe zgjidhini më lehtë ato.

E dimë se është e vështirë gjithmonë të mundohemi të jemi pozitivë, sidomos kur kemi raste të ndryshme familjare: si humbjen e personave më të dashur ose kur kemi përballje me sëmundje të ndryshme fizike, humbjen e vendeve të punës, ndryshimin e vendbanimit, problemet ekonomike, por, shëndeti mendor luan rol tejet të rëndësishëm dhe pozitiv krahas këtyre se si ne sillemi në situata të tilla dhe karshi luftimit të zgjidhjes së sfidave jetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat