Shkencëtarët zbulojnë se si lidhet sindroma e zemrës së thyer me vdekjen e parakohshme

Shëndetësia

Shkencëtarët zbulojnë se si lidhet sindroma e zemrës së thyer me vdekjen e parakohshme

Më: 27 qershor 2021 Në ora: 17:03
Foto ilustrim

Shkencëtarët kanë zbuluar se situatat stresuese rrisin nivelet e dy molekulave në qelizat e zemrës që luajnë një rol kryesor në zhvillimin e kardiomiopatisë takotsubo ose “sindromës së zemrës së thyer”.

Çfarë kanë gjetur shkencëtarët

Zbulimi, nga Imperial College London, hap rrugën për mundësi të reja trajtimi që mund të parandalojnë vdekjet në të ardhmen. Sindroma e zemrës së thyer ndodh kur muskuli i zemrës dobësohet papritmas dhe pjesa e majtë e zemrës ndryshon formë.

Shkencëtarët kanë pyetur me vite se cilët janë faktorët biologjikë që shkaktojnë sindromën e zemrës së thyer. Por tani, ata e lidhin atë me mikroRNA -16 dhe -26a, që rregullojnë mënyrën se si gjenet kodifikohen dhe aktivizohen gjatë stresit.

Këto molekula shoqërohen me depresion dhe ankth , duke rezultuar se shqetësimet afatgjata të ndjekura nga një situatë stresuese mund të shkaktojë sindromën.

Studimi u botua në revistën Cardiovaskular Research.

Simptomat e kësaj sindrome shpesh ngjasojnë me ato të një ataku në zemër dhe shkaktojnë dhimbje gjoksi, gulçim deri te ndalja e zemrës. Kjo gjendje, e diagnostikuar për herë të parë në Japoni në 1990, prek një përqindje relativisht të vogël të njerëzve, veçanërisht gratë në menopauzë.

Autori kryesor i studimit, Profesor Sean Harding i Imperial College London, tha: “Sindroma Takotsubo ose sindroma e zemrës së thyer është një gjendje e rëndë, por deri më tani mënyra se si shfaqet mbetet mister. Ne nuk e kuptojmë pse disa njerëz përgjigjen në këtë mënyrë një goditjeje të papritur emocionale, ndërsa shumë të tjerë jo. Studimi konfirmon që ky lloj stresi (mërzitja kur lëndohemi nga dikush) dhe mikroRNA, mund të predispozojnë një person të zhvillojë sindromën takotsubo. Stresi vjen në shumë forma dhe ne kemi nevojë për kërkime të mëtejshme për të kuptuar këto procese kronike të stresit.

Profesori Metin Avkiran, zëvendës drejtor mjekësor në British Heart Foundation tha: “Sindroma Takotsubo është një problem i papritur dhe potencialisht fatal për zemrën, por njohuria jonë për atë që e shkakton mbetet e kufizuar. Prandaj, është jetike të mësojmë më shumë rreth kësaj gjendje të lënë pas dore dhe të zhvillojmë mënyra të reja për ta parandaluar dhe trajtuar atë. Ky hulumtim nuk është vetëm një hap kritik drejt një kuptimi më të mirë të kësaj sëmundjeje misterioze, por gjithashtu mund të sigurojë mënyra të reja për të identifikuar dhe trajtuar ata që rrezikojnë të zhvillojnë sindromën takotsubo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat