Goditja nga dielli dhe goditja nga nxehtësia mund të shkaktojnë pasoja fatale, kini kujdes gjatë ekspozimit në diell!

Shëndetësia

Goditja nga dielli dhe goditja nga nxehtësia mund të shkaktojnë pasoja fatale, kini kujdes gjatë ekspozimit në diell!

Më: 18 korrik 2021 Në ora: 22:14
Ilustrim

Mezi e presim verën për të shkuar në det, mal, liqen ose thjesht kalojmë më shumë kohë jashtë shtëpisë. Por duke argëtuar gjatë verës, duhet të dimë se moti i nxehtë mund të shkaktojë pasoja të rënda mbi shëndetin tonë dhe të shkaktojë goditje nga dielli ose nga nxehtësia. Këto janë dy gjendje të ndryshme që ndonjëherë mund të jenë një kërcënim ndaj jetës sonë.

Qëndrimi në diell për një kohë të gjatë mund ta shkaktojë goditjen nga dielli

Dr. Marija Gashoska, neurologe, shpjegon se goditja nga dielli është një gjendje që krijohet pas qëndrimit të gjatë (disa orësh) dhe ekspozimit të drejtpërdrejtë të kokës në rrezet ntensive të diellit. Mekanizmi i dëmtimit është përmes mbinxehjes, vazodilatimit (dilatimit të enëve të gjakut) dhe dëmtimit termik të indeve të trurit. Goditjen nga dielli mund ta merrni gjatë verës, duke marrë me sporte ose duke punuar në vende të hapura (ndërtimtari, bujqësi) ose gjatë ekspozimit të gjatë në diell në det të hapur, zakonisht mes orës 11 dhe 16. Personat e moshuar dhe fëmijët bëjnë pjesë në grupin më të rrezikuar, personat me flokët më holla ose tullac,persona që gjatë ekspozimit në diell merren me më shumë aktivitet fizik ose janë të dehidratuar, persona që në momentin janë nën ndikimin e alkoolit ose persona që janë të lodhur për shkak të sëmundjes ekzistuese.

Nga simptomat e lehta deri në rezultate fatale, reagoni në kohë

Simptomat e goditjes nga dielli janë lodha dhe marramendjet, kokëdhimbja, shkuqja në lëkurë, rrahje të përshpejtuara të zemrës (takikardi), zhurma në veshët (tinitus), ethe, nauzea dhe të vjellat që nuk japin ndjenin e lehtësimit. Simptoma të mëvonshme por alarmante që mund të shfaqen janë halucinacionet, ngurtësimi në qafë, ngërçet, humbja e vetëdijes dhe koma. Në këtë rast duhet të kërkoni ndihmë urgjente mjekësore, pasi rezultati përfundimtar mund të jetë vdekja. Nëse ndonjë person afër jush ka goditje nga dielli, duhet ta çoni në një dhomë më të freskët dhe më të errët dhe ta vendosni në pozitë të shtrirë dhe ta ftohni – mjafton që ta spërkateni me ujë në temperaturën e dhomës. Rekomandohet gjithashtu t’i jepni ujë në të cilin do të shtoni pak kripë. Nëse gjendja nuk stabilizohet shpejt, kërkoni ndihmë profesionale.

Goditja nga nxehtësia ndodhet papritmas, ndërsa temperatura e trupit arrin shkallën mbi 40 gradë

Goditja nga nxehtësia është një gjendje akute, e cila ndodhet papritmas dhe pa paralajmërim për shkak të termorregullimit të çrregulluar në trup. Për dallim nga goditja nga dielli, nuk ka nevojë të jeni jashtë dhe të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj diellit, por nëse për një kohë të gjatë të keni aktivitete në kushte të nxehta dhe të lagështa në vende të hapura ose të mbyllura. Temperatura e trupit arrin deri mbi 40 gradë dhe mund të shkaktojë shok. Mekanizmi i dëmtimit është pikërisht përmes çrregullimit të termorregullimit të brendshëm d.m.th organizmi nuk mund ta mbajë temperaturën normale të trupit në përgjigje të rritjes së shpejtë dhe të tepruar të temperaturës. Personat që punojnë në kushte shumë të nxehta (furra, shoferë, persona në fabrika për shkrirje), fëmijët, atletët që stërviten për një kohë të gjatë në vedn të hapur janë të ekspozuar ndaj temperaturave më të larta dhe janë më të rrezikuar nga goditja nga nxehtësia. Simptomat e goditjes nga nxehtësia janë të ngjashme me ato të goditjes nga dielli – marramendje, me lëkurë të kuqe, të thatë ose të djersitur, kokëdhimbje, ethe, rrahje të përshpejtuara të zemrës (takikardi), frymëmarrje të shpejtë (takipne), lodhje, nauzea dhe të vjellat që nuk japin ndjenin e lehtësimit. Simptomat që japin prognozën e keqe dhe kërkojnë urgjencë mjekësore janë ngërçet, ndryshimet në nivelin e vetëdijes (koma) ose përmbajtja e vetëdijes (halucinacionet, agjitacionet, konfuzionet).

Ftohja e trupit është ndihma e parë, nuk lejohet tush me ujë të ftohtë

Do t’i ndihmojmë personit me goditje nga nxehtësia nëse e transferojmë në një dhomë të errët dhe të ftohtë ose nën hijen dhe e ftohim me fasha të ftohta nëpër trup (ballin, qafën, kyçet e dorës dhe pjesën mbrapa gjunjëve), t’i japim ujë, jo alkool ose pije me sheqer. Nëse është e mundur, matni temperaturën e trupit derisa të arrijë ndihma mjekësore. Ne gjithmonë kërkojmë ndihmë profesionale nëse dyshojmë për goditje nga nxehtësia. Ne nuk guxojmë ta lajmë pacientin me ujë të ftohtë ose ta ulim shpejtë temperaturën e trupit. Nëse personi është pa vetëdije, ne nuk i japim pijë në gojë, ai thjesht kthehet anash. Edhe pas dhënies së ndihmës profesionale, pacientët gjatë orëve të ardhshme mund të kenë kokëdhimbje, ndjeshmëri ndaj dritës dhe tingujve, nervozizëm dhe shqetësim, dhe për këtë arsye kanë nevojë për pushim në kushte të këndshme.

Shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell dhe pini shumë lëngje si masë parandaluese

Parandalimi i goditjes nga dielli dhe goditjes në tru arrihet duke shmangur ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell në periudhën nga ora 11 në mëngjes deri ora 16, duke mbajtur kapele dhe syze dielli, krem për fytyrë dhe trup me faktor mbrojtës, rroba të lehta nga materiale natyrore, duke konsumuar ujë në sasi më të mëdha (gjithmonë mbani me vete një shishe me ujë), duke shmangur aktivitetin fizik (sport dhe punë) dhe shmangni pirjen e alkoolit. Me zbatimin e këtyre masave, pa brenga mund të shijoni verën dhe motin e ngrohtë deri në vjeshtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat