Studimi: Covid mund të ndikojë që disa njerëz të shëndetshëm të kenë diabet pas infektimit

Shëndetësia

Studimi: Covid mund të ndikojë që disa njerëz të shëndetshëm të kenë diabet pas infektimit

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 11:31
Foto ilustrim

Covid-19 mund të infektojë qelizat prodhuese të insulinës në pankreas dhe të ndryshojë funksionin e tyre, duke shpjeguar potencialisht pse disa njerëz të shëndetshëm më parë zhvillojnë diabet pasi infektohen me virusin.

Mjekët janë gjithnjë e më të shqetësuar për numrin në rritje të pacientëve që kanë zhvilluar diabet ose gjatë infektimit me koronavirus, ose menjëherë pasi janë shëruar.

Teori të ndryshme janë parashtruar për të shpjeguar pse ndodh. Njëra është se virusi infekton qelizat pankreatike nëpërmjet të njëjtit receptor ACE2 që gjendet në sipërfaqen e qelizave të mushkërive dhe ndërhyn në aftësinë e tyre për të prodhuar insulinë - një hormon që ndihmon trupin të rregullojë nivelet e glukozës në gjak; Ose, një përgjigje e tepërt e antitrupave ndaj virusit mund të dëmtojë aksidentalisht qelizat e pankreasit, ose inflamacioni diku tjetër në trup mund t'i bëjë indet më pak ndjeshëm ndaj insulinës.

Për të hetuar këtë rast, Profesoresha Shuibing Chen në Weill Cornell Medicine në New York shqyrtoi qeliza dhe organoide të ndryshme - grupe qelizash të rritura në laborator që imitojnë funksionin e organeve - për të identifikuar se cilat mund të infektohen nga Covid. Rezultatet sugjeruan që organoidet e mushkërive, zorrës së trashë, zemrës, mëlçisë dhe pankreasit mund të infektohen, ashtu si qelizat e trurit që prodhojnë dopamine.

Eksperimentet e mëtejshme zbuluan se qelizat beta që prodhojnë insulinë brenda pankreasit ishin gjithashtu të ndjeshme dhe se pasi infektoheshin, këto qeliza prodhonin më pak insulinë. Ende nuk është e qartë nëse ndryshimet e shkaktuara nga infeksioni i Covid janë afatgjata.

"Sidoqoftë, ne e dimë se te disa pacientë që kishin nivele shumë të paqëndrueshme të glukozës në gjak kur ishin në njësinë e kujdesit intensiv me Covid-19, disa prej tyre u shëruan duke sugjeruar se problemet me diabetin nuk janë të përhershme te të gjithë,” tha Chen.

Hulumtimet e fundit mund të nënkuptojë që njerëzit me diabet ekzistues ose prediabet janë në rrezik më të madh të mosfunksionimit të pankreasit nëse infektohen me Covid-19.

"Pacientët diabetikë në përgjithësi nuk janë më të ndjeshëm ndaj infeksionit Covid-19 përsa i përket frekuencës, por pasi infektohen ata zhvillojnë komplikime më të rënda dhe çrregullime të rënda metabolike," tha Prof. Francesco Dotta nga Universiteti i Sienës në Itali.

"Ky hulumtim thellon të kuptuarit tonë se si diabeti dhe Covid-19 mund të ndërveprojnë biologjikisht,” tha Dr. Lucy Chambers, drejtoreshë në Diabetes UK.

“Kjo do të ndihmojë në zhvillimin e mënyrave të reja, efektive për të trajtuar njerëzit në rrezik - ose ata që jetojnë me - diabet që kanë Covid-19. Bërja e vaksinës, përfshirë një përforcues kur është nevoja, mbetet forma më e mirë e mbrojtjes nga virusi.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat