Trajtimi i ri eksperimental që mund të përgjysmojë vdekjet nga infarktet

Shëndetësia

Trajtimi i ri eksperimental që mund të përgjysmojë vdekjet nga infarktet

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 23:08
Foto ilustrim

Kur ndodh një sulm në zemër, pjesa e zemrës së prekur nga infarkti vdes. Sa më e madhe të jetë kjo zonë, aq më shumë dëme mund të krijohen. Të arrish ta trajtosh herët, të rihapësh rrjedhjen e gjakut do të thotë të jesh në gjendje të kufizosh rreziqet, me një ndikim si në madhësinë e dëmtimit ashtu edhe në potencialin për shërim të mëvonshëm.

Por ekziston një realitet që aktualisht është i pakundërshtueshëm: qelizat e specializuara të muskujve të zemrës, miokardiocitet, dikur të vdekura nuk mund të zëvendësohen tek të rriturit, ndryshe nga ajo që ndodh në fetusi. Brenda mitrës, nëse fetusi pëson dëmtime të zemrës, problemi mund të korrigjohet falë kapacitetit të vetë-rigjenerimit të qelizave burimore. Por pas lindjes, miokardiocitet humbasin aftësinë e tyre për t’u rigjeneruar. Duke u nisur nga vëzhgimi i asaj që ndodh në jetën intrauterine, një grup studiuesish nga qendrat gjermane dhe kanadeze kanë propozuar një teknikë të re për t’i bërë qelizat e zemrës edhe një herë “fëmijë”.

Një studim i fundit që u botua në revistën “Science” tregon se trajtimi me qeliza burimore për zemrën ofroi rezultate inkurajuese te minjtë. Shkencëtarët kanë arritur të “përtërijnë” qelizat e muskujve të zemrës, duke i bërë ato të ngjashme me ato të fetusit, përmes përdorimit të faktorëve specifikë “Yamanaka c-Myc, Klf4, Sox2 dhe Oct4”, që rregullojnë funksionin e tyre me antibiotikun doksiciklinë. Në eksperiment, minjtë me qeliza të riprogramuara kishin përmirësim të funksionit kontraktues të zemrës. Ekspertët shkruajnë se duhen ende shumë studime të tjera, por kjo strategji në të ardhmen mund të përgjysmojë vdekjet nga ataku në zemër.

“Sigurisht që dëmtimi i zemrës është një patologji shumë komplekse, sepse në shumë raste diagnostikohet vonë dhe karakterizohet nga sëmundjet shoqëruese me pasojë nevojën për ndihmë të vazhdueshme për të mbajtur nën monitorim vazhdimisht zemrën,” shpjegon Maria Rosaria Di Somma, Drejtore e Shoqatës Italiane Scompensati.

Pasquale Perrone Filardi, president i Shoqërisë Italiane të Kardiologjisë ka shkruar se studime të tilla janë të rëndësishme për të krijuar mënyra të reja trajtimi për zemrën. Sipas tij është shumë e rëndësishme që njerëzit të ndërgjegjësohen për rrezikun që zemra paraqet dhe për kontrolle të vazhdueshme me mjekun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat