Ja kur është koha më e shëndetshme për të fjetur në mbrëmje

Shëndetësia

Ja kur është koha më e shëndetshme për të fjetur në mbrëmje

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 16:53
Ilustrim

Ndërsa lidhja midis gjumit dhe një zemre të shëndoshë është vërtetuar shumë qartë, studiuesit janë ende në kërkim të detajeve të kësaj lidhjeje. Tani një studim i ri sugjeron se mund të ketë edhe një kohë optimale brenda orës 24-orëshe të vetë trupit tonë, se kur duhet shkuar në shtrat për të fjetur.

Sigurisht, arsyet pse nuk arrijmë të flemë si duhet, pavarësisht nëse kjo është sasia më e mirë apo koha e duhur, nuk janë gjithmonë në dorën tonë. Por kushdo që ka probleme me gjumin duhet të kërkojë këshilla mjekësore, dhe të fokusohet në çdo gjë që duhet të bëjë që funksionon për ta.

Pra pasja e një orari të caktuar të gjumit mund të jetë kundër-produktive për disa. Por për ne të tjerët mund të jetë e dobishme ta dimë se të biesh në gjumë midis orës 22 dhe 23 të mbrëmjes, duket se është orari më i mirë për një sistem kardiovaskular të shëndetshëm. “Trupi ynë ka një orë të brendshme 24-orëshe, të quajtur ritëm cirkadian, që e ndihmon në rregullimin e funksionimit fizik dhe mendor. Ndërsa nuk mund ta gjejmë shkakun në studimin tonë, rezultatet tregojnë se gjumi i hershëm apo i vonë mund të ketë më shumë gjasa që ta ç’akordojë orën e trupit, dhe kjo sjell pasoja negative për shëndetin kardiovaskular”- thotë psikologu i Universitetit Eksteter, Dejvid Plans.

Duke analizuar të dhënat e orës elektronike të dorës nga 88.026 pjesëmarrës në studimin e Biobank në Britani, një ekip i udhëhequr nga Shahram Nikbakhtian nga kompania e kujdesit shëndetësor dixhital “Huma Therapeutics AI”, ishte në gjendje që të krahasonte kohën e gjumit gjatë një periudhe 7-ditore me rezultatet e mëvonshme shëndetësore.

Të dhënat përfshinin 3.172 raste me sëmundje kardiovaskulare, përgjatë thuajse 6 viteve të ndjekjes së pjesëmarrësve. Ekipi zbuloi se rënia në gjumë pas mesnatës ose para orës 22:00 ishte e lidhur me një rritje prej rreth 25 për qind të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, krahasuar me rënien në gjumë midis orës 22-23.

Kjo rritje e rrezikut binte në 12 për qind për ata që binin të flinin midis orës 23-24. “Koha më e rrezikshme ishte pas mesnatës, pasi mund të zvogëlojë gjasat për ta parë agimin e dritës në mëngjes, e cila e rivendos orën e trupit”- thotë Plans.

Kjo tendencë mbeti edhe kur u mor parasysh mosha, gjinia, kohëzgjatja e gjumit, të qenit njerëz që flenë herët apo vonë, statusi i pirjes ose jo të së duhanit, pesha, diabeti, tensioni i  gjakut, niveli i kolesterolit dhe statusi socio-ekonomik. Ajo ishte gjithashtu më e theksuar për gratë, por studiuesit nuk janë ende të sigurt mbi arsyen.

“Mund të ketë një ndryshim gjinor në mënyrën se si sistemi endokrin i përgjigjet një ndërprerjeje të ritmit cirkadian. Ose mosha më e madhe e pjesëmarrësve në studim, mund të jetë një faktor konfuz, pasi rreziku kardiovaskular i grave rritet pas menopauzës, gjë që do të thotë se mund të mos ketë ndonjë dallim thelbësor midis grave dhe burrave”- shton ai.

Ky lloj studimi nuk mundi të përcaktojë nëse koha e gjumit në vetvete kontribuon në sëmundjet e zemrës. Ndoshta mund të jenë sjellje të tjera ato që sjellin të qëndruarit zgjuar deri vonë, si qëndrimi jashtë duke pirë apo stresi, të cilat mund të shkaktojnë probleme.

Po ashtu studimi ishte i kufizuar në trajtimin e të gjitha moshave, gjendjes social-ekonomike dhe përkatësia etnike,ku dominonin kryesisht njerëz të bardhë dhe të pasur midis moshës 43-79 vjeç, ndaj nuk mund të jetë domosdoshmërisht i vlefshëm për komunitetet e tjera.

“Mospërputhja e zakoneve tona dhe e orës cirkadiane e rrit inflamacionin dhe mund të dëmtojë rregullimin e glukozës, që të dyja bashkë mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare”-theksoi Plans për “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat