A do të jetë Delta varianti i fundit i Covid-it apo diçka më e keqe pritet të ndodhë?

Shëndetësia

A do të jetë Delta varianti i fundit i Covid-it apo diçka më e keqe pritet të ndodhë?

Më: 21 nëntor 2021 Në ora: 13:35
Foto ilustrim

Që kur u zbulua për herë të parë në Indi në dhjetor të vitit 2020, varianti Delta i Sars-CoV-2 është bërë aq i përhapur sa do të ishte e lehtë të supozohej se evolucioni i shpejtë i virusit është zëvendësuar nga një gjendje qetësie. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 99.5% e të gjitha sekuencave gjenomike të Covid-19 të raportuara janë Delta. A është vërtet Delta fundi i Covid-19 apo diçka më keqe mund të ndodhë në të ardhmen?

Është një pyetje për të cilën askush nuk është plotësisht i sigurt për përgjigjen. Një mundësi është që pas kërcimeve në sekuencën e tij gjenetike, që shkaktoi fillimin e varianti Alpha, më pas Delta, Sars-CoV-2 tani do të ndryshojë ngadalë dhe në mënyrë të qëndrueshme, duke “u rrritur” përtej mundësisë së vaksinave aktuale për t’i luftuar. Ndonëse për disa shkencëtare ky është thjesht një spekulim, disa e perceptojnë si rezultatin më të mundshëm.

"Unë parashikoj që lloji i evolucionit që do të shohim është më shumë ajo që ne e quajmë zhvendosje antigjenike, ku virusi evoluon gradualisht për t'i shpëtuar sistemit imunitar," thotë (via Guardian) Francois Balloux, drejtor i Institutit të Gjenetikës UCL. “Për gripin dhe koronaviruset e tjera që ne i njohim mirë, duhen rreth 10 vjet që virusi të grumbullojë mjaftueshëm ndryshime që të mos njihet nga antitrupat në gjak.”

Por shfaqja e papritur e një lloji krejtësisht të ri, me transmetueshmëri, virulencë ose imuno-evazive ndryshon lojën. Ravi Gupta, profesor i mikrobiologjisë klinike në Universitetin e Cambridge-it, i referohet këtyre llojeve si "super variante" dhe thotë se është 80% e sigurt se një tjetër do të shfaqet. Pyetja është se kur.

"Ne kemi një pandemi Delta për momentin," thotë Gupta. “Ky variant i ri i Delta Plus është relativisht i dobët në krahasim me atë për të cilën po flas. Ka dy mutacione nga lloji Delta, nuk mendoj se janë aq shqetësues dhe nuk janë përhapur shumë në vende të tjera. Por është e pashmangshme, që do të ketë një variant tjetër të rëndësishëm në dy vitet e ardhshme dhe do të konkurrojë me Deltën dhe mund ta kalojë Deltën.”

A do të shohim një super variant?

Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, epidemiologët filluan të vëzhgojnë shenja të një fenomeni shqetësues të njohur si rikombinimi viral, në të cilin versione të ndryshme të Sars-CoV-2 shkëmbyen mutacione dhe u kombinuan për të formuar një lloj krejtësisht të ri.

Fatmirësisht, Gupta thotë se rikombinimi nuk duket të jetë aq i zakonshëm, por mbetet një burim i mundshëm i një super varianti të ri, veçanërisht në pjesë të botës ku pjesë e konsiderueshme të popullsisë mbetet e pavaksinuar dhe shtamet virale mund të qarkullojnë lirshëm.

Mendohet gjithashtu që teksa variantet e fundit janë versione të Deltës, virusi ka potencial të madh për të evoluar në të ardhmen.

Javët e fundit, janë shfaqur shqetësime se përdorimi i pilulave të reja antivirale mund të kontribuojë duke inkurajuar në mënyrë aktive Sars-CoV-2 të evoluojë. Molnupiravir funksionon duke ndërhyrë në aftësinë e virusit për t'u riprodhuar, duke e mbushur gjenomin e tij me mutacione derisa të mos mund të riprodhohet më. Disa virologë kanë argumentuar se nëse ndonjë prej këtyre mutantëve viralë mbijeton dhe përhapet te të tjerët, teorikisht mund të nxisë rritjen e varianteve të reja. Të tjerë pranojnë se megjithëse kjo ia vlen të monitorohet, nuk është mjaftueshëme shqetësuese sa t'u mohohet pacientëve të sëmurë rëndë një ilaç që mund të shpëtojë jetë.

Gupta thotë se një problem më i madh dhe që ka më shumë gjasa të çojë në një super variant, është shkalla e vazhdueshme e lartë e infeksionit në vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, për shkak të aftësisë së variantit Delta për t’u transmetuar midis individëve të vaksinuar.

Epidemiologët tani po përpiqen të modelojnë se si mund të duket një super variant i ri. Deri më tani, transformimet kryesore në virus kanë ndihmuar në rritjen e transmetueshmërisë së tij. Një nga arsyet pse varianti Delta pati një ndikim të tillë është sepse ai rritet jashtëzakonisht shpejt brenda qelizave njerëzore, përpara se sistemi imunitar të fillojë me shpejtësi. Si rezultat, njerëzit e infektuar me Delta mbajnë afërsisht 1200 herë më shumë grimca virale në hundët e tyre në krahasim me shtamin origjinal Sars-CoV-2 dhe zhvillojnë simptoma dy deri në tre ditë më shpejt.

Edhe pse kjo mund të tingëllojë paksa e frikshme, nuk janë të gjitha lajmet e këqija. Për shkak se vaksinat Covid-19 janë krijuar duke pasur parasysh evolucionin viral, epidemiologët nuk presin që ndonjë super variant i ri t'i bëjë ato plotësisht të padobishme dhe kështu do të ishte jashtëzakonisht e pamundur të çojë në shpërthime të mëdha serioze, si këto të dy viteve të fundit.

Por epidemiologët besojnë gjithashtu se mbështetja vetëm te vaksinat nuk mjafton; duhet të ketë ende disa kufizime për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të zvogëluar numrin e mundësive të virusit për të ndryshuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat