Ja çfarë e shkakton sëmundjen e Alzheimerit

Shëndetësia

Ja çfarë e shkakton sëmundjen e Alzheimerit

Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 08:15
Ilustrim

Sëmundja e Alzheimerit, është forma më e zakonshme e demencës, dhe diagnozat me këtësëmundje vazhdojnë që të shtohen nga viti në vit. Kërkimet e reja, mund të kenë zbuluar më në fund katalizatorin e vërtetë të kësaj gjendjeje shkatërruese të shëndetit të njeriut.

Shumica e shkencëtarëve, bien dakord se Alzheimer zhvillohet për shkak të grumbullimit jonormal të pllakave amiloide në tru.

Megjithatë, sipas studiuesve nga Universiteti i Kalifornisë-Riversajd (UCR), nuk është vetëm prania e asaj pllake që e shkakton Alzheimerin, por edhe ngadalësimi i aftësisë së qelizave për t’u pastruar.

Përveç simptomave të demencës, mjekët diagnostikojnë praninë e Alzheimerit vetëm nëse marrin parasysh 2 zhvillime të dallueshme të trurit:praninë e pllakave amiloide, dhe tënjë “lëmshi” neurofibrilar. Pllakat janë në fakt një grumbullim i peptideve amiloide, ndërsa “lëmshi” përbëhet thuajse tërësisht nga një proteinë e njohur si tau.

“Afro 20 për qind e njerëzve kanë pllaka amiloide, por s’kanë shenja të demencës. Kjo e bën të duket sikur shkaku i sëmundjes nuk janë pllakat në vetvete”– thotë profesori i kimisë në UCR, Rajan Xhulian. Ekipi i studiuesve, shqyrtoi intensivisht proteinën tau, me shpresën se do të kuptonte më mirë marrëdhënien midis pllakave dhe “lëmshit” neurofibrilar.

Ky proces çoi në zbulimin e një “ndryshimi kyç, por shumë të vështirë për t’u zbuluar në formën e proteinës tau”, gjë që mund të shpjegojë arsyen, pse disa njerëz me një akumulim të proteinave tau, zhvillojnë simptomat e Alzheimerit, ndërsa të tjerët jo.

Pjesa më e madhe e studimit u fokusua tek format e ndryshme që mund të marrë një molekulë e vetme, të njohura si izomere. “Një izomer është e njëjta molekulë me një orientim tredimensional të ndryshëm nga origjinali. Një shembull i zakonshëm janë duart. Duart janë izomerë të njëra-tjetrës, pasqyrojnë imazhe, por jo kopje të sakta”- thotë Xhulian.

Aminoacidet që përbëjnë një proteinë, mund të jenë izomerë të dorës së djathtë ose të majtë. Në shumicën e rasteve, proteinat që gjenden tek qeniet e gjalla, përbëhen nga të gjitha aminoacidet e dorës së majtë. Pra, autorët e studimit skanuan të gjitha proteinat brenda një kampioni mostrash të trurit.

Mostrat që treguan grumbullim të proteinës tau, por pa simptoma të demencës, shfaqën tau “normale”. Anasjelltas, mostrat e mbledhura nga njerëz me grumbullim të tyre por edhe me simptomat përkatëse, treguan një formë të ndryshme të tau–t.

Shumica e proteinave që ndodhen në trupin e njeriut, kanë një gjysmë jetë prej 48 orësh. Megjithatë, nëse një proteinë jeton mjaftueshëm, aminoacide të caktuara dihet se ndryshojnë në izomerin e dorës tjetër.

“Nëse përpiqeni të vendosni dorezën e dorës së djathtë në dorën tuaj të majtë, ajo nuk rri shumë mirë. I njëjti problem ekziston në biologji. Pas një fare kohe molekulat nuk funksionojnë ashtu siç supozohet, pasi një dorezë e majtë mund të shndërrohet në një dorezë të dorës së djathtë që nuk përshtatet”– shton profesor Xhulian.

Procesi zhdukjes së proteinave të përdorura apo të dëmtuara nga qelizat quhet autofagi. Shkencëtarët kanë zbuluar se autofagia, ka tendencën të ngadalësohet natyrshëm me ardhjen e pleqërisë, por ekipi i Xhulian ka planifikuar që ta hulumtojë më thellësisht këtë çështje.

Në përgjithësi, studimi ofron një argument bindës se proceset e pamjaftueshme të autofagisë,mund të jenë fajtorë për sëmundjen e Alzheimerit.

Nëse konfirmohet, kjo do të thotë se strategjitë që promovojnë një autofagi më të fortë, do të ndihmojnë gjithashtu në parandalimin e demencës. Si agjërimi ashtu edhe stërvitja fizike,duket se ndihmojnë në rritjen e autofagisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat