Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë, kërkohet të luftohet stigma

Shëndetësia

Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë, kërkohet të luftohet stigma

Më: 14 shkurt 2022 Në ora: 12:12
Pamje nga takimi

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Epilepsisë e cila u organizua nga Klinika e Neurologjisë dhe Shoqata Kundër Epilepsisë u kërkua që të luftohet sa më shumë stigma me të cilët ballafaqohen pacientët e prekur nga kjo sëmundje. Ndërsa, u bë e ditur se në Kosovë 6 persona në 1 mijë banorë kanë incidencë për të qenë raste të reja me epilepsinë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh se stigma se dikush e ka epilepsinë, e cila vazhdon të jetë prezente ende në shoqërinë tonë, duhet të luftohet që të mos jetë mes nesh.

Derisa ofroi mbështetjen e tij si ministër i Shëndetësisë, Latifi u shpreh se në shëndetësinë kosovare për trajtim të epilepsisë duhet të nisin edhe trajtimin në aspektin kirurgjik të rasteve të rënda të epilepsisë.

Ai siguroi që do të punojë që lista esenciale për këta pacientë të mos mungojë.

Latifi: Duhet ta luftojmë stigmën me të cilët ballafaqohen pacientët me epilepsi

“Stigma se dikush e ka epilepsinë vazhdon të jetë edhe sot, nëse kurrgjë nuk bëjmë tjetër ne mjekët, Fakulteti i Mjekësisë, Shoqata e Neurologëve, MSh, të paktën ta luftojmë stigmën sepse ajo nuk ka vend mes nesh, kurrë nuk duhet me qenë ashtu. Kjo pasi është një nga sëmundjet më të shpeshta neurologjike, karakteristikat e saj paraqesin problem serioz, social dhe atakon çdo moshë, ju më shumë se të tjerët e dini këtë se keni pacientë, keni familjet e tyre dhe pasojat e tyre. Në kushtet e sotme në listën esenciale të barnave ka ilaçe për epilepsi por ne si ministri edhe unë si ministër do të bëjë krejt çka mund të bëjë të mos mungojnë kurrë për sëmundjet tona. Mbështetja ime ka me qenë gjithmonë e fuqishme me krejt çka unë mund të bëjë do të bëjë... Ne duhet të merremi me zhvillimet e fundit të epilepsisë të menaxhimit të epilepsisë duke futur këtu edhe kirurgjinë në rastet më të rënda të epilepsisë. Unë jam shumë i interesuar që sa më shpejt të fillojmë edhe me këto operacione që janë shumë të nevojshme”, tha minsitri Latifi.

Thirrje që të mbështetën sa më shumë pacientët e prekur nga epilepsia bëri edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (QKUK), Valbon Krasniqi.

Krasniqi ofroi mbështetje për profesionistët shëndetësor dhe të gjitha projektet që ndihmojnë në trajtimin e kësaj sëmundje.

Krasniqi: Mesazhi im është që t’i mbështesim të gjithë pacientët me epilepsinë, përkrahjen do e keni edhe nga ShSKUK

“Pandemia COVID mbase do të kalojë një ditë, mbase shumë shpejt, jemi optimistë dhe nuk do të kemi nevojë të mbajmë karrige të larguara nga njëri-tjetri as distancën, por distancën duhet ta shkurtojmë dhe të mos kemi asnjë distancë me pacientët e sëmurë nga epilepsia. Stigmatizimi ndaj kësaj kategorie mbase edhe ndaj sëmundjeve të tjera në shoqërinë tonë nuk kanë vend dhe nuk duhet zënë vend asnjëherë. Nuk jam profesionist i fushës për të folur për nevojën e diagnostikimit të hershëm për nevojën e trajtimit profesional të kësaj sëmundje sepse ju jeni ata që e bëni dhe e dini më së miri, por dua të përçoj mesazhin dhe tu bëjë thirrje të gjithë familjarëve, shoqërisë të gjitha institucioneve që në mesin e tyre kanë apo hasin persona me sëmundje të tilla t’ua zgjasin dorën, t’i mbështesin dhe t’i përkrahin, vetëm në këtë mënyrë ne mund ta kryejmë misionin tonë. Ju siguroj që do të keni dhe do të vazhdoni ta keni edhe më tutje përkrahjen e menaxhmentit të ShSKUK-së në punën e juaj profesionale”, tha ai.

Valbona Govori nga Shoqata Kundër Epilepsisë u shpreh se bazuar në të dhënat e OBSh-së në Kosovë 6 persona në 1 mijë banorë kanë incidencë për tu prekur nga epilepsia, ndërsa 67 persona në 100 mijë banorë është prevalenca.

Govori u shpreh se këta pacientë ballafaqohen me shumë telashe, prandaj kërkoi nga ministria e Shëndetësisë ta ketë prioritet trajtimin e këtyre pacientëve.

Ajo tha se përmes shënimit të kësaj dite synohet që të njoftohen qytetarët se kjo sëmundje është me diagnostikim të hershëm dhe përmes trajtimit korrekt mund të kontrollohet.

Govori: 6 persona në 1 mijë banorë kanë incidencë për tu prekur nga epilepsia

“Bazuar në të dhënat në OBSh-së pasi ne edhe më tej nuk e kemi Shërbimin Informativ për një shifër të saktë, sipas të dhënave mund të themi kemi 6 persona në 1 mijë banorë domethënë është incidenca, ndërsa 67 në 100 mijë banorë është prevalenca, pra edhe njëherë ky shënim i kësaj dite ka për qëllim që t’i njoftojmë njerëzit, kjo është një objektivë e jona që t’i njoftojmë pacientët dhe njerëzit që kjo sëmundje mund të trajtohet, mund të kontrollohet fal tretmanit korrekt, diagnostikimit të hershëm korrekt, tretmanit medikamentoz dhe kështu t’i bindim ata që kanë mundësi të kenë një jetë kualitative, qëllimi është që ata të mos stigmatizohen edhe nga rrethi i cili bënë që këta të sëmurë ta fshehin edhe sëmundjen. Objektiva e shoqatës është shpërndarja e njohurive për epilepsinë, pastaj është promovimi i trajnimeve dhe edukimeve, edhe sidomos kemi pikë të veçantë kujdesin ndaj të sëmurëve dhe po mendoj rritja e nivelit të cilësisë përmes prevalancës dhe diagnostikimit dhe trajtimit. Sëmundja e epilepsisë mbetet një sëmundje e fshehur dhe e stigamitizuar”, tha ajo.

Neuropsikiatri, Afrim Blyta ka treguar disa nga projektet të cilat pritet të nisin gjatë këtij viti e të cilat do të ndikojnë në trajtim më të mirë për pacientët që vuajnë nga epilepsia.

Sipas tij shumë shpejt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të nisin shërbimet e trombolizës.

Blyta: Shumë shpejt në QKUK do të fillojë e ashtuquajtura tromboliza

“Një projekt jashtëzakonisht i madh dhe i rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve shëndetësore të neurologjisë është projekti trajtimi i sëmundjeve servo-vaskulare gjegjësisht ksilofonore dhe shumë shpejt në QKUK do të filloj e ashtu quajtura tromboliza dhe në momentit kur një gjë e tillë do të realizohet po besoj që shërbimet shëndetësore të neurologjisë në Kosovë do të jenë të barabarta me shërbimet e ngjashme në nivelin evropian... Një projekt të cilin e kemi planifikuar për ditët e ardhshme brenda vitit ajo është brenda një trajnim i madh kombëtar lidhur me epileptologjinë dhe ideja është me standardizuar interpretimin e elektroensofalografisë si një instrument shumë i rëndësishëm në trajtimin e epilepsisë në përditshmërinë tonë në shërbimet neurologjike dhe kjo besoj do të realizohet kah fundi i këtij viti”, tha ai.

Epilepsia është një sëmundje kronike që karakterizohet nga atake të përsëritura. Ataket shkaktohen nga ndryshime në funksionimin e trurit si pasojë e shkarkimeve elektrike jo normale ose të tepruara nga qelizat e trurit. Janë disa lloje atakesh epileptike, lloje të ndryshime sindromash epileptike dhe shkaqe të ndryshme të epilepsisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat