Vaksina anticovid/ Ja si ndikon në ciklin menstrual!

Shëndetësia

Vaksina anticovid/ Ja si ndikon në ciklin menstrual!

Më: 10 mars 2022 Në ora: 22:54
Ilustrim

Në Angli, 36,000 gra kanë raportuar një ndryshim të ciklit menstrual, pas vaksinimit kundër Covid-19, duke përfshirë një vonesë të lehtë të menstruacioneve, një rritje të kohëzgjatjes ose rrjedhës. Një editorial në British Medical Journal bën një pasqyrë të temës, duke analizuar të dhënat e grumbulluara deri më tani.
Autorja e tekstit, Victoria Male, pedagoge e mjekësisë riprodhuese në Imperial College London, shpjegon se këto janë ndryshime jetëshkurtra dhe mjaft të vogla në krahasim me variacionet e zakonshme që përjetojnë grate.

Për më tepër, nuk ka asnjë ndikim në lidhje me fertilitetin. Autorja shqyrton dy studime statistikore, një të kryer në Shtetet e Bashkuara dhe një në Norvegji. Sondazhi në SHBA, i publikuar në revistën Obstetrics & Ginecology, bazohet në përdorimin e një aplikacioni dhe përfshin pothuajse 4 mijë gra, të moshës nga 18 deri në 45 vjeç, me cikle normale.

Prej tyre, më shumë se gjysma ishin të vaksinuar. Pjesëmarrësit u monitoruan gjatë një periudhe që përfshinte 6 cikle menstruale, duke përfshirë 3 para vaksinimit dhe 3 të tjera pas vaksinimit.

Studimi arrin në përfundimin se vaksinimi shoqërohet me një variacion të vogël, mesatarisht më pak se një ditë vonesë në menstruacione. Ndër pjesëmarrëset, ndryshimet më të mëdha ndodhën në një nënkategori prej 358 grave që morën dozën e parë dhe të dytë brenda të njëjtit cikël.

Në këtë nënkategori vonesa ishte mesatarisht 2 ditë dhe brenda grupit rreth 10% e këtyre grave kishin një kohëzgjatje menstruacioni pas vaksinimit prej 8 ditësh. Në çdo rast, ndryshimet kthehen dhe zhduken brenda 2 cikleve të ardhshme.

Studimi norvegjez,i cili ende nuk është botuar, me afro 6000 gra, tregon se efekti më i shpeshtë i lidhur me vaksinimin, ishte një rrjedhje më e madhe, gjithsesi një problem që u zhduk brenda 2 ose 3 muajve. Ky studim është më qetësues pasi tregon se pothuajse 40% e pjesëmarrësve thanë se kishin të paktën një nga këto fenomene edhe në ciklet para dozës së parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat