Nga ndryshimet në gjoks… tek nepsi, këto janë 7 shenjat që tregojnë se jeni shtatzënë

Shëndetësia

Nga ndryshimet në gjoks… tek nepsi, këto janë 7 shenjat që tregojnë se jeni shtatzënë

Më: 12 mars 2022 Në ora: 09:41
Foto ilustrim

Vonesa e menstruacioneve dhe sëmundja e mëngjesit (të përzierat dhe të vjellat që shfaqen gjatë fazave të hershme të shtatzënisë) janë shenjat ndaj të cilave shumica e grave janë tepër vigjilente. Por ka edhe disa simptoma të tjera që tregojnë se mund të jeni shtatzënë, si p.sh: të mos keni më dëshirë për të pirë kafe ose çaj. Çdo shtatzëni është e ndryshme dhe jo të gjithë do të shfaqin të njëjtat simptoma, madje disa nuk i vënë re fare.

Shenja e parë dhe më e besueshme e shtatzënisë është vonesa e menstruacioneve, por kjo nuk vlen për femrat që kanë një cikël të çrregullt, që shkaktohet nga stresi dhe shtimi ose humbja e peshës etj.

Humbja e interesit për ushqime dhe pije që i keni konsumuar më parë

Papritur ju nuk dëshironi më të konsumoni ushqime apo pije që më parë kanë qenë të preferuarat tuaja. Ndërsa keni neps për turshi, akullore, lëngje frutash apo kombinime të çuditshme ushqimesh. Gjithashtu mund të keni një shije metalike në gojë, ose mund të mos keni dëshirë për cigare, nëse e keni pirë më parë.

Gjakderdhje

Zakonisht e lidhim shtatzënisë me mungesën e menstruacioneve. Por në javët e para të shtatzënisë femrat mund te kenë gjakderdhje, të ngjashme me menstruacionet, por në sasi më të vogla. Sasia e vogël e gjakut është për shkak të gjakderdhjes së implantimit që ndodh kur veza ngjitet në mitër. Kjo ndodh rreth 6 deri në 14 ditë pas fekondimit të një veze.

Ndjeni lodhje

Ka dhjetëra arsye pse mund të ndiheni më të lodhur se zakonisht. Por kjo mund të jetë edhe shenjë e shtatzënisë. Lodhja gjatë shtatzënisë i atribuohet presionit të gjakut më të ulët se zakonisht dhe niveleve më të ulëta të sheqerit në gjak, si dhe rritjes së prodhimit të një hormoni të quajtur progesteron”. Simptoma zakonisht qëndron vetëm në tremujorin e parë të shtatzënisë (12 javët e para). Mjekët rekomandojnë ushqime të pasura me hekur dhe proteina për të luftuar lodhjen, si dhe marrjen e suplementeve.

Kapsllëk dhe urinim i shpeshtë

Trupi juaj rrit sasinë e gjakut që prodhon gjatë shtatzënisë, duke bërë që veshkat tuaja të prodhojnë më shumë lëngje. Ju mund të keni nevojë të urinoni më shumë se zakonisht, veçanërisht gjatë natës. Rritja e hormonit progesteron, i cili relakson muskujt dhe nga ana tjetër e ngadalëson tretjen, shkakton kapsllëk.

Jeni e ndjeshme dhe qani pa arsye

Trupi përjeton ndryshime drastike në hormone në fillim të shtatzënisë, duke bërë që papritur të “pushtohesh” nga emocionet dhe qani shpesh, veçanërisht në tremujorin e parë. Gjithashtu keni ndryshime të papritura të humorit. Mund të ndiheni nervoze, e shqetësuar ose thjesht e dëshpëruar, ndërsa trupi juaj përshtatet me hormonet e shtatzënisë, të cilat zakonisht lehtësohen me kalimin e kohës.

Ndiheni sëmurë, jo vetëm në mëngjes

Të përzierat dhe të vjellat në mëngjes janë një arsye e zakonshme pse gratë bëjnë test shtatzënie. Megjithatë nuk duhet neglizhuar kur sëmureni edhe pasdite. Koha, shpeshtësia dhe ashpërsia e të përzierave është e ndryshme për çdo grua. Të përzierat zakonisht fillojnë të shfaqen rreth një muaj pas shtatzënisë, por jo të gjitha gratë e përjetojnë atë.

Ndryshime në gjoks dhe thithka

Dhimbja e gjoksit është një nga shenjat e para të shtatzënisë për shkak të një sërë ndryshimesh hormonale. Por mund të keni ndryshime edhe në pamjen e gjoksit. Mund të keni ndjesi butësie ose ndjesi shpimi gjilpërash, si edhe errësim të thithkave, apo venat ju bëhen më të dukshme. Ndërsa trupi juaj fillon të përshtatet me shtatzëninë, këto simptoma duhet të fillojnë të zbehen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat