Hepatiti misterioz që ka vrarë të paktën një fëmijë: Çfarë duhet të dini për sëmundjen

Shëndetësia

Hepatiti misterioz që ka vrarë të paktën një fëmijë: Çfarë duhet të dini për sëmundjen

Më: 26 prill 2022 Në ora: 01:00
Foto ilustrim

Të paktën një fëmijë ka ndërruar jetë pasi u sëmur nga një lloj misterioz i hepatitit akut që ka infektuar fëmijët në 10 vende europiane, ka konfirmuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Që nga 21 prilli, ka pasur të paktën 169 raste me "origjinë të panjohur" në të gjithë botën, tha OBSH të shtunën.

"Rastet janë të moshës 1 muaj deri në 16 vjeç. 17 fëmijë (afërsisht 10%) kanë kryer transplant të mëlçisë; të paktën një vdekje është raportuar," tha OBSH të shtunën.

Hepatiti është inflamacion i mëlçisë, i cili është një organ jetik për përpunimin e lëndëve ushqyese, filtrimin e gjakut dhe luftimin e infeksioneve. OBSH tha se shkaku i infeksioneve ishte ende duke u hetuar, mirëpo vuri në dukje se një infeksion adenovirus që çonte në hepatit akut ishte një opsion i mundshëm në shqyrtim.

"Viruset e zakonshme që shkaktojnë hepatitin akut viral (viruset e hepatitit A, B, C, D dhe E) nuk janë zbuluar në asnjë nga këto raste," tha OBSH në një deklaratë, duke shtuar se adenovirusi ishte zbuluar në "të paktën në 74 raste”.

Ku janë zbuluar rastet? Më së shumti në Mbretërinë e Bashkuar. Raste të tjera janë zbuluar në Spanjë, Izrael, SHBA, Danimarkë, Irlandë, Holandë, Itali, Norvegji, Francë, Rumani dhe Belgjikë.

Çfarë janë Adenoviruset? Adenoviruset mund të shkaktojnë një sërë sëmundjesh të ndryshme, duke filluar nga ato të lehta në më të rëndat. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), njerëzit e infektuar me një adenovirus mund të shfaqin simptoma të ftohjes ose gripit, ethe ose dhimbje të fytit, si dhe sëmundje më të rënda si infeksionet akute të frymëmarrjes si bronkiti ose pneumonia. Ato gjithashtu mund të shkaktojnë gastroenterit, një inflamacion të stomakut ose zorrëve që mund të shkaktojë diarre, të vjella, të përziera dhe dhimbje stomaku.

Megjithatë, OBSH paralajmëroi se mundësia që infeksioni me adenovirus të qëndronte pas rasteve të hepatitit akut ishte vetëm një teori. Nëse vërtet adenovirusi është virusi përgjegjës, është potencialisht ngjitës.

Cilas janë simptomat e hepatitit akut?

- simptoma të ngjashme me gripin
- ethe
- përzierje, të vjella
- ulje e oreksit
- dhimbje ose parehati në bark
- diarre
- këputje trupi, përgjumje
- urinë në ngjyrë të errët
- verdhëz (zverdhje e lëkurës dhe syve)

Çfarë mund të bëni për ta parandaluar? Higjiena e mirë mund të ndihmojë në parandalimin e transmetimit të secilës sëmundje. Kjo përfshin larjen e duarve siç duhet, shmangien e kontaktit të ngushtë me njerëzit që janë të sëmurë, qëndrimin në shtëpi, dezinfektimin e sipërfaqeve dhe mbajtjen e duarve larg fytyrave dhe syve.

Sa të shqetësuar duhet të jeni? OBSH tha se duke pasur parasysh rritjen e rasteve muajin e kaluar dhe mbikëqyrjen e shtuar, kishte "shumë të ngjarë" të zbulohen më shumë raste. Megjithatë, ekspertët thonë se rreziku i hepatitit të rëndë te fëmijët e shëndetshëm mbetet i rrallë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat