Ky zakon rrit rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru

Shëndetësia

Ky zakon rrit rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru

Më: 17 korrik 2022 Në ora: 16:57
Foto ilustrim

Punonjësit e zyrës janë më të prirur ndaj goditjeve dhe sulmeve në zemër, sipas një studimi të sapo publikuar. Gjetjet e reja nuk janë veçanërisht befasuese për komunitetin shkencor, i cili ka paralajmëruar për dekada të tëra për rreziqet që sjell një mënyrë jetese e ulur, veçanërisht për organe specifike, siç është zemra.

Studimi i ri kinez, gjetjet e të cilit u botuan në JAMA Cardiology, analizoi të dhënat nga më shumë se 100,000 të rritur dhe zbuloi se njerëzit që rrinin ulur për tetë ose më shumë orë në ditë kishin 20 për qind më shumë gjasa të përjetonin një atak në zemër ose goditje në tru.

Këto gjetje japin sërish alarmin, veçanërisht për punonjësit e zyrës, të cilët punojnë për 8 orë ulur.Njerëzit me këtë zakon të përditshëm kanë gjithashtu 49% më shumë gjasa të zhvillojnë dështim të zemrës, krahasuar me ata që qëndrojnë ulur për 4 orë.

Sipas tyre, reduktimi i sasisë së kohës së kaluar ulur dhe rritja e aktivitetit fizik mund t’u sjellë dobi këtyre njerëzve po aq sa do të përfitonte dikë që të reduktonte duhanin. Akademia Kineze e Shkencave Mjekësore dhe Kolegji Mjekësor i Unionit të Pekinit ndoqën 105,677 të rritur për më shumë se një dekadë.

Pjesëmarrësit vinin nga 21 vende, kishin një moshë mesatare 50 vjeç dhe u pyetën se sa orë në ditë shpenzonin ulur në baza javore. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe të ndryshme bazuar në sa kohë pretendonin të kalonin ulur. Studiuesit më pas gjurmuan të dhënat e tyre shëndetësore për vitet e ardhshme.

Deri në fund, kishte pasur më shumë se 6,200 vdekje, 2,300 sulme në zemër, 3,000 goditje dhe 700 raste të dështimit të zemrës midis pjesëmarrësve – megjithëse jo të gjithë ishin fatale. Sipas studiuesve, ushtrimet fizike kontribuan në reduktimin e rreziqeve të shkaktuara nga një mënyrë jetese e ulur.

Në mënyrë të veçantë, pjesëmarrësit që ushtroheshin më shumë – rreth 12.5 orë në javë – kishin vetëm 17% rritje të rrezikut të vdekjes. Anasjelltas, ata që nuk ushtroheshin mjaftueshëm – rreth 2.5 orë në javë – kishin 50% më shumë rrezik të vdekjes për shkak të një stili jetese të ulur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat