Mjekja rrëfen: Çfarë nuk dija derisa u preka nga kanceri i lëkurës

Shëndetësia

Mjekja rrëfen: Çfarë nuk dija derisa u preka nga kanceri i lëkurës

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 23:55
Foto ilustrim

Si mjeke, jeta ime lidhet me kujdesin për pacientët e mi, duke i ndihmuar ata të jenë të shëndetshëm, duke i edukuar rreth sëmundjeve dhe duke u marrë me shenjat e shqetësimeve shëndetësore që duhen adresuar. Megjithatë, disa javë më parë, kuptova se kisha injoruar shenjat e problemit tim të madh shëndetësor.

Për habinë time, u diagnostikova me kancer në lëkurën e kokës. Diagnoza e kancerit të qelizave bazale dhe fakti që e kam injoruar për kaq shumë kohë, më kanë bërë vërtet të ndalem për të reflektuar mbi zakonet e mia shëndetësore dhe disa keqkuptime të zakonshme rreth kancerit të lëkurës.

Për më shumë se një vit, mendova se kisha një copë lëkure të parregullt pas veshit të majtë. Ajo ishte e mbuluar nga flokët, kështu që ishte e lehtë të injorohej. Mendova se ishte ekzema, të cilën e kam pasur prej shumë vitesh. Më në fund shkova te dermatologu, shumë më vonë se ç'duhej duke pasur parasysh të kaluarën time mjekësore, dhe bëra biopsi. Kancer i qelizave bazale. Një tjetër u gjet në qafën time menjëherë pas kësaj.

Isha e hutuar. Mendova se e kisha mbrojtur veten nga ekspozimi ndaj diellit me shumë kujdes. Unë kaloj shumicën e orëve brenda në spital dhe vendos krem kundër diellit çdo ditë. Nuk kam kohë për të bërë banjo dielli dhe në ato raste të rralla kur jam në diell për një kohë të gjatë, përpiqem të mbulohem.

Siç rezultoi, kanceri im i lëkurës ndoshta ka qenë duke u zhvilluar për dekada, rezultat i gjenetikës dhe i qëndrimit në diell shumë vite më parë. Dëmet nga rrezet UV të diellit janë të mëdha, duke rritur rrezikun e kancerit me kalimin e kohës. Vetëm pesë djegie me flluska nga dielli tek të rinjtë 15 deri në 20 vjeç mund të rrisin rrezikun e melanomës me 80% dhe dy kancereve të tjera të lëkurës, karcinomës skuamoze dhe karcinomës së qelizave bazale, me 68%, sipas një studimi të botuar në Cancer Epidemiology Biomarkers & Prevention. Pra, me siguri po vuaja pasojat e viteve të mia të hershme në plazh.

Nëna ime gjithashtu kishte kancere të shumta të lëkurës, kështu që rreziku im për të pasur një të tillë ishte dukshëm më i lartë. Kur ka një histori familjare të kancerit të lëkurës, rreziku i fillimit të hershëm të kancerit të qelizave bazale është dyfish më i lartë, sipas revistës Cancer Epidemiology, rreziku i kancerit të qelizave skuamoze rritet katërfish, sipas revistës Dermatologic Surgery, dhe rreziku i melanomës është rritur me 74%, siç raportohet në Journal of the American Academy of Dermatology.

Megjithatë, më dukej aq e çuditshme sa kanceri im i lëkurës u shfaq në kokën time, poshtë flokëve. A nuk do të ishin më të ndjeshme zonat e ekspozuara ndaj diellit si hunda, balli apo mjekra?

Me një hulumtim të vogël, zbulova se 13% e kancereve të lëkurës përfshijnë lëkurën e kokës, sipas një artikulli në Journal of the German Society of Dermatology. Kanceri i lëkurës mund të shfaqet në të gjitha llojet e njollave të pazakonta - qepallat, pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve.

Kanceri i lëkurës gjithashtu mund të ndodhë në të gjitha llojet e lëkurës. Sëmundjet malinje janë shumë më të zakonshme të lëkurat e bardha, por kanceri i lëkurës me pigmentim më të errët shpesh kapet më vonë, me norma më të larta vdekshmërie. Të gjithë janë në rrezik.

Tani më shumë se kurrë, mbrojtja nga dielli është kaq e rëndësishme sepse rreziku i zhvillimit të kancerit të lëkurës po përshkallëzohet me një shkallë alarmante. Është vlerësuar nga Akademia Amerikane e Dermatologjisë se një në pesë amerikanë do të kenë kancer të lëkurës gjatë jetës së tyre dhe shkalla e kancerit të lëkurës jo melanomë është rritur me 33% në të gjithë globin që nga viti 2007, sipas JCO Global Oncology.

Shumë ekspertë përmendin si faktorë rreziku ndryshimin e klimës, ngrohjen globale dhe rritjen e ekspozimit ndaj rrezeve të dëmshme UV. Pavarësisht këtij rreziku në rritje, përpjekjet tona në parandalimin e kancerit të lëkurës dhe zbulimin e hershëm janë të pamjaftueshme, ku shumë njerëz nuk arrijnë të bëjnë ekzaminime të rregullta të lëkurës.

Varet nga secili prej nesh që të mbrohet nga dielli sa më herët dhe të mësojë se kur duhet të kërkojë kujdes mjekësor për ndryshime të pazakonta në lëkurë. Parregullsitë si ndryshimet në ngjyrë, skajet e parregullt të nishaneve dhe njollave, plagët e lëkurës që nuk shërohen nuk duhet të injorohen kurrë. Një ekzaminim duhet të bëhet çdo vit për të monitoruar ndryshimet e pazakonta të lëkurës, ose nëse jeni në rrezik më të lartë për zhvillimin e kancerit të lëkurës.

Këtë verë, mbroni veten. Vendosni krem kundër diellit, mbani një kapelë dhe qëndroni në hije sa herë që të jetë e mundur. Dhe ajo pjesë e veçantë e lëkurës që keni injoruar? Mos e shtyni më kontrollimin. Mësova se çdokush mund të sëmuret nga kanceri i lëkurës dhe ai mund të shfaqet aty ku nuk e prisni. Sa më herët ta kapni, aq më të larta janë gjasat për të shpëtuar, ndaj shkoni te mjeku.

- shkruar për CNN nga Susannah Hill, kirurge pediatre e rrugëve të frymëmarrjes dhe nënkryetare e Departamentit të Kirurgjisë së otolaringologjisë së kokës dhe qafës në qendrën mjekësore të Columbia University.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat