Depresioni pas lindjes - Një udhëzues për nënat e reja

Shëndetësia

Depresioni pas lindjes - Një udhëzues për nënat e reja

Më: 16 tetor 2023 Në ora: 19:09
Ilustrim

1. Çfarë është Depresioni Pas Lindjes?

Depresioni pas lindjes, i njohur ndryshe si “depresioni post partum”, është një çrregullim depresiv dhe emocional që prek shumë  nëna të reja. Sipas DSM-5 (Manuali Diagnostik dhe Statistikor i Sëmundjeve Mendore, edicioni i pestë), periudha e fillimit të depresionit pas lindjes është brenda një viti pas lindjes së fëmijës. Kjo do të thotë që gratë që përjetojnë simptoma të depresionit të rëndë brenda kësaj periudhe pas lindjes kualifikohen për diagnozën e depresionit pas lindjes sipas kriterit të DSM-5. Është e rëndësishme të theksohet se kjo periudhë e një viti është e caktuar për të kapur simptomat e depresionit që kanë filluar pas lindjes së fëmijës dhe që vazhdojnë për një kohë të gjatë brenda kësaj periudhe.

Simptomat e depresionit pas lindjes përfshijnë trishtim të thellë, humbje të energjisë, anhedoni (mungesa e kënaqësisë nga aktivitetet e mëparshme), ndryshime të humorit, dëshirë për izolim, ndryshime të oreksit dhe gjumit, kriza ankthi, ndjenja e fajit, vështirësi në përqendrim, dhe rënie të dëshirës seksuale.

Nënat e reja duhet të jenë të vetëdijshme për këto shenja dhe të kërkojnë ndihmë profesionale nëse ndodhen nën ndikimin e tyre. Trajtimi i depresionit pas lindjes përfshin terapinë këshilluese, terapinë psikoterapeutike dhe në raste më të rënda, terapinë farmakologjike. Është thelbësore që nënat e reja të kujdesen për shëndetin e tyre emocional, sepse një kujdes i mirëfilltë ndaj tyre vetes është një bazë e rëndësishme për kujdesin ndaj fëmijës së tyre.

2. Shkaqet e Depresionit Pas Lindjes

Rreziku i depresionit është më i madh te njerëzit me vetëbesim të ulët, me pak besim te vetja dhe të tjerët, të cilët shpesh e gjejnë veten duke menduar se nuk janë të mjaftueshëm. Episodet depresive mund të paraprihen dhe favorizohen nga ngjarje dhe situata stresuese, të cilat përjetohen si vështirësi ose humbje serioze dhe të pakapërcyeshme.

Edhe vetë përvoja e lindjes mund të jetë një ngjarje stresuese, veçanërisht kur nëna vuan nga frika nga lindja. Ka edhe faktorë gjenetikë që kontribuojnë në shfaqjen e këtij çrregullimi: të kesh të afërm të shkallës së parë me çrregullim depresiv madhor favorizon shfaqjen e një episodi depresiv.

Nuk duhet harruar se pas lindjes tek femrat vërehen ndryshime të theksuara fizike, si rënia fiziologjike e progesteronit dhe estrogjenit, që në vetvete shkakton rënie të humorit tek nëna e re.
Faktorët e rrezikut për depresionin pas lindjes përfshijnë:

1.Historiku i Depresionit: Gratë që kanë pasur depresion të mëparshëm, veçanërisht depresion gjatë shtatzënisë, kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar depresion pas lindjes.

2.Marrëdhëniet Familjare: Mungesa e mbështetjes nga partneri, familja ose miqtë mund të rrisë rrezikun. Një mjedis i dobët social dhe emocional mund të jenë faktorë shumë të rëndësishëm.

3.Stresi dhe Presioni: Stresi i madh dhe presioni i lartë gjatë shtatzënisë ose pas lindjes, përfshirë problemet financiare, mund të rrisin rrezikun e depresionit pas lindjes.

4.Probleme Shëndetësore: Problemet shëndetësore të vogla tek fëmija ose në nënën pas lindjes mund të shkaktojnë shqetësim dhe ankth, duke rritur rrezikun për depresion.

5.Ndryshimet Hormonale: Ndryshimet hormonale të mëdha që ndodhin gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes mund të kenë një rol në zhvillimin e depresionit pas lindjes.

6.Kujdesi për Fëmijën: Mungesa e kujdesit të duhur për fëmijën, si dhe problemet në ushqyerje ose gjumin, mund të rrisin stresin dhe shqetësimin tek nëna.

7.Ndryshimet në Jetë: Ndryshimet drastike në rutinën dhe stilin e jetesës, përfshirë humbjen e shëndetit fizik pas lindjes, mund të ndikojnë në mirëqenien emocionale.

8.Mungesa e Vetëvlerësimit: Nëna që ndihet e pasigurt në rolin e saj të re si nënë, si dhe ndjenjat e mungesës së vetëvlerësimit, mund të jenë faktorë të rrezikut.

9.Traumate Proçesit të Lindjes: Lindja e komplikuar ose trauma në lindje mund të shkaktojë ankth dhe depresion pas lindjes.

10.Shtatzëni e Paplanifikuar

11.Historia Familjare Pozitive Për Crregullime Psikiatrike

12.Historia e Crregullimeve Psikiatrike Në Të Kaluarën ose Aktualisht

13.Nënë Për Herë Të Parë ose Nënë e Re Në Moshë

14.Lindje e Parakohshme

Është e rëndësishme të theksohet se këto faktorë nuk janë të përgjithshëm për të gjitha gratë. Secila grua është unike dhe reagon ndryshe ndaj sfidave të pas lindjes.

3.Simptomat e Depresionit Pas Lindjes

Simptomat e depresionit pas lindjes përfshijnë:

1.Trishtim dhe dëshpërim i thellë, i cili mund të shoqërohet me mendime të përsëritura për vdekjen

2.Humbje energjie dhe mendime për të mos qenë në gjendje të kujdeseni për fëmijën

3.Ndryshime të forta të humorit dhe të qara të pamotivuara disa herë të ditës

4.Dëshira për izolim nga anëtarët e familjes, përfshirë fëmijën

5.Ndryshime në oreks, duke rezultuar në humbje/rritje të konsiderueshme në peshë

6.Vështirësi për të fjetur, gjumë i shqetësuar

7.Sulmet e ankthit dhe nervozizmi

8.Ndjenja e vazhdueshme dhe e pamotivuar e fajit, veçanërisht ndaj fëmijës

9.Rënie e aftësisë për t'u përqendruar dhe efiçencës intelektuale

10.Ulje e dëshirës seksuale (me vështirësi në rifillimin e marrëdhënieve pas lindjes).

Këto simptoma duhet të vazhdojnë për një periudhë prej dy javësh ose më shumë dhe duhet të shkaktojnë vështirësi në funksionimin e përditshëm të një personi për të konsideruar diagnozën e depresionit pas lindjes

4.Ku Dallon Depresioni Pas Lindjes nga "Baby Blues"

Depresioni pas lindjes dhe "Baby Blues" janë dy gjëra të ndryshme, megjithëse të dyja ndikojnë nënën e re pas lindjes së fëmijës. "Baby Blues" është një gjendje e zakonshme që shfaqet që disa ditë pas lindjes dhe prek rreth 70% të femrave . Zakonisht përfshin ndjenja të trishtimit të lehtë, ankthit dhe ndjenjën e lodhjes. Kjo gjendje shpesh kalon vetvetiu brenda 1-2 javësh pas lindjes dhe nuk kërkon trajtim të posaçëm.

Nga ana tjetër, depresioni pas lindjes është më i rëndë dhe zgjat më gjatë. Për dallim nga "Baby Blues", ai shoqërohet me simptoma të thella të trishtimit, humbjes së interesit për gjëra, ndryshime të humorit, dhe mund të ndikojë në cilësinë e jetës së nënës dhe marrëdhënien me fëmijën. Është e rëndësishme të dalloni mes këtyre dy gjendjeve dhe të kërkoni ndihmë profesionale nëse keni dyshime për depresionin pas lindjes, pasi ai mund të ketë nevojë për trajtim të specializuar për të lehtësuar simptomat dhe të riktheheni në një gjendje më të mirë emocionale.

5. Pse Duhet të Kërkosh Ndihmë?

Është shumë e rëndësishme të kërkosh ndihmë nëse ndjen që je nën ndikimin e depresionit pas lindjes. Këtu janë disa arsye pse është e rëndësishme të kërkosh mbështetje dhe trajtim:

1.Kujdesi për veten: Nënat duhet të kenë kujdes për shëndetin mendor, pasi kjo është thelbësore për të ofruar kujdes të mirë dhe të qëndrueshëm për fëmijën e tyre.

2.Trajtim efektiv: Trajtimi i depresionit pas lindjes përfshin këshillim dhe terapi të specializuar, që ndihmon në menaxhimin e simptomave dhe në rikthimin e një ndjenje të mirëqenies. Këshillimi dhe terapia ofrojnë mjetet dhe strategjitë e duhura për të lehtësuar simptomat e depresionit, duke përfshirë ndryshimet e orarit të gjumit, menaxhimin e ankthit dhe trajtimin e mendimeve negative.

3.Mbështetja familjare: Përfshirja në trajtimin e pacientes të pjesës tjetër të familjes, duke i bërë ata të kuptojnë më mirë gjendjen dhe duke i kërkuar ata për mbështetje është parë të jetë efektive.

Të kërkosh ndihmë është një hap i rëndësishëm drejt shëndetit të mirë emocional dhe fizik të tërheqjes nënë-fëmijë. Është e rëndësishme të kuptosh se kërkesa për ndihmë nuk është një shenjë e dobësisë, por një vendim për të përmirësuar jetën tënde dhe të fëmijës sënde.

6.Opsionet e Trajtimit për Depresionin Pas Lindjes

Ka disa opsione të trajtimit për depresionin pas lindjes, të cilat përfshijnë:

Terapia këshilluese dhe psikoterapia: Këto janë opsionet e preferuara të trajtimit për depresionin pas lindjes. Terapistët dhe këshilltarët profesionalë mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave, duke ofruar mbështetje emocionale dhe duke ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve emocionale që mund të jenë shkaktare të depresionit. Terapia mund të ndihmojë në përmirësimin e ndjenjës së vetëvlerësimit dhe në mënyrën se si një nënë e re i sheh dhe i kujdeset për fëmijën e saj.

Medikamentet: Në disa raste, ilaçet mund të jenë të nevojshme për trajtimin e depresionit pas lindjes, veçanërisht në rastet e rënda. Këto ilaçe, si antidepresantët, mund të ndihmojnë në rregullimin e serotoninës në tru, duke ndihmuar në zvogëlimin e simptomave të depresionit. Konsultoni një mjek ose psikiatër për të diskutuar mundësinë e ilaçeve dhe për të pasur një përcaktim të saktë dhe për të ndjekur trajtimin me kujdes.

Teknikat e relaksimit dhe ushtrime të rëndësishme: Përfshirja e teknikave të relaksimit, si meditimi dhe aromaterapia, mund të ndihmojë në zvogëlimin e stresit dhe ankthit. Ushtrimet fizike të rregullta janë gjithashtu të rëndësishme, pasi ato çlirojnë endorfinat, ndihmojnë në rritjen e energjisë dhe përmirësojnë humorin. Përfshirja e këtyre praktikave në rutinën ditore mund të ndihmojë në menaxhimin e simptomave të depresionit.

Është e rëndësishme të këshillohesh me një profesionist shëndeti për të përcaktuar trajtimin më të mirë. Për shumë gra, një kombinim i terapisë këshilluese dhe teknikave të relaksimit është një rrugë e efektshme për të trajtuar depresionin pas lindjes dhe për të përmirësuar shëndetin emocional dhe fizik të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat