Çfarë tregojnë për shëndetin tuaj aromat e pakëndshme të periodave

Shëndetësia

Çfarë tregojnë për shëndetin tuaj aromat e pakëndshme të periodave

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 14:18
Foto ilustrim

Kur ndryshoni tamponin ose shkoni në tualet gjatë ditëve të ciklit, ju mund të shihni edhe ndryshimet në ngjyrën e gjakut, por mbase këtë herë vëreni diçka tjetër të pakëndshme: erën.

“Gjaku menstrual përmban gjak dhe indin e mukozës së mitrës, kështu që aromat mund të ndryshojnë cikël pas cikli,” thotë gjinekologia Alyssa Dweck. Po kur gjaku i menstruacioneve ka erë metali apo erë peshku, a tregon ndonjë gjë për shëndetin tuaj?

Pse gjaku i periodave ka erë metali?

Disa gra e kanë përshkruar gjakun e menstruacionve si me aromë metali dhe kjo ndodh për shkak të përmbajtjes së lartë të hekurit në gjak thonë gjinekologët. Është normale që vagina të ketë erë dhe jo, nuk duhet të ketë erë si parfum apo një buqetë me lule. Shumë gra ndjejnë aromë më acide gjatë periodave dhe kjo ka të bëjë direkt me pH e vaginës.

Pse gjaku i periodave ka erë peshku?

Disa aroma janë padyshim më shqetësuese se të tjerat. “Një erë e keqe si e peshkut gjatë periodave mund të jetë shenjë e një infeksioni bakterial,” shpjegon Dr. Dweck. Kjo shkaktohet nga një çekuilibër i baktereve në biomën vaginale. Çrregulluesit që mund të ndikojnë janë antibiotikët, ndryshimet hormonale apo ekspozimi ndaj partnerëve të shumtë seksualë.

Arsyet e tjera për erën e gjakut të periodave

Sipas klinikës Mayo, erërat jonormale vaginale mund të jenë shenjë e një tamponi të harruar. Mbajtja e tamponëve për më shumë se tetë orë mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e sindromës së shokut toksik (infeksion bakterial që shkaktohet kryesisht nga tamponët që vendosen në vaginë).

Kur duhet t’i drejtoheni mjekut?

Nëse era e gjakut të menstruacioneve ju shqetëson, është më mirë të planifikoni një vizitë me mjekun. Në rastin e vaginozës bakteriale, jepen antibiotikë. Por, ndodh edhe që problemet e aromave të periodave të mos kenë nevojë për asnjë trajtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat