Ndryshimet që mund të pësojë trupi i një burri, pasi bëhet baba

Shëndetësia

Ndryshimet që mund të pësojë trupi i një burri, pasi bëhet baba

Më: 16 mars 2024 Në ora: 00:26
Foto ilustrim

Shtatzënia dhe lindja sjellin shumë ndryshime fizike dhe psikologjike në trupin e nënës, por rezulton se edhe burrat mund të përjetojnë një spektër të gjerë të ndryshimeve trupore dhe mendore kur bëhen prindër. 

- Niveli i testosteronit mund të bjerë

Një nivel i lartë i testosteronit është përgjegjës për tiparet e sjelljes si agresiviteti, konkurrenca apo tërheqja ndaj partneres. Por, kur një burrë bëhet baba, niveli i tij i testosteronit duket se ulet, duke sugjeruar që tani e gjithë vëmendja e burrit duhet të drejtohet brenda familjes, jo jashtë. Studimet sugjerojnë se burrat që tashmë kanë një partnere dhe fëmijë kanë nivele më të ulëta testosteroni, në krahasim me burrat pa fëmijë dhe ata që janë ende në kërkim të një partnereje. 

- Niveli i oksitocinës dhe dopaminës rritet

Oksitocina dhe dopamina janë 2 kimikate që janë përgjegjëse për lidhjen midis një prindi dhe një fëmije. Ndërsa nivelet e testosteronit bien, efektet pozitive të oksitocinës dhe dopaminës rriten, duke e bërë një baba të ri të shijojë më shumë lojërat dhe përqafimet me bebushin e tij.

- Mund të ndodhin edhe disa ndryshime në tru

Shkencëtarët studiuan aktivitetin e trurit në një grup baballarësh të rinj dhe rezultoi që gjatë 4 muajve të parë pas lindjes truri i tyre tregoi disa ndryshime të dukshme. Këto ndryshime i ndihmojnë ata të zhvillojnë aftësitë prindërore dhe të ndërtojnë një lidhje të fortë me foshnjat e tyre. Ndërveprimet e hershme mes babait dhe foshnjës, ndërtojnë një bazë të fortë për marrëdhënien prind-fëmijë dhe luajnë një rol të madh në zhvillimin njohës dhe shoqëror të fëmijëve.

Në veçanti, truri i një babai të ri mund të tregojë më shumë aktivitet në zonat përgjegjëse për planifikimin, zgjidhjen e problemeve dhe zbulimin e rreziqeve.

- Burrat madje, mund të zhvillojnë simptoma të shtatzënisë kur partnerja e tyre pret një fëmijë

Gjatë shtatzënisë së gruas, edhe burrat mund të kenë simptoma të lidhura me shtatzëninë si të përziera, ndryshime të oreksit, fryrje dhe dhimbje shpine. Ky fenomen quhet 'shtatzëni simpatike', ose 'couvade'. Nuk njihet zyrtarisht si problem apo gjendje mjekësore, por simptomat janë të zakonshme. 

- Burrat mund të përjetojnë nivele të larta të stresit emocional

Përgjegjësitë e prindërve mund të rezultojnë në nivele të larta stresi dhe ankthi tek baballarët e rinj, por pjesa më e rrezikshme e kësaj është që burrat shpesh mendojnë se s'duhet të kërkojnë ndihmë sepse duhet të jenë "të fortët" në sytë e të tjerëve. Kjo sjell që ata të përjetojnë stres të madh fizik dhe emocional. 

Është e rëndësishme që të dy prindërit të kalojnë kohë së bashku, duke folur për përjetimet e tyre gjatë shtatzënisë, por edhe pas lindjes së fëmijës. Një barrë e ndarë me dikë, është një barrë e përgjysmuar dhe ndonjëherë, një bisedë e sinqertë me partnerin mund të bëjë mrekulli.

- Uljet dhe ngritjet hormonale mund të çojnë në depresion post-lindje, edhe te burrat

Ndërsa shumë prej nesh e dinë se çfarë është depresioni pas lindjes tek gratë, pak kanë dëgjuar ndonjë gjë në lidhje me depresionin pas lindjes tek burrat. Edhe baballarët mund të jenë të prirur për depresion, duke marrë parasysh edhe uljen e nivelit të testosteronit. Ndryshimet hormonale së bashku me ngarkesën e përgjegjësive të një babai të ri i bëjnë burrat të prirur të përjetojnë çështje të shëndetit mendor.

Le të qëndrojmë pak këtu. Përgjithësisht depresioni pas lindjes është parë si një gjendje e cila ndodh vetëm te nënat, nisur nga fakti që janë pikërisht këto të fundit ato që sjellin të porsalindurit në jetë dhe kujdesen më së shumti me ushqyerjen dhe vënien në gjumë. Në fakt shkenca e njeh këtë depresion specifik edhe në botën e burrave. Sipas statistikave, ky çrregullim, nëse mund ta quajmë kështu, prek 1%- 26% të baballarëve të rinj.

Kështu, të dy partnerët, si nëna edhe babai ndjejnë luhatje humori, mungesë energjie, ankth, përjetojnë të qara, nervozizëm dhe shpesh ndjesi negative ndaj foshnjës. Kështu prindi zhytet në mendime të errëta dhe e ka të vështirë të përballet me realitetin dhe jetën e re.

Përgjithësisht kjo situatë zgjat 1 javë deri në 1 muaj pas ardhjes në jetë të fëmijës. Të bëhesh me fëmijë sjell ndryshime rrënjësore në stilin e jetesës, edhe nëse lindjen nuk e ke bërë ti. Tek gratë, nivelet e luhatshme hormonale dhe ndryshimet neurokimike që ndodhin në tru ndikojnë në një masë të madhe.

Por në fakt, një studim i “American Journal of Human Biology” (Revista Amerikane e Biologjisë së Njeriut) ka treguar se edhe burrat përjetojnë çrregullime hormonale pas lindjes së një fëmije. Ulja e nivelit të testosteronit mund të shtojë rrezikun e depresionit dhe ankthit.

Shtoji kësaj pasoja të tjera si stresi kronik, ushqyerja e parregullt dhe mungesa e gjumit, edhe ata i kanë të gjitha gjasat të kalojnë një episod depresioni, që në pakujdesi mund edhe të shndërrohet në depresion kronik. Por nuk janë vetëm ndryshimet hormonale ato që luajnë rol tek depresioni pas lindjes i burrave.

Një prej faktorëve është edhe ndjesia e shkëputjes nga nëna dhe fëmija, pasi në shumë raste babai lihet jashtë proceseve kryesore të rritjes së bebes. Është tejet e rëndësishme që babait t’i jepet mundësia të krijojë lidhje me fëmijën dhe të ndihet i dobishëm në përkujdesjen për të.

Mbi të gjitha, presioni i kulturës karshi prindit mund ta bëjë këdo të ndihet i paaftë. Pritshmëritë e larta ndaj mamasë dhe babait, që të kujdesen për fëmijën në një mënyrë të caktuar, janë zakonisht shumë larg realitetit të një jete pa gjumë, me kequshqyerje dhe hutim, ku prindërit e kanë tepër të vështirë të bëjnë çdo gjë në përsosmëri, me gjithë ngarkesën që vjen befas në jetën e tyre.

Si mund ta tejkaloni të gjithën këtë?

Përpiquni të hani mirë, të qëndroni me njerëzit tuaj më të afërm, të flisni me partnerin apo miqtë për mënyrën se si ndiheni dhe nëse situata po ju del jashtë kontrollit mos nguroni të kërkoni një ndihmë të specializur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat