Mashtrimi Kompjuterik me Pagat e Luftës, arrestohet 32 vjeçari

Shkencë & Teknologji

Mashtrimi Kompjuterik me Pagat e Luftës, arrestohet 32 vjeçari

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 17:31
Foto ilustrim

Policia e Shtetit ka bërë me dije se në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Njësia  për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është organizuar dhe finalizuar një tjetër operacion policor i koduar “PLATFORMA”.

Sipas njoftimit pas një hetimi 6-mujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota në lidhje me kallëzimin e marrë nga një bankë e nivelit të dytë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Policia njofton se pas kryerjes së veprimeve hetimore, Njësia për Hetimin e  Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kryer ndalimin e shtetasit:

D.T. , 32 vjeç, banues në Durrës, i dënuar me gjobë për kryerjen e veprës penale “Vetëgjyqësia”, nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës;

I dënuar me 3 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës;

I dënuar me 9 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat (aktualisht në proces në Gjykatën e Apelit Vlorë);

Aktualisht i ndaluar si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Sipas njoftimit materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e  Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas, duke përfituar dhe nga situata e pandemisë COVID-19 për hapjen e llogarive bankare për përfitimin e “Pagës së luftës”, kishte hapur një llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

“Kjo llogari ishte hapur që ky shtetas të shfrytëzonte një hapësirë që gjendej në shërbimin bankar dixhital. Pas kësaj, ky shtetas ka arritur të kryejë 36 transaksione financiare në një vlerë 15.533.510 lekë të reja, në llogari të ndryshme të bankave të tjera të nivelit të dytë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë,” shkruhet në njoftim. “Pas transferimit të shumave të ndryshme ky shtetas kryente tërheqje nga bankat ku ishin transferuar këto fonde, nëpërmjet kartave bankare ose duke u paraqitur vetë në bankë. Gjithashtu, ky shtetas ka tentuar t’i tërheqë këto fonde dhe nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Policia bën me dije se aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe se materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat