Kina dërgon 3 astronautë në stacionin hapësinor

Shkencë & Teknologji

Kina dërgon 3 astronautë në stacionin hapësinor

Më: 31 maj 2021 Në ora: 15:15
Kinë.

Një ekip prej tre astronautësh do të niset në qershor drejt një misioni tremujor në stacionin e ri hapësinor të Kinës, ka bërë të ditur një zyrtar hapësinor që ishte astronauti i parë i vendit në orbitë.

Planet për ekipin e parë të stacionit ishin konfirmuar për televizionin shtetëror nga Yang Liwei, dizajnuesi i programit hapësinor kinez, përderisa një anije automatike kozmike veçse është nisur për në stacionin Tianhe.

Tianhe apo Heavenly Harmony është stacioni i tretë dhe më i madhi që është lansuar nga programi hapësinor gjithnjë e më ambicioz i Kinës. Moduli kryesor është lansuar në orbitë më 29 prill.

Anija kozmike “Shenzhou 12”, ku do të vendoset ekipi, do të lansohet nga baza Jiuquan në veriperëndim të Kinës gjatë muajit të ardhshëm, ka thënë Yang për Televizionin Qendror të Kinës.

Ata do të ushtrojnë për ecjet në hënë dhe do t’u nënshtrohen kontrolleve si dhe përgatitjeve për operacione shkencore.

Yang, që ka orbituar Tokën më 2003, nuk ka ofruar hollësi për identitetin e astronautëve apo datën e fluturimit, ndërsa ka bërë të ditur se ekipi do të formohet nga dy grupet e mëhershme të astronautëve.

I pyetur nëse do të ketë gra që do të jenë pjesë e ekipit, Yang ka thënë: “Në ‘Shenzhou 12’ nuk ka por në misionet e ardhshme do të ketë”.

Anija kozmike “Tianzhou-2”, që ka ankoruar në Tianhe të dielën, ka bartur 6.8 tonë ngarkesë përfshirë kostume hapësinore, ushqim dhe pajisje për astronautët, si dhe lëndë djegëse për stacionin, kanë bërë të ditur nga programi hapësinor.

Agjencia hapësinore planifikon gjithsej 11 lansime deri në fund të vitit të ardhshëm për të dërguar edhe dy module drejt stacionit 70-tonësh.

Pekini zyrtar nuk është pjesë e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor për shkak të kundërshtimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Washingtoni ka shprehur dyshime shkaku i fshehtësisë së programit kinez dhe lidhjeve të tij ushtarake.

Kina ka dërguar në hapësirë 11 astronautë, përfshirë dy gra, duke filluar nga fluturimi i Yangut në tetor të 2003-s. Gruaja e parë ishte Liu Yang më 2012.

Të gjithë astronautët e Kinës deri më tani kanë qenë pilotë nga krahu ushtarak i Partisë Komuniste - Ushtria Çlirimtare e Popullit.

Astronautët në Tianhe do të ushtrojnë ecjen në hapësirë me dy njerëz jashtë në të njëjtën kohë, sipas Yangut. Ecja e parë në hapësirë nga Kina ishte bërë më 2008 nga Zhai Zhigang, jashtë anijes kozmike “Shenzhou 7”. Po ashtu, gjatë këtij muaji, programi hapësinor kinez e ka lëshuar në Mars sondën “Tianwen-1”, që bart edhe helikopterin “Zhurong”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat