Përparimet në industrinë e transportit hapësinor

Shkencë & Teknologji

Përparimet në industrinë e transportit hapësinor

Më: 31 janar 2022 Në ora: 00:05
Foto ilustrim

Lëshimet e anijeve hapësinore janë bërë tashmë një diçka e zakonshme në “Bregun Hapësinor” të Floridës, falë lulëzimit të transportit komercial të hapësirës dhe një nisme nga NASA për të rikthyer astronautët në hënë, me qëllimin përfundimtar për të arritur në Mars. Siç na njeh korrespondenti i Zërtit të Amerikës Kane Farabaugh, kjo është një kthesë dramatike nga një dekadë më parë kur mori fund programi i anijeve hapësinore, duke detyruar industrinë të bënte përparime dramatike mes konkurrencës së ashpër globale.

“U vendosa këtu tre vjet para se të krijohej NASA, dhe jam rritur në plazhin Cocoa”, tregon Dale Ketcham, zëvendëspresident i agjencisë shtetërore “Space Florida” që merret me zhvillimet ekonomike që lidhen me industrinë hapësinore.

Jo vetëm që Dale u rrit ndërsa zgjerohej programi amerikan i hapësirës, por është dëshmitar i transformimeve të shumta ekonomike për komunitetet pranë Qendrës Hapësinore Kennedy, që nga vitet 1950.

“Për 50 vjet nga ky vend janë bërë lëshimet në hapësirë”, thotë Brian Balula me Komisionin e Zhvillimit Ekonomik të Bregut Hapësinor të Floridës.

Shumica e pajisjeve që u përdorën në programet Apollo apo Space Shuttle u dërguan në Florida për t’u montuar. Viti 2011, kur Atlantis përfundoi misionin dhe u ul në tokë, shënoi fundin e një epoke të fluturimeve të njeriut në hapësirë. Ndërsa lëshimet u rralluan, ekonomia e kësaj zone pësoi rënie.

“Në vitin 2011, papunësia ishte 12%. Ekonomia dhe perspektivat nuk ishin aq të mira.”

Brian Baluta, Zëvendëspresident i Komisionit të Zhvillimit Ekonomik të Bregut Hapësinor të Floridës, thotë se pikërisht atëherë organizata e tij ofroi një koncept, që mund të ndryshonte përgjithmonë fatin e fuqisë punëtore të zonës.

“Bëmë një hap të pazakontë, duke kontaktuar kompanitë që mund të prodhonin pasardhësit e anijeve hapësinore. Në atë kohë quhej Mjeti i Ekuipazhit Eksplorues dhe ende nuk kishte një kontratë për të. Kontaktuam me kompanitë që kishin gjasa të konkuronin, Lockheed Martin, Northrup Grumman, Boeing dhe u propozuam që jo vetëm ta bënin lëshimin në hapësirë nga Kepi Canaveral, por edhe të shqyrtonin mundësinë e montimit të anijes aty.”

Koncepti mori hov.

“Sikurse kur investon në treg, nëse diversifikoni zonën dhe produktet, mund të ja dalësh”, thotë Kelly DeFazio.

Ajo përfaqëson kompaninë Lockheed Martin, e cila fitoi kontratën për të krijuar anijen hapësinore të gjeneratës së ardhshme të NASA-s për të dërguar përsëri njerëzit në hënë. E quajtur “Orion” kapsula do të jetë pjesë e misioneve të ardhshme Artemis. Disa nga pjesët e kapsulës po montohen në Qendrën Star të firmës Lockheed Martin pranë qytetit Titusville të Floridës, përfshirë elemtë shumë të rëndësishëm.

“Ne do ta dërgojmë njeriun më larg se sa ka qënë ndonjëherë”, thotë zonja DeFazio.

“Gjatë rinisë time, me shtatë astronautët e parë, ky qytet po hapte fronte të reja”, thotë Dale Ketcham.

Zoti Ketcham e karakterizon të tillë edhe sot Bregun Hapësinor, i cili gumëzhin nga kompani të ndryshme si Space X, Blue Origin, Air Bus One dhe shumë e shumë firma dhe kontraktorë qeveritarë.

“Sapo njoftuam se do të ketë një kompani të quajtur Astra që do të vëndoset këtu për të ndërtuar raketa të vogla për satelitë të vegjël, një komponent i rëndësishëm i industrisë hapësinore. Shumë kompani po vëndosen këtu”, thotë Dale Ketcham.

Sa më shumë, aq më mirë thotë ai. Jo vetëm që kjo ndihmon ekonominë lokale, por gjithashtu e mban Amerikën konkurrente në arenën botërore në atë që ai e quan një garë të re hapësinore./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat