Një vullkan i madh ka shpërthyer pranë vendit më të thellë në Tokë

Shkencë & Teknologji

Një vullkan i madh ka shpërthyer pranë vendit më të thellë në Tokë

Më: 22 nëntor 2022 Në ora: 11:07
Foto ilustrim

Një vullkan i madh qindra metra nën sipërfaqen e oqeanit ka filluar të shpërthejë pranë pikës më të thellë në Tokë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, “Ahyi Seamount” – një vullkan i madh nën det – shtrihet rreth 137 metra thellë në Oqeanin Paqësor nën Ishujt Mariana Veriore, të cilët janë më shumë se 6,000 kilometra në perëndim të Honolulu, Hawaii.

Imazhet satelitore tregojnë se ka njollë në sipërfaqen e oqeanit mbi Ahyi, tha në një deklaratë Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së, shkruan Newsweek.

Por zona e largët e bën të vështirë konfirmimin e aktivitetit të tij.

Megjithatë, sensorët hidroakustikë në Wake Island kanë zbuluar sinjale “në përputhje me aktivitetin nga një burim vullkanik nënujor”, duke sugjeruar fuqishëm se bëhet fjalë për “zhurma” që vijnë nga Ahyi.

Vullkani nënujor është 200 kilometra nga Hendeku Mariana – hendeku më i thellë oqeanik në Tokë – tha për Newsweek, Matthew Haney, gjeofizikan kërkimor në Observatorin e Vullkanit të Alaskës.

Hendeku është 10,994 metra nën sipërfaqen e oqeanit dhe është më i thellë se sa është i lartë mali Everest.

Hendeku në formë gjysmëhënës në koren e Tokës është gjithashtu 2500 kilometra i gjatë dhe 69 kilometra i gjerë.

Llogore si kjo formohen kur ‘përplasen’ dy pllaka tektonike.

Në rastin e Hendekut Mariana, pllaka e Paqësorit u ‘përplas’ me pllakën shumë më të vogël të Filipineve.

Siç vënë në pah mediat, përcjell Telegrafi, vullkani mund të kishte filluar të shpërthejë nga mesi i tetorit, por përsëri, largësia e zonës e ka bërë të vështirë konfirmimin, tha USGS në një deklaratë.

Nuk ka stacione monitorimi pranë, që do të thotë se shkencëtarët janë të kufizuar në aftësinë e tyre për të vlerësuar aktivitetin vullkanik.

Studiuesit nuk janë të sigurt nëse do të jenë në gjendje t’i afrohen mjaftueshëm zonës për të parë se çfarë po ndodh, por ata po vazhdojnë të monitorojnë nga afër imazhet satelitore.

“Asgjë nuk është ende e sigurt, por unë jam përfshirë në disa emaile ku shkencëtarët nga NOAA po diskutonin për të shkuar në Ahyi me anije për të bërë vëzhgime, të tilla si matjet e bathimetrisë [thellësia e detit ose liqenit]”, tha Haney.

Megjithëse niveli i ‘trazirave vullkanike’ nuk është i sigurt, anijet do të donin të shmangnin zonën.

Nuk është hera e parë që zbulohet aktivitet nga aty pasi kjo është vërejtur në raste të mëparshme ku vullkani u gjallërua.

Shpërthimi i fundit ndodhi më 17 maj 2014.

Zhytësit e NOAA po kryenin kërkime në shkëmbinjtë koralorë aty pranë në atë kohë dhe raportuan se kishin dëgjuar shpërthime të mëdha.

Në rajonin e Mariana-s, ka nëntë ishuj vullkanikë dhe më shumë se 60 vullkane nënujore – rreth 20 prej të cilëve konsiderohen aktive.

Ajo madje është një nga zonat vullkanike më aktive në botë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat