Me anë të valëve sizmike shkencëtarët zbulojnë se bërthama e Marsit është e lëngshme

Shkencë & Teknologji

Me anë të valëve sizmike shkencëtarët zbulojnë se bërthama e Marsit është e lëngshme

Më: 25 prill 2023 Në ora: 20:13
Bërthama e Marsit është plotësisht e lëngshme me aliazh hekuri me përqindje të lartë squfuri dhe oksigjeni

Shkencëtarët kanë konfirmuar se bërthama e Marsit është e lëngshme pasi matjet e valëve sizmike kanë dhënë të dhëna të vlefshme për herë të parë se si u formua Planeti i Kuq.

Gjetjet, të publikuara në Proceedings of the National Academy of Sciences, tregojnë se bërthama e Marsit është plotësisht e lëngshme me aliazh hekuri me përqindje të lartë squfuri dhe oksigjeni, ndryshe nga bërthama e Tokës, e cila është një kombinim i një bërthame të jashtme të lëngshme dhe një bërthame të ngurtë.

U desh një ekip ndërkombëtar hulumtues, i cili përfshinte sizmologë të Universitetit të Maryland-it, për të matur vetitë thelbësore të Marsit duke përdorur të dhëna sizmike nga misioni tokësor i NASA InSight, i cili përfundoi në dhjetor.

“Në vitin 1906, shkencëtarët zbuluan për herë të parë bërthamën e Tokës duke vëzhguar se qysh valët sizmike nga tërmetet u ndikuan nga udhëtimi nëpër të”, tha në një deklaratë profesori i Gjeologjisë në UMD, Vedran Lekic.

“Më shumë se njëqind vjet më vonë, ne po zbatojmë njohuritë tona për valët sizmike në Mars. Me InSight, më në fund po zbulojmë se çfarë është në qendër të Marsit dhe çfarë e bën Marsin kaq të ngjashëm, por edhe të dallueshëm nga Toka”, shtoi Lekic.

Studiuesit gjurmuan të dhënat sizmike të InSight, të cilat zbuluan dy ngjarje të largëta që ndodhën në Mars, duke përfshirë një tërmet dhe një goditje meteori.

“Ne pritëm për më shumë se 900 ditë për një tërmet në anën e largët. Pastaj 24 ditë më vonë, pati një përplasje meteori”, tha sizmologia Jessica Irving nga Universiteti i Bristolit në Britani.

Shkencëtarët matën kohën që iu desh atyre valëve sizmike për të udhëtuar nëpër Mars. Me atë informacion, ata ishin në gjendje të vlerësonin densitetin e bërthamës së planetit dhe të përcaktonin përbërjen e tij kimike të squfurit dhe oksigjenit.

“Ju mund ta mendoni këtë në këtë mënyrë: Vetitë e bërthamës së një planeti mund të shërbejnë si një përmbledhje se si u formua planeti dhe se si ai evoluoi në mënyrë dinamike me kalimin e kohës”, tha gjeologu Nicholas Schmerr.

“Bërthama e Tokës e lejon atë të gjenerojë një fushë magnetike që na mbron nga erërat diellore, duke lejuar mbajtjen e ujit. Bërthama e Marsit nuk e gjeneron këtë mburojë mbrojtëse dhe kështu kushtet sipërfaqësore të planetit janë armiqësore ndaj jetës”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat