Shkencëtarët po mundohen të rritin sallatat në hapësirë – pse ato mund të jenë vdekjeprurëse për astronautët

Shkencë & Teknologji

Shkencëtarët po mundohen të rritin sallatat në hapësirë – pse ato mund të jenë vdekjeprurëse për astronautët

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 07:22
Foto ilustrim

Duke marrë parasysh se këshillohet të hahen sa më shumë fruta dhe perime, shkencëtarët po testojnë metoda të ndryshme kultivimi në hapësirë, në mënyrë që astronautët ose udhëtarët komercialë të mund të ushqehen sa më shumë që të jetë e mundur.

Por, një studim i ri sugjeron se “sallata e hapësirës”, sado ushqyese të jetë, mund të përbëjë një rrezik për astronautët. Problemi është se me rritjen e bimëve me gjethe si marule dhe spinaq në mikrogravitet vjen edhe një “pjatë” e veçantë me baktere.

Gjegjësisht, sipas testeve të kryera në Universitetin e Delaware, bimët e rritura në mikrogravitet të simuluar ishin shumë më të ndjeshme ndaj patogjenit Salmonella enterica. Në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) ka shumë baktere dhe kërpudha agresive dhe nëse ato nxisin zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme, astronautët në ISS do të ishin në rrezik.

“Askush nuk dëshiron që i gjithë misioni të dështojë për shkak të ndonjë sëmundje të shkaktuar nga ushqimi”, tha biologu Harsh Bais nga Universiteti i Delaware. Bais dhe kolegët e tij simuluan kushtet e mikrogravitetit në laborator dhe më pas shtuan bakteret S. enterica në gjethet e marules.

Ata u befasuan që poret e vogla (stoma) në marule u përhapën. Stomatat zakonisht përdoren për të parandaluar pushtimin e patogjenëve, ndërsa në të njëjtën kohë ndihmojnë bimën të “marrë frymë”, shkruan sciencealert.

Shkencëtarët më pas shtuan një lloj bakterie të dobishme për sallatën, e cila normalisht mbron bimët nga streset e jashtme, por mbrojtja ishte ende joefektive. Mikrograviteti duket se çaktivizon reaksionet kimike me të cilat marulja siguron mbrojtjen e saj.

“Nuk e prisnim që stoma (poret) të mbetej e hapur kur e ekspozonim bimën ndaj stresit. E bëmë në mënyrë që marulja të mos dinte se çfarë kishte lart dhe çfarë kishte poshtë saj, domethënë studionim reagimin e saj ndaj gravitetit”, tha biologu, Noah Totsline.

Megjithëse studimet e mëparshme kanë treguar se marulja e hapësirës është e sigurt për t’u ngrënë dhe po aq ushqyese sa ajo e rritur në Tokë, ky studim i ri sugjeron se mund të ketë probleme në luftimin e patogjenëve.

Duke marrë parasysh që bakteret hapësinore mund të jenë krijesa mjaft të këqija (është treguar se gjatë mikrogravitetit, disa prej tyre mund të ndryshojnë përgjithmonë dhe të shumohen më shpejt), kjo paraqet një pengesë të caktuar që duhet punuar.

“Ne duhet të zvogëlojmë rreziqet për ata që qëndrojnë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe për ata që do të vijnë atje në të ardhmen. Është e rëndësishme të kuptojmë më mirë se si patogjenët reagojnë ndaj mikrogravitetit, në mënyrë që të mund të gjejmë zgjidhje për problemet e mundshme sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë mikrobiologia Kali Kniel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat