NASA dhe Nokia po dërgojnë rrjetin 4G në hapësirë – çfarë do të thotë kjo për njerëzimin?

Shkencë & Teknologji

NASA dhe Nokia po dërgojnë rrjetin 4G në hapësirë – çfarë do të thotë kjo për njerëzimin?

Më: 28 prill 2024 Në ora: 00:06
Foto ilustrim

Dërgimi i mesazheve në Hënë? Mund të mos jetë aq larg sa mendoni.

Ky është vizioni i përbashkët i NASA-s dhe Nokia-s të cilat kanë lidhur partneritet për të ngritur një rrjet telefonik në Hënë i cili thuhet të ndihmojë në rritjen e pranisë njerëzore edhe në planete tjera.

Bëhet e ditur se një raketë SpaceX do të niset këtë vit dhe do të transportojë rrjet të thjeshtë 4G në Hënë.

Sistemi do të instalohet në polin jugor të Hënës dhe do të kontrollohet nga distanca nga Toka, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

“Sfida e parë për ngritjen dhe funksionimin e një rrjeti është të kesh pajisjen e kualifikuar për hapësirën e caktuar”, tha Walt Engelund, zëvendës administrator i asociuar për programet në Drejtorinë e Misionit të Teknologjisë Hapësinore të NASA-s.

Mirëpo, kjo thuhet të jetë sfidë mjaft e madhe pasi rrjeti duhet t’i mbijetojë mjedisit të ashpër hënor të temperaturave ekstreme dhe rrezatimit.

Siç raportohet, rrjeti 4G hënor po ndërtohet nga Bell Labs i Nokia-s.

Ai do të ngarkohet në një tokëzues të zhvilluar nga kompania amerikane Intuitive Machines dhe pasi të vendoset do të lidhet me Tokën përmes pajisjeve radio me dy automjete roaming që për mision do të kenë të kërkojnë akull në Hënë.

Një nga automjetet, roveri Lunar Outpost, do të eksplorojë zonën e njohur si Shackleton Connecting Ridge, ndërsa tjetri automjet, Micro-Nova, do të zhytet në një krater hënor në kërkim të akullit.

E imazhet e akullit të transmetuara në kohë reale përmes rrjetit telefonik do të ishin të parat në botë.

Zbulimi i akullit hënor është i rëndësishëm pasi ai mund të përdoret për të krijuar oksigjen, madje edhe karburant për të nisur misionet në Mars nga Hëna.

Për programin Artemis të NASA-s i cili synon të dërgojë astronautët në Hënë, lidhja telefonike është e shumë e çmuar.

Akutalisht, astronautët flasin me njëri-tjetrin me radio, por NASA dëshiron një sistem komunikimi hënor të aftë për të mbështetur video me rezolucion të lartë.

“Të jesh në gjendje të komunikosh në Hënë është kritike për Artemis, po aq kritike sa elementet tjera si uji për të pirë dhe ajri për të marrë frymë”, tha Engelund.

“Përfundimisht, kjo përpjekje do të ndihmojë në krijimin e një rrjeti komunikimi hënor që do t’i jap eksploruesve tanë aftësinë për të transmetuar të dhëna shkencore, për t’u konsultuar me ekipin e misionit dhe për të folur me familjet e tyre”, shtoi Engelund.

Pajisjet personale të secilit eksplorues do të mund të lidhen me rrjet, duke i lejuar ata të përdorin telefonat inteligjentë që mund të kenë qasje në të gjitha aplikacionet dhe shërbimet e disponueshme si në Tokë.

NASA zgjodhi Bell Labs si pjesë e nismës së saj Tipping Point dhe e një serie partneritetesh me kompani në një përpjekje për të zhvilluar teknologji për misionet e ardhshme në hapësirë.

Bell Labs iu dha një grant prej 14.1 milionë dollarëve në vitin 2020 dhe menjëherë pas kësaj Nokia u zgjodh nga Agjencia e Projekteve të Avancuara të Kërkimit të Mbrojtjes së SHBA-së (DARPA) për të filluar punën e një infrastrukture të komunikimit.

Një ekonomi e ardhshme hënore do të varet në mënyrë kritike nga teknologjitë e komunikimit për të mbledhur dhe analizuar të dhëna, për të shkëmbyer informacione dhe për të mirëmbajtur dhe kontrolluar operacionet”, tha Thierry Klein, kreu i Bell Labs Solutions Research.

Kjo përfshin mbajtjen e një pranie njerëzore ‘gjysmë të përhershme’ ose të përhershme në Hënë, si dhe operacione të automatizuara robotike për transport, përpunim të mineraleve dhe mbledhje të të dhënave shkencore”, shtoi Klein.

Ndryshe, nëse një rrjet i tillë i reziston udhëtimit në orbitë, pastaj vendoset dhe duron temperatura të luhatshme dhe rrezatime në hapësirë, ai do të jetë në gjendje të mbijetojë edhe në vende polare në Tokë, shkretëtira ose në det të hapur.

“Kur bëhet fjalë për vendosje në distancë, është e dobishme të kesh pajisje rrjeti kompakte që mund të transportohen lehtësisht dhe të vendosen kudo”, tha Klein. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat