Vrasja e 70-vjeçarit në Shkodër, policia njoftim zyrtar: Si ndodhi krimi

Shkodra

Vrasja e 70-vjeçarit në Shkodër, policia njoftim zyrtar: Si ndodhi krimi

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 08:44
Foto ilustrim

Zbardhet ngjarja e ndodhur mesditën e djeshme, në fshatin Boks, ku në një kanal u gjet trupi i pajetë i shtetasit Musa Bajraktari.

Burime zyrtare nga policia e Shkodrës bënë me dije se nga hetimet rezultoi se 70-vjeçari ishte vrarë nga fqinji i tij, shtetasi Xhemal Zeqiri, për motive të dobëta. Sipas të njëjtave burimeve, i moshuari ishte goditur me sëpatë në kokë, plagë që i mori edhe jetën.

NJOFTIMI I POLICISE

Vihet në pranga fqinji i 70-vjeçarit, i cili nga hetimet e thelluara rezultoi se vrau këtë shtetas, me mjet prerës, pas një konflikti për motive të dobëta.

Sekuestrohet mjeti prerës (sakicë), me të cilin u krye vrasja.

Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 19.10.2023, në fshatin Boks, Shkodër, ku në një kanal u gjet trupi i pajetë i shtetasit M. B., 70 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Shkodër, për të cilin paraprakisht u dyshua se e kishte humbur jetën, prej shkaqeve natyrale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe ata të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e qarkut, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, për të cilën u vu në pranga shtetasi:

-Xh. Z., 60 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Shkodër, për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Nga provat e siguruara dyshohet se 60-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (sakicë), në kokë, shtetasin M. B., i cili për shkak të goditjes, ka rënë në kanalin e fshatit Boks, ku u gjet i pajetë më pas. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (sakicë). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat