Pjesëtarë të një grupi kriminal, 3 të arrestuar në Shkodër, 2 prej tyre ushtarë në Repartin e Këmbësorëve

Shkodra

Pjesëtarë të një grupi kriminal, 3 të arrestuar në Shkodër, 2 prej tyre ushtarë në Repartin e Këmbësorëve

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 11:54
Foto ilustrim

Tre pjesëtarë të një grupi kriminal në Shkodër janë vënë në pranga.

Policia bën me dije se ata akuzohen për disa raste në fushën e vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës, të kryera gjatë vitit të fundit.

Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas policisë, këta shtetas janë autorë të dyshuar të djegies së  4 automjeteve, 4 vjedhjeve në banesa në Vaun e Dejës dhe 2 vjedhjeve në banesa në Shkodër.

Në kuadër të operacionit “Polinomi” u vunë në pranga shtetasit R. G., 24 vjeç dhe G. D., 24 vjeç, të dy me detyrë ushtarë në Repartin e Këmbësorëve, banues në Vaun e Dejës, si dhe shtetasi F. J., 34 vjeç, banues në Shkodër. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. N., 24 vjeç dhe K. D., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, të organizuar si grup, dyshohet se kanë kryer këto ngjarje kriminale:

-më datë 18.11.2022, kanë djegur 3 automjete, në një servis automjetesh, ndërsa më datë 10.01.2023, kanë djegur 1 automjet, në fshatin Kaçë;

-gjatë periudhës shtator-nëntor 2023, kanë vjedhur shuma parash dhe sende personale, në 6 banesa, në Vaun e Dejës dhe në Shkodër.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet që dyshohet se është përdorur nga këta shtetas, për të shkuar në vendngjarjet.

Vijon intensivisht puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe provuar ligjërisht ngjarje të tjera kriminale kundër pronës dhe pasurisë, që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat