Shkup, debate rreth blerjes së një qendre tregtare

Shkupi

Shkup, debate rreth blerjes së një qendre tregtare

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 19:49
Qendre tregtare

Blerja e një qendre tregtare në zemër të Shkupit ka nxitur kritika të ashpra nga opozita në Maqedoninë e Veriut, për shkak se një nga blerësit është nipi i kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Nuk dihen burimet e parave të 25-vjeçarit Drin Ahmeti, ndërsa ai thotë se drejton disa kompani dhe se do t’ua ofrojë gazetarëve të dhënat e bizneseve të tij, pasi të realizohet marrëveshja për aksionet rreth qendrës tregtare. Kjo pritet të bëhet publike në muajin shtator. Një partner tjetër në këtë biznes është Vladimir Pjetërgjokaj, një shtetas shqiptar. Dy aksionarët kryesorë zotohen se do të marrin përsipër borxhin prej rreth 20 milionë eurosh të kompanisë.

Kjo ndërtesë në qendër të Shkupit quhet Soravia; aktualisht është qendër tregtare me një pronar të huaj i quajtur Hanno Soravia. Shkaku i nxitjes së debateve dhe interesit tek publiku është se kjo kompani e vlerësuar në disa milionë euro së shpejti pritet të bëhet pronë e Drin Ahmetit dhe Vladimir Pjetërgjokajt.

Drin Ahmeti është një i ri, 25 vjeç dhe është nipi i Ali Ahmetit, kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Kjo lidhje ka shtyrë opozitën, si maqedonase edhe shqiptare të hedh akuza për përfshirje në një skandal korrupsioni të vetë zotit Ahmeti, partisë së tij dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ku BDI-ja është partia e dytë më e madhe në koalicionin qeveritar.

Drin Ahmeti dhe Pjetërgjokaj kanë pranuar që ta paguajnë borxhin e kompanisë Soravia, që është rreth 20 milionë euro.

Ata flasin fillimisht për një linjë kreditore prej gjashtë milionë eurosh; teksa deri tani pronarit Hanno Soravia i janë paguar tre milionë euro.

Drin Ahmeti tha se zotëron disa kompani jashtë vendit që si fushëveprimi kanë energjetikën dhe më e njohura është Thor Industries.

Ai bëri të ditur se do të ketë 39 përqind të aksioneve në Soravia; biznesmeni nga Shqipëria Vladimir Pjetërgjokaj 51%, ndërsa zoti Hanno Soravia do mbajë dhjetë përqind të aksioneve në atë që aktualisht është qendër tregtare në Shkup.

“Për të gjitha pronat që kemi do të ndajmë me ju çfarëdo që dëshironi të dini. Ato janë sekrete biznesore, por unë do t’i ndajë me ju që t’i shihni”, u tha zoti Ahmeti gazetarëve të interesuar më shumë për burimin e parave të biznesmenit të ri.

“Mund të shkoni në Bankën Qendrore të Shqipërisë dhe në atë të Maqedonisë së Veriut për të pyetur se prej nga vijnë paratë”, tha ai duke theksuar pastërtinë e mjeteve financiare dhe të biznesit të tij.

“Unë si kompani kam një çmim shumë të madh në bankë, përveç se unë jam aksioner kryesor. Kemi lëviz kredi nga një vend në një vend tjetër, dhe ardhja ime në Maqedoninë e Veriut, ua shpjegova më herët, është në sajë të anës së Soravisë”, tha biznesmeni Vladimir Pjetërgjokaj.

Soravia Group merret me projekte në sferën e pasurive të paluajtshme; atë të inxhinierisë dhe ndërtimit të rrugëve. Vepron në Austri dhe në Evropën Lindore. Pronari aktual, Hanno Soravia thotë se qendra tregtare në Shkup është blerë nga shteti, në tender publik:

“Nuk më kujtohet saktë, por mendoj se shuma e blerjes ka qenë dhjetë apo dymbëshjetë milionë euro”, tha zoti Soravia duke folur përmes videos.

VMRO-DPMNE e opozitës i kërkon Kryeministrit Kovaçevski të vendosë nëse do të heshtë apo do të kërkojë përgjegjësi lidhur me nipin e zotit Ali Ahmeti.

“Deri sa Aliu, Grubi dhe të tjerët janë pjesë e qeverisë, familjet e tyre përfitojnë prona shumë-milionëshe; familjarët e zyrtarëve të BDI-së ngrejnë perandori biznesesh dhe kjo është arësyeja kryesore pse VMRO-DPMNE lufton që BDI-ja të shkojë në opozitë”, tha deputeti Dragan Kovaçki.

Ndërkaq, zoti Ahmeti dhe BDI-ja nuk kanë bërë ende komente lidhur me biznesin e Drin Ahmetit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat