Komunat e Shkupit vetorganizohen për pastrimin e mbeturinave në qytet

Shkupi

Komunat e Shkupit vetorganizohen për pastrimin e mbeturinave në qytet

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 10:40
Foto ilustrim

Mëngjesin e sotëm në rrugët e Shkupit sërish vërehen kontejnerë të tejmbushur me mbeturina, nga të cilët po përhapet erë e keqe pasi të punësuarit e ndërmarrjes së qytetit “Higjiena Komunale” – Shkup, për disa ditë në shenjë proteste refuzuan t’i zbrazin kontejnerët.

Disa nga kryetarët e komunave të Shkupit kanë bërë të ditur se janë organizuar për pastrimin e mbeturinave.

Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, ka bërë të ditur se vetë shërbimet komunale nga mëngjesi i sotëm do të fillojnë me grumbullimin e mbeturinave. Ai tha se e gjithë makineria e NP “POC” do të jetë në terren, si dhe pajisje shtesë për grumbullimin e mbeturinave.

Kryetarët e komunave të Aerodromit dhe Kisella Vodës, Timço Mucunski dhe Orce Gjorgjievski dje kanë njoftuar se do të fillojnë vetë pastrimin e mbeturinave. Ata mbrëmë kanë tentuar të lënë mbeturinat e grumbulluara nga kamionët në deponinë “Drisla” në Shkup, prej nga nuk janë lejuar të hyjnë në deponi.

Nga një video e publikuar në rrjetet sociale shihet se si një kamion i mbushur me mbeturina i hedh mbeturinat përballë “Drislës”.

Sot me një deklaratë për opinionin ka reaguar NP “Drisla”, e cila ka bërë të ditur se Komuna Aerodrom dhe Kisella Voda nuk kanë marrëveshje me ta për deponimin e mbeturinave dhe se ajo ka skaduar në muajin mars. Nga deponia e Shkupit thanë se me hedhjen e mbeturinave para hyrjes së ndërmarrjes, kryetarët Mucunski dhe Gjorgjievski kanë kryer krim kundër mjedisit dhe pyesin se ku i depozitojnë këto komuna mbeturinat që pretendojnë se i mbledhin nëse nuk kanë marrëveshje me ta.

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dje pas mbledhjes së shtabit të krizës së qytetit, ka akuzuar se disa nga punëtorët kanë disa ditë që e kanë bllokuar punën e Higjienës Komunale për interesa personale. Megjithatë, ajo shton se pastrimi i mbeturinave po i kthehet normalitetit.

“Dje as institucionet nuk arritën të ndalin bllokimin e paligjshëm të kompanisë. Kjo është një tjetër shenjë se sundimi i ligjit nuk funksionon në Maqedoni. Për këto arsye, menjëherë është vënë në funksion shtabi i krizës nga ndërmarrjet publike të Shkupit, me qëllim të ruajtjes së higjienës në kryeqytet, të cilat janë në terren dhe në mënyrë aktive pastrohen. Ndërmarrja publike Higjiena Komunale tashmë po kthehet në normalitet, ndërrimi është duke punuar, shpresojmë që nga nesër të punojë me kapacitet të plotë”, tha Arsovska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat