Blinken i kënaqur që Malta do të jetë kryesuese e samitit të radhës të OSBE-së

Shkupi

Blinken i kënaqur që Malta do të jetë kryesuese e samitit të radhës të OSBE-së

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 19:32
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në Shkup, më 29 nëntor 2023.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në Shkup të mërkurën mbrëma, ku u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani, dhe u shpreh i kënaqur që Malta do të jetë kryesuese e samitit të radhës të organizatës.

Pas takimit me Osmanin, Blinkeni do të marrë pjesë në darkën e punës të organizuar në margjinat e samitit të OSBE-së, i cili fillon më 30 nëntor dhe mbaron më 1 dhjetor. Sipas burimeve diplomatike, Blinkeni do të largohet nga Maqedonia e Veriut pas darkës, ndërsa shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, do të arrijë në Shkup më vonë gjatë mbrëmjes së sotme.

Blinken tha se i vjen mirë që Malta është zgjedhur si kryesuese e samitit të radhës të OSBE-së më 2024.

“Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken.

Në një intervistë të mërkurën për Radion Evropa e Lirë, Osmani i hodhi poshtë vlerësimet se Rusia ka fituar duke votuar që Malta të jetë vendi kryesues i organizatës më 2024, pasi Moska i vuri veto Estonisë, shtet anëtar i NATO-s.

Sekretari amerikan i Shtetit nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në të.

Pjesëmarrja e Lavrovit në këtë takim u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

Leja është e përkohshme dhe e vlefshme vetëm për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të OSBE-së, apo 3 orë para dhe 72 orë pas datës së caktuar.

Në takimin e OSBE-së do të marrin pjesë 76 delegacione nga 57 shtete anëtare dhe shtete partnere të organizatës.

Por, heqja e ndalesës për diplomatin rus, Sergei Lavrov, bëri që pjesëmarrjen në Këshillin Ministror të OSBE-së ta anulojnë ministrat e jashtëm të Ukrainës, Dmitry Kuleba, dhe të vendeve baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania.

Ndërkohë, Blinkeni ka thënë se SHBA-ja e mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik dhe punën për forcimin e institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

“Mbështesim fuqimisht punën që po bëni për diversifikimin më të madh të energjisë në rajon dhe më gjerë, e cila do të ketë një ndikim të madh, në të gjithë këtë. SHBA-të mund t'i llogaritni si një partner të fortë dhe për këtë shkak, jam këtu sonte jo vetëm për OSBE-në, por edhe për Maqedoninë e Veriut dhe për të treguar se sa e vlerësojmë partneritetin që kemi”, tha ai./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat