Imzot Lazër Mjeda, frymëzues i një epoke të re ndryshimesh pozitive në botën shqiptare

Shkupi

Imzot Lazër Mjeda, frymëzues i një epoke të re ndryshimesh pozitive në botën shqiptare

Nga: Skender Asani Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 17:01
Skender Asani

Në vitet 1909-1921, Arqipeshkvia e Shkupit kishte fat të madh me emërimin e imzot Lazër Mjedës në krye të saj. Koha kur ai e kreu me dinjitet këtë detyrë, ishte e mbushur me ngjarje dramatike, me prishje të balancave gjeopolitike ku ishte tepër vështirë t’i shërbeje kauzave të shenjta kombëtare efetare.

Jemi në kohën kur njëra perandori po ikte, kurse tjetra po vinte, por që të dyja po linin gjurmë robërie mbi viset shqiptare, ku Shkupi përbënte një prej qerthujve të zhvillimeve politike e gjeostrategjike. Jemi në kohën kur kishte lindur Gonxhe Bojaxhiu-Nëna Tereza (26 gusht 1910), të cilën e kishte krezmuar pikërisht Imzot Lazër Mjeda, në vendlindjen e saj në Shkup.

Imzot Lazër Mjeda gjatë 13 viteve sa ishte në krye të Arqipeshkvisë së Shkupit, iu desht të vepronte në dy fronte: në njërën anë luftonte që të mbajë gjallë moralin dhe dinjitetin e besimtarëve katolikë shqiptarë në ditët e fundit të Perandorisë Osmane, kurse në anën tjetër të mbante shënime dhe të raportonte në qendrat evropiane për pasojat tragjike mbi shqiptarët që lanë luftërat ballklanike, Lufta e parë botërore dhe më vonë Mbretëria Serbe‐Kroate‐Sllovene (SKS).

Në raportet që Imzot Mjeda i dërgonte botës perëndimore për gjendjen e rëndë të shqiptarëve e për masakrat që kryheshin ndaj tyre, gjenin burim informacioni edhe shumë gazetarë, diplomat e udhëpërshkrues perendimorë që vizitonin Shkupin dhe viset shqiptare pas depërtimit të ushtrive pushtuese serbe. Në këtë punë të palodhoshme atij i ndihmoi edhe Don Zef Ramaj.

Një kontribut të veçant , ndonëse në prapaskenë, të Imzot Lazër Mjedës e shohim edhe në përgatitjene shpalljes së Pavarësisë së Shqiperisë. Ismail Qemali gjendej në Vjenë para shpalljes së pavarësisë, dhe kishte probleme financiare që të udhëtonte në Shqipëri. Ai kishte mbetur në Vjenë dhe nuk mund të vinte në Shqiperi. Kështu që Imzot Lazër Mjeda mobilizoi miqtë e vet të qeverisë Austro‐Hungareze dhe ia mundësoi Ismail Qemalit që përmes një anije të veçantë të financuar nga Vjena, të vinte deri në Durrës.

Mjeda veproi dëri më 1921 në Argjipeshkvinë e Shkupit. Në vitit 1921 largohet “në heshtje” prej Argjipeshkvisë së Shkupit pas presioneve të strukturave policore e shtetërore serbe.

Por, gjurmët e punës së tij do të ngelin edhe pas largimit nga Shkupi, për arsye se gjatë gjithë kohës ai mbolli fidanet e devotshmërisë ndaj Zotit dhe Atdheut.

Jemi me fat që kishim një udhëheqës shpirtëror si Imot Lazër Mjeda, vepra dhe shembëlltyra e të cilit duhet të na frymëzonjë për një epokë të re ndryshimesh pozitive që duhet të ndodhin në botën shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat