12.5 miliard lekë ose 14% buxhet më shumë për Ministrinë e Drejtësisë

Shqipëria

12.5 miliard lekë ose 14% buxhet më shumë për Ministrinë e Drejtësisë

Më: 2 janar 2019 Në ora: 10:57
Shqipëria

Për vitin 2019, buxheti i parashikuar për Ministrinë e Drejtësisë është në total 12 miliard e 401 milionë e 756 mijë lekë. Ky buxhet, i krahasuar me buxhetin e vitit 2018 është rritur me 14%.

Kjo rritje në vitin 2019, vjen për shkak të nevojës për të jetësimin e Reformës në Drejtësi.  Paketë e cila është mbështetur financiarisht si rrallë herë nga buxheti i shtetit ku 1.5 miliardë do t’i kushtohen vetëm skemës së re të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, duke përfshirë këtu mbështetjen financiare të institucioneve të reja të vettingut si dhe institucioneve të reja që do të ngrihen që në fillim të vitit 2019, Këshillat dhe institucionet e SPAK.

Për implementimin e Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit është e domosdoshme ngritja e dy institucioneve, Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve dhe Institucioni i Edukimit dhe Rehabilitimit të të Miturve, të cilat janë parashikuar në buxhetin e vitit 2019. Ngritja dhe funksionimi i këtyre dy institucioneve do t’i shërbejë trajtimit të të miturve në përputhje me standardet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të tyre, duke synuar edukimin, rehabilitimin dhe ri integrimin e të miturve në konflikt me ligjin.

Qëllimi i këtyre dy institucioneve është që të miturit në konflikt më ligjin, të trajtohen pa u izoluar përmes programeve të përshtatshme për edukimin, rehabilitimin dhe ri integrimin në komunitet dhe në shoqëri dhe shmangien e përfshirjes sërish të tyre në rrugën e kriminalitetit dhe uljen e recidivizmit.

140 milionë lekë në total janë parashikuar të investohen në këto dy institucione të reja.

Ndërkohë mbështetur në parashikimet e ligjit 111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, struktura e integruar e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, e cila do të ketë 8 qendra shërbimi në tetë rrethe të vendit.

Për funksionimin e kësaj Drejtorie dhe qendrave të saj, për menaxhimin, administrimin dhe ofrimin e shërbimit ligjor falas, ku edhe qytetarët në pamundësi financiare të mbrohen në gjykatë për çështjet civile dhe administrative me një avokat profesionalisht i zoti, janë parashikuar 89 milionë lekë në  projektbuxhetin e vitit 2019.

Nëpërmjet planifikimit dhe administrimit të kujdesshëm të parave publike, Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet ALUIZNI-t për vitin 2018 kishte parashikuar që të miratohen 25,000 leje legalizimi për 25.000 familje shqiptare ndërkohë që vetëm për periudhën Janar-Tetor 2018 u arrit që të legalizohen 25.131 objekte ose 18% më shumë se pritshmëria.

Ministria e Drejtësisë gjatë vitit 2018, nëpërmjet Agjencisë së Trajtimit të Pronave ka kompensuar 65 subjekte sipas kërkesave të veçanta dhe vlera financiare e shpërndarë është 338 milion e 742 mijë lekë.

Ndryshimet ligjore të VKM nr. 223/2016 të ndodhura në dhjetor 2017, i dhanë prioritet kompensimit fizik nga fondi i tokës së ATP-së lidhur me ekzekutimin e vendimeve.

ATP në dhjetor 2018 përfundoi procesin e vlerësimeve të të gjithë vendimeve që kanë njohur të drejtën e pronës për kompensim duke nxjerrë faturën financiare totale. Me përmbylljen e proceseve të mësipërme, ATP do të vijojë me ekzekutimin e kërkesave për kompensim.

Buxheti i vitit 2019 ka parashikuar buxhetin prej 4 miliardë lekë vetëm për kompensimin e pronarëve.

Ministria e Drejtësisë është angazhuar për të kryer një reformë thelbësore në sistemin e burgjeve. Sistemi penitenciar paraqet një shqetësim serioz në kushtet aktuale. Edhe pas ndërhyrjeve gjatë vitit 2018 institucionet e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit kanë probleme të theksuara mbipopullimi dhe mungesë standardesh në respektimin e të drejtave themelore të të burgosurve.

Përveç reformës në rekrutimin e drejtuesve të burgjeve si dhe të stafit policor dhe civil, ne jemi të vendosur për të përmirësuar kushtet dhe trajtimin e të dënuarve. Për këtë qëllim buxheti i Ministrisë së Drejtësisë ka parashikuar për programin e burgjeve 5 miliardë e 853 milionë e 174 mijë lekë.

Gjatë vitit 2019 do të kemi një trajtim dinjitoz të personelit policor të burgjeve duke i pajisur pas 10 vitesh më uniformë si dhe 3559 punonjës policie do të përfitojnë një rritje të pagës bazë në nivelin deri në 7%. Është rritja e parë që ju bëhet pas kaq shumë vitesh.

Në sajë të rritjes së kërkesës për realizimin e investimeve deri më tani kemi mundur të kapitalizojmë 88.57% të fondeve prej 400 milionë të akorduara për vitin 2018 për drejtorinë  Burgjeve. Në dhjetor 2018 përmbyllen punimet për rritjen e kapaciteteve në burgun 313 në Tiranë, i cili do të ulë mbipopullimin dhe do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të kushteve të jetesës dhe sigurisë.

Vetëm muajin e fundit për sistemin penitenciar u vunë në dispozicion 95.5 milionë lekë për forcimin e sigurisë me ngritjen e sallës operative, e cila do të mund të garantojë aksesin 24 orë të disa trupave në kamerat dhe skanerët e institucioneve penitenciare, duke e konsideruar projekti i “4 syve”.

Buxheti 2019 ka të parashikuar edhe blerje pajisjesh të ndryshme për sistemin e burgjeve në funksion të përmirësimit rrënjësor të menaxhimit dhe administrimit në sistemin penitenciar shqiptar nëpërmjet krijimit të bazës së nevojshme logjistike, rritjes së rendimentit të punës, përmirësimit të vazhdueshëm të elementeve të sigurisë dhe uljes së shpenzimeve të mirëmbajtjes së automjeteve.

Buxheti i vitit 2019, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të Ministrisë dhe marrjen më të mirë të këtyre shërbimeve nga qytetarët ka parashikuar, ndër të tjera edhe investimet e mëposhtme:Përmirësimi i sistemit ALBIS. Ky sistem lejon përmirësimin e cilësisë së shërbimit përmbarimor privat dhe shtetëror, Nëpërmjet tij, ministria e Drejtësisë mund të inspektojë shërbimet e ofruara dhe të rrisë në këtë mënyrë transparencën me publikun dhe parandalimin e akteve korruptive në sektorin përmbarimor.

Mirëmbajtja dhe zhvillimi i sistemeve ICMIS, me vlerë 22.3 milionë lekë. Gjithashtu, qëllimi i këtij projekti është gjenerimi i statistikave për Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si dhe rritjen e transparencës nëpërmjet regjistrimit elektronik të dosjeve gjyqësore.

Digjitalizimi i regjistrit të noterisë dhe lidhja online me shërbimin e regjistrimit të pasurisë, me vlerë 8 milion lekë. Qëllimi i këtij projekti është gjenerimi i statistikave dhe indikatorëve globalë me analitikë për Ministrinë e Drejtësisë dhe institucione të tjera shtetërore (Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokuroria e Përgjithshme etj). Qytetarët shqiptarë do të mund të marrin në zyrën e noterit shërbimet që ofrohen nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Një projekt tjetër i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së shërbimit që qytetarët marrin nga Ministria e Drejtësisë është edhe Ndërtimi i arkivës elektronike, e motorit të kërkimit të Qendrës së Botimeve Zyrtare, i cili do të sjellë një koncept të ri të kërkimit dhe qasjes në dokumentacionin e kërkuar. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat