“Opozita bllokoi universitetet. Presim listat për disbursimet”

Shqipëria

“Opozita bllokoi universitetet. Presim listat për disbursimet”

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 06:10
Elisa Spiropali

Zëdhënësja e Qeverisë, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, u bëri apel drejtuesve në fakultete që të informojnë dhe sqarojnë studentët për dokumentacionin e nevojshëm mbi disbursimin e tarifave të shkollimit.

Të gjitha fondet janë në dispozicion, pritet vetëm dokumentacioni i sekretarive për tarifat, ndërsa do të shtyjmë afatin edhe për programin e punësimit, pasi ndërkohë që janë afro 400 aplikime në platformën “punetembare.al”, shumë studentë të tjerë ankohen që nuk kanë siguruar ende dokumentacionin.

Në një intervistë mbrëmjen e së enjtes, Spiropali tha se, “protesta e studentëve në fund të dhjetorit, ndërgjegjësoi politikën dhe shoqërinë mbi nevojat që ka brezi i ri, për emancipimin e jetës universitare, por edhe për kushte më të mira, lehtësim të tarifave dhe rritje të cilësisë së arsimit, por ajo që po ndodh tani, nuk ka lidhje me atë protestë, sepse është një uzurpim i ambienteve në ato pak fakultete nga një grup studentësh”.

Spiropali shpjegoi se, mësimi ka filluar në shumicën e fakulteteve dhe shembulli konkret, tha ajo, është fillimi i mësimit të studentëve të Drejtësisë në ambiente të tjera, ku shihet sa interes dhe dëshirë kishin studentët për të bërë mësim, madje do të kryejnë mësim edhe pasdite, edhe ditën e shtunë e të dielë për të rikuperuar humbjen e kohës mësimore.

“Ata pak të rinj kanë të drejtë të kenë opinionin e tyre mbi ligjin e Arsimit të Lartë apo dhe gjithçkaje tjetër, por nuk kanë të drejtë që të pengojnë studentët e tjerë të marrin formularët për të përfituar nga paketa në mbështetje të universitetit”, – theksoi ajo.

Me Paktin e ri për Universitetin, studentët përfitojnë një sërë lehtësirash tarifore për mësim dhe akomodimin.

Ajo është një paketë e plotë, vijoi më tej Spiropali, që nuk i referohet vetëm kërkesave të studentëve, por edhe nevojave më të gjera në perspektivë të universiteteve. Kështu po bëhen binjakëzime të universiteteve me ministritë e linjës për zhvillimin e kërkimit shkencor apo dhe punësimin e studentëve.

Ndërsa për sa i takon, kërkesës së disa pedagogëve për rishikimin e Ligjit, Spiropali u shpreh se, “ne jemi të gatshëm të dëgjojmë çdo diskutim për përmirësimin e Ligjit, aty ku ka hapësira. Por ne besojmë se ai ligj, është bërë me konsulencën e ekspertëve më të mirë dhe merr parasysh nevojat e universiteteve dhe siguron autonomi të universiteteve”.

“Jemi për autonomi universitare me përgjegjësitë përkatëse, jemi që pedagogët dhe profesorët të merren për ngritjen cilësore dhe shkencore të universiteteve. Qeveria ka vënë fondin në dispozicion të paketës fiskale për studentët dhe i ka hapur mundësinë e punësimit studentëve të ekselencës në administratën publike”.

Duke iu referuar zhvillimeve sot në Kuvend, Spiropali u shpreh se “opozita nuk do ta kuptojë që mungesa e vizionit dhe e lidershipit të saj, ka sjellë që ne sot të kemi një situatë të papranueshme në Parlament. Ne nga protesta e studentëve kemi kuptuar nevojën që kanë studentët për të pasur një perspektivë pasi mbarojnë shkollën, pra një lidhje më të mirë midis asaj që studiojnë dhe tregut të punës. Ndaj projekti “punë të mbarë.al” ka 800 vende të lira pune në administratë dedikuar vetëm për studentët më të mirë”, tha Spiropali. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat