Donika Prela merr "dritën jeshile", kalon vettingun pavarësisht problemeve me pasurinë

Shqipëria

Donika Prela merr "dritën jeshile", kalon vettingun pavarësisht problemeve me pasurinë

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 10:00
Donika Prela

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka hapur dritën jeshile drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela.

KPK vendosi sot që të quajë si kaluese të vettingut Prelën, e cila mëse një javë më parë në seancën dëgjimore pati një moment tensioni me Theo Jacobs, njërin ndër përfaqësuesit të Operacionit ndërkombëtar të monitorimit (ONM).

“KPK zhvilloi një procedurë të thellë të hetimit administrativ për 3 objektet e vlerësimit, dëgjoi dokumentacionin shpjegues dhe atë të bërë prezent në seancën e dëgjimit.

Për rrjedhojë e konsiderojmë të përfunduar procesin e rivlerësimit.

Trupi gjykues vendosi konfirmimin në detyrë për subjektin e vlerësimit Donika Prela, drejtuese e prokurorisë së shkallës së parë të Krimeve të Rënda”, deklaroi KPK.

Kujtojmë se në seancën degjimore, dosja e Prelës kishte një numër problemesh rreth një apartamenti të blerë me çmim tejet të ulët në krahasim me atë të tregut si dhe faktin se i shoqi kishte marrë pagën “në të zezë”. Pikërisht mbi këtë pikë përfaqësuesi i ONM-së u shpreh se gjithë kjo i kishte lënë një shije të keqe.

 “Dosja juaj më la një shije të keqe”, kështu u shpreh përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, ndërsa i kërkoi llogari drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prelës, për disa probleme në lidhje me pasurinë e saj.

Pavarësisht këtyre prtoblemeve, Donika Prela e ka kaluar vettingun këtë të martë, duke mbajtur kësisoj detyrën e drejtueses së Krimeve të Rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat