Meta mesazh urimi Perandorit të Japonisë

Shqipëria

Meta mesazh urimi Perandorit të Japonisë

Më: 1 maj 2019 Në ora: 16:11
Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, uroi Naruhito për kurorëzimin në Fronin e Perandorit të Japonisë.

Në mesazhin e tij, Meta shprehet se ”kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të mira e të sinqerta për Madhërinë Tuaj, për Familjen Perandorake të Japonisë, si dhe për popullin mik japonez. Ju uroj nga zemra shëndet të plotë, lumturi dhe shumë suksese përgjatë Erës Suaj Perandorake “Reiwa”, në dobi të popullit japonez por edhe të paqes e sigurisë në rajon e në botë. Jam besimplotë dhe shumë optimist se gjatë Erës së Madhërisë Suaj, marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis dy vendeve e dy popujve tanë do të forcohen edhe më shumë e do të njohin zhvillime të reja pozitive, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”.

Ai thekson se  ”marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Japonisë janë zhvilluar në mënyrë shumë miqësore e të qëndrueshme, veçanërisht në tre dekadat e fundit. Hapja e Ambasadave të dy vendeve tona, respektivisht në Tokio e në Tiranë, i ka dinamizuar dhe zhvilluar marrëdhëniet si kurrë më parë, duke rritur jo vetëm bashkëpunimin politik e ekonomik, por mbi të gjitha kontaktet e drejtpërdrejta mes bashkëqytetarëve tanë. Kjo është garancia më e mirë për të ardhmen miqësore të dy vendeve tona”.

“Ju siguroj gjithashtu se, shqiptarët janë shumë mirënjohës për të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin që Japonia i ka ofruar përmes ndihmës teknike e financiare të dhënë ndër vite. Kjo ndihmë bujare e ka forcuar edhe më shumë ndjenjën e miqësisë së popullit shqiptar për Japoninë dhe popullin japonez. Së bashku me urimet më të mira për Madhërinë Tuaj, si dhe dëshirën për t’Ju takuar me rastin e ceremonisë së kurorëzimit, ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, përfundon mesazhi i presidentit Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat