Traveler.es: Shqipëria parajsa e re mesdhetare - Bota Sot
Traveler.es: Shqipëria parajsa e re mesdhetare

Shqipëria

Traveler.es: Shqipëria parajsa e re mesdhetare

Më: 5 maj 2019 Në ora: 10:19
Plazhi shqiptar

Imagjinoni Mesdheun! Çfarë ju vjen në mendje? Brigjet gjarpëruese të mbushura me shkëmbinj dhe limane. Qielli fantastik, pa një njollë reje. Dhe sigurisht, një det i jashtëzakonshëm, për të cilin nuk ka epitet që mund ta përshkruajë. Nëse nuk i keni planifikuar ende këto pushime verore, ju jeni ende në kohë për të bërë zgjedhjen e duhur.

Plazhet fantastike të jugut të Shqipërisë janë perlat e Mesdheut dhe ju duhet patjetër t’i vizitoni, shkruan Traveler.es.

”Shqipëria, objektivi juaj i ardhshëm.

Mundohuni të kujtoni plazhe si Costa Brava, Costa Azur ose bregdetin amalfitan… janë destinacionet e para që vijnë në mendje për disa pushime verore të paharrueshme në vijën e bardhë gurore dhe ujin blu të plazheve. Është koha për të shtuar në këtë listë edhe një vend të ri: Rivierën Shqiptare.

Plazhet më të mira të Rivierës Shqiptare

Shqipëria më në fund ka hapur dyert e saj për turistët dhe pushuesit dhe nuk ka nevojë për shumë argumente, thjesht shikoni fotot. Plazhet i ngjajnë parajsës në tokë (dhe disa janë pothuajse të braktisura). Surpriza arkeologjike dhe të gjitha me ndjenjën e zbulimit të një prej sekreteve të mirëfshehura në anën tjetër të Mesdheut.

Një breg i mbushur me surpriza

Riviera nuk ka kufij të përcaktuar, por nëse doni të vendosni një portë, ndoshta do të jetë në Vlorë, 150 kilometra në jug të kryeqytetit shqiptar, Tirana. Këtu është vendi ku Adriatiku takon Jonin, në një takim detar që ju fton të bashkoheni që nga momenti i parë. Vlora vjen me një ngarkesë të madhe historike: Aty u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Që atëherë, ajo është rritur për t’u bërë një qendër për aktivitetin e rëndësishëm të portit, gjithashtu dhe një nga  plazhet kryesorë të Rivierës fantastike .

Plazhi më i ri në dispozicion mund të jetë zgjedhja e ardhshme nëse nuk doni ta ndani veten në shumë bare të këtij plazhi. Uji i Ftohtë, vetëm dy kilometra larg, është një shtrirje e plazheve më pak të frekuentuar, por me një nivel të aktivitetit për t’u pasur zili.

Nëse dëshironi një ofertë të mirë për kohën e lirë, Vlora duhet të jetë zgjedhja juaj.

Pas bregdetit në jug, ndalesa tjetër është qyteti i qetë i Himarës, i ndarë midis vendpushimeve moderne dhe tavernave tradicionale greke. Pak me larg nga Himara është Llamani, një plazh i bukur, i rrethuar nga dy kodra, shumë popullor për turizmin vendas.

Po kërkoni një eksperiencë më të relaksuar? Shkoni në Qeparo, një fshat piktoresk i kapur pas dy shkëmbinjve dhe me pamje nga skena e Mesdheut, pikërisht ajo që keni në mendjen tuaj: portin e artë, detin bruz dhe qiellin e përjetshëm.

Mbërritja në Sarandë, qendra strategjike e Rivierës dhe një destinacion që po fiton popullaritet në Ballkan. Saranda, përkundër popullsisë modeste të saj, po përjeton një periudhë rritjeje të lartë, e cila dallon dukshëm nga “bumi” i ndërtesave në të gjitha kodrat përreth qytetit bregdetar. Por, për momentin (dhe fatmirësisht), Saranda mbetet një opsion i këndshëm si një bazë për të eksploruar plazhet aty pranë, kur ju i keni parë tashmë ata që janë në rrugë.

Oazet e Ksamilit

Midis tyre, Ksamili merr trofeun më të mirë, jo vetëm në zonë, por ndoshta në të gjithë Rivierën. Ky arkipelag i vogël, 20 milje në jug të Sarandës, ka tre plazhe të vogla gurore që pothuajse mund të bashkohen me njeri-tjetrin. Ksamili është shumë afër qytetit të lashtë të Butrintit, sot një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri. Me një park kombëtar, Butrinti tregon shenja të vendbanimeve të lashta romake dhe greke që kanë jetuar aty, në një përzierje interesante që do t’ju marrë një gjysmë dite, për t’ju nxjerrë kështu nga peshqiri i plazhit.

Ejani dhe zbuloni parajsën e re mesdhetare. Apo keni nevojë për më shumë arsye?”, përfundon Traveler.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...