KQZ vazhdon të injorojë Metën, miraton kërkesën e OSBE-ODIHR

Shqipëria

KQZ vazhdon të injorojë Metën, miraton kërkesën e OSBE-ODIHR

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 10:49
KQZ

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vijuar punën për zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit pavarësisht dekretit të Presidentit Meta. KQZ ka miratuar sot kërkesën e OSBE-ODIHR për 150 vëzhgues në zgjedhjet vendore.

Në këtë mbledhje ishte prezent edhe kryetari i komisionit, Klement Zguri i cili më herët i kishte bojkotuar mbledhjet dhe kishte mbajtur qëndrim publik kundër veprimtarisë së KQZ pas daljes së dekretit të Presidentit për anullimin e datës së zgjedhjeve.

Megjithatë Zguri bëri të qartë se prezenca e tij ishte vetëm për të votuar kërkesën e OSBE-së ashtu siç ka bërë dhe jo për pjesën tjetër të rendit të ditës.

“Nuk ka përpjekje nga askush për të bërë një vlerësim ligjore dhe real të dekretit. Unë jam kundër vendimarrjeve në parim”,- tha ai.

Kujtojmë se Presidenti Meta i ka bërë disa herë thirrje institucioneve që merren me administrimin e zgjedhjeve të zbatojnë ligjin. Pavarësisht kësaj KQZ ka vijuar punën duke e konsideruar nul dekretin presidencial. Disa ditë më parë Meta ju drejtua me një letër shefit në detyrë të OSBE ku i sqaronte se dekreti i tij ishte i ligjshëm dhe se 30 qershori nuk është më data e zgjedhjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat