Basha riorganizon PD, korriku dhe gushti muaj sulmi - Bota Sot
Basha riorganizon PD, korriku dhe gushti muaj sulmi

Shqipëria

Basha riorganizon PD, korriku dhe gushti muaj sulmi

Më: 14 korrik 2019 Në ora: 11:04
PD

Për demokratët duket se nuk do të ketë pushime vere. Me urdhër të kryetarit Lulzim Basha, korriku dhe gushti do të jenë muaj sulmi për të bërë një riorganizim të thellë në strukturat e Partisë Demokratike duke filluar që nga baza.

Në këtë urdhër të firmosur edhe nga sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi kërkohet që brenda datës 20 korrik, degët e PD-së të hartojnë një kalendar aktivitetesh politike për periudhën 22 korrik deri më 31 gusht, duke përfshirë takime me anëtarët e partisë, grupet e interesit në zonë, individë me influencë në zonat përkatëse, ish-drejtues të strukturave të partisë apo pushtetit vendor në atë zonë, si edhe verifikim të listave të votuesve për çdo qendër votimi.

Po ashtu brenda këtij afati kërkohet edhe një analizë e performancës për të gjitha strukturat në nivel seksioni dhe grupseksioni.

Për koordinimin e veprimtarisë organizative Basha ka ngritur edhe një grup pune, ku ka ndarë sipas zonave disa prej figurave kryesore, ish-deputetë të PD-së, që nuk kanë lidhje interesash me qarqet që do mbulojnë.

Vetë sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi është deleguar në Shkodër, ndërsa Flamur Noka do të ketë nën kujdestari Elbasanin, Librazhdin e Përrenjasin.

Në Durrës do të jetë Gent Strazimir, ndërsa Oerd Bylykbashi ka nën kujdestari Vorën e Rrogozhinën.

Edi Palokës i janë ngarkuar Kamza, Kavaja e Paskuqani, Ndërsa për Korçën do të përgjigjen Sahit Dollapi dhe Endri Hasa.

Enkelejd Alibeaj do të mbikqyrë riorganizimin në Dibër, ndërsa me Tiranën do të merren Albana Vokshi, Edmond Spaho, Aldo Bumçi, Orjola Pampuri.

Këta koordinatorë, sipas urdhrit do të njoftojnë kryetarin një herë në javë apo më shumë kur kërkohet mbi ecurinë e përmbushjes së këtij urdhëri.

Basha i ka kushtuar rëndësi afrimit të të personave me kontribute historike në parti, ndërsa ka kërkuar që të ketë riorganizim edhe në organizatat partnere siç i quan ai forumin e gruas dhe FRPD-në.

Brenda datës 15 gusht, kreu demokrat urdhëron që degët të plotësojnë edhe të dhënat e anëtarësisë duke marrë kontakt me çdo anëtar për të verifkuar kështu nëse në listë ka anëtarë fiktivë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...