Drejtori i Rrugores: Celulari në timon të ndëshkohet si përdorimi i alkoolit

Shqipëria

Drejtori i Rrugores: Celulari në timon të ndëshkohet si përdorimi i alkoolit

Më: 19 gusht 2019 Në ora: 00:55
Foto ilustrim

Përdorimi i celularit ndërkohë që je duke drejtuar automjetin është një vrasës i heshtur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera në BE dhe SHBA.

Drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora tha se po punojnë për propozimin e një norme të barabartë me ‘drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit’, por në këtë rast të quhet ‘përdorimi i mjetit nën ndikimin e celularit’.

Policia Rrugore po punon që të ashpërsohen akoma më shumë masat për ata drejtues mjeti që kapen duke folur me celular në timon.

Mitat Tola: Jemi duke punuar për të sjellë një normë, që ta barazojmë me drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit. Propozimi i Policisë Rrugore është që të propozojmë një normë ‘drejtimi mjeti nën ndikimin e celularit’. Është një normë që e kanë propozuar në SHBA para një viti e gjysmë. Normalisht me penalitete shumë më të rritura. Sot ne i ndëshkojmë drejtuesit e mjetit maksimumi me 1500 lekë të reja për përdorim celulari. Është pothuajse e papërfillshme për atë që do ta bëjë telefonatën.

Tola solli shembullin e Italisë, ku nëse një drejtues mjeti është përsëritës në përdorimin e celularit në timon i pezullohet leja e drejtimit nga 1 deri në 3 muaj.

Mitat Tola: Në terminologjinë e implementimit të një norme ne duhet të vendosim një pengesë në masë administrative që ta frenojmë atë drejtues mjeti që do të flasë, pavarësisht se telefonata mund ta joshë. Italia ka një normë, e cila nëse ti je përsëritës, përveç eurove që paguan si masë administrative në vend, ka edhe një masë kur je përsëritës, pezullimi  i lejes së drejtimit nga 1 deri në 3 muaj. Besoj se do të ishte mjaft e efektshme që një masë e tillë të vendosej edhe këtu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat