Iu shpëtoi disa atentateve, lihet në burg i “forti i Tiranës” Elvis Gaçaj

Shqipëria

Iu shpëtoi disa atentateve, lihet në burg i “forti i Tiranës” Elvis Gaçaj

Më: 12 tetor 2019 Në ora: 10:50
Elvis Gaçaj

Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë arrest me burg për shumë të kërkuarin i arrestuar gjatë një operacioni për armëmbajtje pa leje dy ditë më parë.

Gaçaj i cili u ka shpëtuar 3 atentateve të kryera ndaj tij në Tiranë me armë zjarri dhe eksploziv pritet të jetë personi i parë që të aplikohet ndryshimi i kodit penal për armëmbajtje pa leje.

Bashkë me të u arrestua edhe shtetasi Kostandin Driza 34-vjeç ndërsa policia tha se dy personat ishin të skeduar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni u zhvillua në rrugën ‘Taulantia’ në momentin kur dy të kërkuarit po udhëtonin me automjetin tip BMË.

Gjatë kontrollit të makinës policia u ka gjetur një armë zjarri pistoletë çeke me dy krehra me 26 fishekë kalibër 9 mm.

Gaçaj rezulton një nga emrat më të njohur për drejtësinë shqiptare. Dy herë i dënuar për krime të rënda, vrasje e tentativë vrasjeje, por i hetuar edhe për trafik droge brenda e jashtë Shqipërisë. Elvis Gaçaj është dënuar për vrasje në vitin 1992. Ai ishte adoleshent kur vrau me thikë shokun e tij.

Duke e goditur në njërën kofshë, i preu arterien kryesore dhe për pasojë bashkëmoshatari i tij gjeti vdekjen në spital. Për këtë ngjarje ai është dënuar me 14 vjet burg, dënim të cilin e ka përfunduar para disa vitesh. Vetëm pak muaj pasi kishte dalë nga burgu, në vitin 2008 Gaçaj përfundoi sërish në pranga.

Më 30 shtator të vitit 2008, Policia e Tiranës njoftonte se specialistët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit kishin arrestuar shtetasin Elvis Shpëtim Gaçaj, në atë kohë 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje.

Sipas Policisë, Gaçaj ishte arrestuar si autor i dyshuar për plagosjen për motive të dobëta të shtetasit Sefer M., ngjarje kjo e ndodhur më datë 26 korrik 2008.

Elvis Gaçaj, ne 2015 ka qenë objektiv i një atentati tek "Lulishte 1 Maji" në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai u plagos. Gaçaj, 44 vjeç, brenda viteve 2013-2015 u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.

Në atentatin e parë u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk shpërtheu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat