Basha shpjegon se çfarë e bën ndryshe atë nga Edi Rama - Bota Sot
Basha shpjegon se çfarë e bën ndryshe atë nga Edi Rama

Shqipëria

Basha shpjegon se çfarë e bën ndryshe atë nga Edi Rama

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 19:38
Lulzim Basha dhe Edi Rama

Në debatin për ndërrimin e pushtetit në Shqipëri, një nga temat më të diskutuara është se çfarë të reje do të sjellë opozita nëse ajo do të vijë në pushtet.

Në takimin me të rinjtë në Vlorë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur pyetjes së çfarë e bën atë ndryshe nga kryeministri aktual. Ai nënvizoi dy aspekte kryesore që sipas tij e veçojnë nga kryeministri Rama, të qenit jo i lidhur me krimin dhe me oligarkinë dhe për të dyja këto ai dha shembuj të sipërmarrjeve politike në luftën ndaj të dyjave.

“Çfarë kam unë ndryshe? Është e vështirë të flasësh për veten, por e kam për detyrë ta shpjegoj, përderisa e kërkoj këtë përgjegjësi. E kam për detyrë t’ju them se ndryshe nga ky që qeveris sot, unë nuk kam lidhje me asnjë kriminel dhe nuk jam mbështetur kurrë tek kriminelët për pushtetin tim apo të partisë sime. Përkundrazi! Ne kemi bërë një betejë 6 vjeçare kundër krimit dhe kemi fituar disa segmente të kësaj beteje, siç është përshembull ligji për dekriminalizimin, që ka nxjerrë shumë pushtetarë nga parlamenti, nga bashkitë. I fundit ishte ky i Vorës.

Unë nuk kam asnjë lidhje me oligarkinë.  Përkundrazi! Unë dhe partia ime kemi një plan për ta  çarmatosur oligarkinë nga instrumentet me të cilat kap shtetin dhe pushtetin dhe pastaj vjedh dhe grabit pasuritë e shqiptarëve, siç kemi edhe një plan për t’u marrë çdo qindarkë që i kanë marrë nga taksat tuaja dhe për t’jua rikthyer juve”, deklaroi Basha.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat