Rinisin jetën ku e ndërpreu tërmeti

Shqipëria

Rinisin jetën ku e ndërpreu tërmeti

Më: 30 nëntor 2019 Në ora: 20:29
Foto

Qytetarët në Thumanë dhe Durrës po përpiqen t’i rikthehen normalitetit, por shumica janë larguar nga shtëpitë e tyre të dëmtuara në kërkim të një vendi të sigurtë. Ndërsa industria e turizmit është e frikësuar për të ardhmen. Menaxherët e hoteleve druajnë se pamjet e ndërtesave të shkatërruara do t’i mbajnë larg turistët.

Njerëzit në qytetet më të goditura nga tërmeti në Thumanë dhe Durrës po përpiqen t’i rikthehen normalitetit, por duket se një gjë e tillë do të kërkojë shumë kohë.

Bilanci i viktimave të tërmetit me magnitudë 6.3 i shkallës Richter u ngjit në 51, ndërsa të gjitha operacionet e kërkim shpëtimit kanë përfunduar.

Të paktën 4,000 vetë nuk mund të kthehen në banesa ndërsa shumë të tjerë vetë janë vendosur në hotele, palestra shkollash, çadra dhe shtëpitë e të afërmve.

Shumica janë larguar nga shtëpitë e tyre të dëmtuara në kërkim të një vendi më të sigurtë. Të tjerë si shitësja ambulante Zelie Koçia, iu duhet të qëndrojnë. Asaj i duhet të kujdeset për vajzën dhe bashkëshortin, që të dy të sëmurë.

"Shumica e njerëzve kanë ikur. Ndërtesat janë boshatisur. Shumica ikën në Tiranë sepse ndërtesat janë shkatërruar. Shtatë autobusë ikën dje në Kosovë. Por mua më duhet të ushqej familjen duke shitur fruta dhe perime. Shtëpia ime është e shkatërruar. Ç’bie jashtë hyn brenda dhe deri tani nuk kam marrë ndonjë ndihmë," tha ajo.

Tërmeti nuk e dëmtoi këtë hotel me pesë yje, por menaxheri i tij Fatos Limaj, thotë se sezoni i ardhshëm turistik do të jetë i vështirë për të dhe për 63 punonjësit.

"Mendoj se e ardhmja do të jetë shumë e vështirë. Sepse sapo turistët do të kërkojnë në Google emrin e këtij vendi, Durrësit, Shqipërisë, me siguri e para që do të shohin do të jetë ky tërmet. Ndaj mendoj se do të jenë të trembur që të vijnë këtu dhe të na vizitojnë," thekson Fatosi.

Ai vetë ofron kafe falas për këdo që vjen në hotel, ndërsa rezervimet tani janë pezulluar.

Të mbijetuarit po përpiqen ta rinisin jetën aty ku e ndërpreu tërmeti. Disa dyqane janë hapur dhe shitësit ambulantë janë rikthyer në rrugë, të gjithë me shpresën se ky makth do të harrohet shpejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat