Flet doktori që i shpëtoi jetën Klajdi Qatos. Momentet delikate

Shqipëria

Flet doktori që i shpëtoi jetën Klajdi Qatos. Momentet delikate

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 22:35
Greji Malo

Një tërmet i fuqishëm dhe me pasoja katastrofike goditi vendin javën që lamë pas.

Tërmeti shkaktoi mbi 50 të vdekur dhe qindra të plagosur, ndersa edhe shumë dëme materiale, kryesisht në Durrës dhe në Thumanë por edhe në Tiranë.

Klajdi Qato, një nga të mbijetuarit e tërmetit, në një rrëfim për Top Story, ka treguar momentet delikate.

Stresi që shkaktonte situata ku ndodhej dhe ulja e temperaturave ishin problemet kryesore.

“E pyeta çfarë ka nevojë, mu përgjigj, krijova kontaktin për të biseduar, më tha kam ftohtë. Kishte rënie të lehtë të temperaturës 35.5 gradë celsius”, – tregon Greji Malo, mjek.

“Pas gjitha këtyre kisha kurajë që më dha doktori që arrita t’ja dal se një moment mendova se i humba pak shpresat”, tregon Klajdi Qato

“U përpoqëm të vinim linjë, ti jepnim serum të ngrohtë, ishte e pamundur, kështu që vazhduam në kushte tradicionale. I vendosëm kompresa, ujë të ngrohtë me shishe siç e shihni, ia vendosëm në këmbë, kudo ku do kishte kontakt me lëkurën”, tregon mjeku.

Gjatë gjithë kohës, doktor Malo bisedon dhe i jep kurajo të riut.

“Atë që i thashë është që duhet të përsërisë alfabetin, germat e alfabetit, të bëje shumëzime matematikore, të përsëris tabelën e shumëyimit apo të kësaj natyre. Gjatë atij momenti dal jashtë dhe pyes: “Klajdi a je mirë, sa bëjnë 3 x 3?” tregon duke qeshur mjeku.

“Në moment parë e ndjeva që isha mirë dhe duke mos dashur ti përgjigjem pyetjes i thashë e do si Basha apo si Rama që tu tregoja se isha mirë”, tregon duke qeshur Klajdi.

“Ai në asnjë moment nuk u dorëzua psikologjikisht, ka shumë të bëjë në të tilla raste, pasi shumë njerëz edhe pse mund të jenë gjallë, bien në makthin e panikut”, tregon Mjeku.

Ekipi shqiptar i emergjencës përparoi shumë pranë Klajdit duke hapur tunelin por nuk mund të rrezikohej më shumë. Grupet shqiptare nuk kishin as mjetet dhe as eksperiencën e duhur. Aty, mbërriti një grup i ardhur nga Greqia që mori në dorë frenat e operacionit.

“Brenda janë pika, disa pika nevralgjike që mbajnë gjithë, sipër mund të jenë disa tonelata, dhe ndërkohë ti përpiqesh të futesh aty brenda, ja siç e shikoni ky trau metalik këtu krijon kollonë aritificiale, krijohet strukturë inxhinierike më vete, ndërkohë sa futesh duhet vënë kolona të tilla, këto janë artizanale, jo profesionale”, tregon mjeku.

Klajdi u nxorr i sigurt nga rrënojat në orën 1 të mëngjesit të datës 27 nëntor, plot 21 orë pas tërmetit shkatërrimtar. Kjo video e atyre momenteve emocionuese ka bërë xhiron e mediave, dhe u duk se shumë grupe të tjera shpëtimi morën kurajo.

“Mos ti ndodhë kujt ajo që më ndodhi mua, dhe i them çdo njeriu që në çdo moment të keni kurajo se nuk i dihet jetës dhe ajo më mbajti mua të jem sot këtu”, sensibilizon Klajdi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat