Nis bora në disa zona të vendit, temperaturat zbresin nën zero në fundjavë - Bota Sot
Nis bora në disa zona të vendit, temperaturat zbresin nën zero në fundjavë

Shqipëria

Nis bora në disa zona të vendit, temperaturat zbresin nën zero në fundjavë

Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 18:16
Ilustrim

Pasditen e kësaj të enjteje i gjithë territori i vendit është pushtuar nga reshjet e shiut, megjithatë, ndonëse dimër, temperaturat e ulëta nuk janë ndier ende në vendin tonë. Meteorologu Hakil Osmani, në një raportim për Report Tv, tha se që prej së enjtes e deri në fundjavë do të ketë reshje shiu dhe temperaturat do të shënojnë ulje deri në -4 gradë celsius.

"Nga dita e enjte pritet që të kemi herë pas here vranësira që do të sjellin reshje shiu, ndërsa mbi 800 metra pritet që të kemi dhe reshje dëbore. Pritet që duke filluar nga mbrëmja e ditës së premte dhe mëngjesin e së shtunës të kemi shira me intensitet mesatar, ndërsa nga e diela dhe në vijim do të ketë kthjellime në territorin shqiptar. Një rënie e lehtë e temperaturave ka vijuar edhe gjatë ditës së enjte duke bërë që vlerat minimale të regjistrohen -3 dhe -4 gradë celsius në zonat malore, që në fakt janë vlera normale për muajin dhjetor, ndërsa vlerat maksimale do të shënohen 14 gradë celsius në zonat perëndimore”.

Ndërkohë që Korça ka përjetuar dëborën e parë për këtë vit, pritet që në ditët në vijim reshje dëbore të ketë në Ersekë, Korçë, por edhe në Kukës. Pavarësisht këtij episodi me temperatura të ulta, gjatë ditëve të fundit të dhjetorit, do të kemi sërish rritje të temperaturave, duke bërë që dhjetori të mbyllet një muaj i ngrohtë.

“Temperaturat në të cilat ndodhemi momentalisht janë normale, pas këtij episodi do të rikthehen sërisht  temperaturat që kemi përjetuar më përpara, pra do të jenë 2-3 gradë më të larta se vlerat normale duke bërë që muaji dhjetor të mbyllet një muaj i ngrohtë”, - tha Osmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat