“Po paguajmë qeranë me borxhe”, banorët e Durrësit denoncojnë tek Basha mungesën e bonusit

Shqipëria

“Po paguajmë qeranë me borxhe”, banorët e Durrësit denoncojnë tek Basha mungesën e bonusit

Më: 13 janar 2020 Në ora: 15:48
Banorët e Durrësit

Një muaj e gjysëm pas tërmetit, banorë të Durrësit i thanë kryetarit të opozitës Lulzim Basha se nuk kanë marrë akoma bonusin e qerasë.

Duke vënë në dukje dështimin e qeverisë për të menaxhuar situatën pas tërmetit, kreu i opozitës theksoi se situata është në përkeqësim, pavarësisht se qeveria mori sërish kohë për të vepruar si në kushte emergjence.

“Këta e zgjatën gjendjen e jashtëzakonshme, por asgjë nuk po bëjnë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve”, u shpreh zoti Basha.

Përveç mungesës së bonusit së qerasë, kryetari Basha u njoh me një realitet të rrezikshëm për shumë familje, të cilat janë kthyer në shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti, pas braktisjes nga qeveria dhe bashkia.

“Kemi dalë dhe kemi hyrë prapë, në shtëpi, sepse nuk na ka ardhur njeri të na shikojë shtëpinë ku jetojmë ose të na japë një ndihmë",  i tha zotit Basha një nga kryefamiljarët që banonte në zonën e plazhit.

Mosmarrja e masave të menjëhershme, tha Basha do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe punësimin në Durrës dhe gjithë Shqipërinë.

"Një qeveri e ardhur nga vota e krimit nuk mund të ketë prioritet tjetër veç krimit, duke braktisur qytetarët siç ka ndodhur dhe në Durrës e zona të tjera. Unë jam këtu për t’ju thënë se ka një zgjidhje, ka një alternative, të cilën do ta vendosni ju me votë".

Gjatë qëndrimit në Durrës, kreu i opozitës vizitoi edhe një biznes të prodhimit të bulmetit, ku shpjegoi se në planin e Partisë Demokratike ndihma për bizneset me bazë prodhimet bujqësore dhe blegtorale është prioritet, duke i mbrojtur njëkohësisht edhe nga prodhimet e pakontrolluara të importit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat